Çmimi i parë “FOL për Prokurim” iu nda autores Dorentina Kastrati
Prishtinë, 20 korrik 2021 – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse ka ndarë sot çmimin për gazetarë “FOL për prokurim”.
Lëvizja FOL që nga viti 2010 monitoron prokurimin publik në Kosovë. Në kuadër të punës së saj në vitin 2018 kishte lansuar Portalin Prokurimi i Hapur dhe Transparent. Qëllimi i këtij portali është të ju sigurojë institucioneve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile informata në mënyrë që të shohin se si shpenzohet buxheti i shtetit. Në të njëjtën kohë, hulumtimet në fushën e prokurimit publik bëjnë që institucionet publike në mënyrë të vazhdueshme të përmirësojnë këtë fushë.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL, theksoi se prokurimi publik përbën afërsisht 10% të Bruto Prodhimit të Brendshëm së Kosovës. Çdo vit, rreth 30% e buxhetit të shtetit shpenzohet përmes prokurimit publik, kurse luftimi i korrupsionit dhe keqpërdorimeve të ndryshme në këtë fushë vazhdon të jetë një sfidë e madhe. Znj. Demolli – Nimani tha se “raportimi për prokurimin publik nga gazetaret është i një rëndësie të veçantë. Andaj, për të inkurajuar gazetarinë hulumtuese në fushën e prokurimit publik, FOL sot ndanë tre çmime për artikujt e botuar nga gazetarë hulumtues në këtë fushë, të cilët kanë paraqitur parregullsi dhe keqpërdorime përmes procedurave të prokurimit publik”.
Zëvendës drejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID në Kosovë, Christine Danton, tha se ndihet krenare që sot, po ndahen çmime për të nderuar tre gazetarë, që me zell kanë kërkuar, kanë hulumtuar, si dhe kanë informuar publikun për keqmenaxhimin potencial të fondeve publike. “Gazetarë që me punën e tyre, kanë ngritur zërin për prokurimin publik, kanë ngritur zërin për qytetarët, të cilët mbështeten tek këto mallra e shërbime. Fituesit e sotëm të këtyre çmimeve janë heronj të vërtetë, puna e tyre ka hedhur dritë në rastet e dyshuara për mashtrime e keqpërdorime, si dhe ka ndihmuar në kërkimin e llogaridhënies nga qeveria. Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent, i krijuar tri vjet më parë, nga Lëvizja Fol, mundësuar nga USAID, ka ndihmuar këta gazetarë dhe shumë të tjerë, sepse afro 50.000 persona e kanë vizituar portalin si dhe kanë kryer hulumtimet e tyre në mbi 15.000 kontrata, me informata për 270 blerës dhe mbi 3200 furnizues në Kosovë. Kur të dhënat komplekse të prokurimit bëhen lehtësisht të kërkueshme dhe të qasshme, ky portal transparence ndihmon OSHC-të, gazetarët hulumtues, sektorin privat si dhe organet vëzhguese të sektorit publik për llogaridhënie” tha Danton, duke shtuar se Qeveria Amerikane është e përkushtuar të mbështesë Kosovën në luftën e saj kundër korrupsionit. “Kur sistemi i prokurimit publik funksionon mirë, si dhe është transparent e llogaridhënës, qytetarët përfundimisht përfitojnë, e ky është synim i secilit vend demokratik”, tha ajo.
Çmimi i parë “FOL për Prokurim” iu nda autores Dorentina Kastrati nga Kallxo.com, për storien “Tenderi i dyshimtë për familjen e ministrit”. Ky hulumtim tregon për favorizime partiake dhe familjare gjatë një procesi të tenderimit në vlerë prej 400 mijë eurove, duke u bërë edhe shkelje ligjore. Hulumtimi tregon se si Komuna e Malishevës i kishte dhënë tenderin për ndërtimin e një shkolle në këtë komunë, kompanisë së vëllait të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë. Se ka pasur parregullsi gjatë këtij procesi tenderues e ka konstatuar dy herë edhe
Organi Shqyrtues i Prokurimit. Hulumtimi po ashtu, tregon se janë bërë edhe manipulime me dokumente nga autoriteti kontraktues në dëm të kompanive që kanë garuar, me qëllim që të favorizohet kompania e vëllait të ministrit. Autorja tha se hulumtimi në fushën e prokurimit shërben si shembull se si brenda një tenderi ka shumë shkelje të cilat kanë lidhje qoftë politike apo familjare. Ndër të tjera, fituesja tha se përmes hulumtimeve të tilla, ju mundësojmë prokurorive të merren me shkelje të tilla, si dhe se të tilla hulumtime janë shumë më të lehta marrë parasysh lehtësimin që na ipet nga çasja në dokumente publike nga portali OPTP.
Çmimi i dytë iu nda autorit Besnik Krasniqi nga Koha Ditore, për shkrimin “Dallavere për hava”. Ky hulumtim ka treguar se si institucionet e Kosovës kanë paguar mbi një milion euro për më shumë se 2,200 bileta avioni, pa pranuar nga kontraktuesi dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real, ose nëse biletat ishin shfrytëzuar. Pas publikimit të hulumtimit, policia e krimeve ekonomike ka nisur një hetim për këtë rast. Autori tha se duhet t’i largojmë maskat në rastet e prokurimit për t’u treguar sa më real dhe se një falemnderim i takon shoqërisë civile të cilët punojnë në këtë rrugëtim.
Ndërkaq, çmimi i tretë iu nda bashkëautorëve Valon Fana dhe Vyrtyte Gërvalla, për shkrimin “Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit”. Ky hulumtim ka trajtuar një dukuri që ndodh kohë pas kohe në prokurimin publik Në Kosovë. Hulumtimi tregon se si është favorizuar një familje biznesmenësh në procesin tenderues për furnizim me produkte ushqimore për familjet në nevojë, mirëqenia e të cilëve është rënduar për shkak të pandemisë COVID-19. Pas publikimit të hulumtimit, Prokuroria Themelore në Pejë, ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje. Autorët thanë se të punuarit në këtë drejtim dhe të vlersuarit me këtë çmim, mbetet një ndjenjë e veçantë dhe se do të vazhdojnë punën e tyre hulumtuese në prokurim.