Bashkëbisedim mes studentëve dhe kryeprokurorit e kryetarit të gjykatës Themelore në Pejë
Pejë, 16 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedimin mes studentëve dhe Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë z. Kreshnik Radoniqi dhe kryetarit të Prokurorisë Themelore në Pejë z. Agim Kurmehaj. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.
Kryetari i Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Agim Kurmehaj, para studentëve prezantoi punën e këtij institucioni dhe hapat të cilët kanë ndërmarrë në luftimin e korrupsionit. Ai i inkurajoi studentët që të aplikojnë në punë praktike, të marrin pjesë në seanca sepse praktika të cilën e fiton një student me pjesëmarrje direkte në seanca ju ndihmon në ushtrimin më të lehtë të këtij profesioni në të ardhmen. Ai po ashtu ftoi studentët të cilët kanë ndonjë pyetje apo ndonjë ankesë rreth prokurorisë që të paraqiten në zyrën e tij. “Zyra ime është e hapur çdo të premte nga ora 13 deri në ora 16, për çdo qytetarë që ka ndonjë ankesë apo edhe kërkesë për ndonjë lëndë, dhe ju nuk duhet të ngurroni të paraqitni ankesat e juaja”, tha Kurmehaj.
Gjithashtu edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, z. Kreshnik Radoniqi, prezantoi para studentëve punën që është duke e bërë kjo Gjykatë në luftimin e korrupsionit. Ai tha se drejtësia nuk shitet për askënd dhe drejtësia nuk bën të modifikohet për askënd. “Nëse një ditë filloni punën si gjykatës duhet ta dini se s’ka favore për njeri tjetrin sepse me ketë rast do të dëmtohet drejtësia”, tha Radoniqi.
FOL ka dy vite që organizon bashkëbisedime tilla me studentë dhe prokurorë apo gjykatës në Prishtinë, ndërkaq tani ka filluar që këto bashkëbisedime mes të parëve të prokurorisë dhe gjykatës të mbahen edhe nëpër qytete tjera.
Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.