Punëtoria për hartimin e Kodit të ri të Etikës për Prokurorë

Ohër, 28 Qershor 2018 – Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Qendra për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC) në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë duke punuar në hartimin e Kodit të ri të Etikës për prokurorë.

Në punëtorinë që po mbahet në Ohër, së bashku me KPK-në dhe grupin punues të prokurorëve të mandatuar nga Këshilli Prokurorial për ndryshimin e kodit të etikës, është duke u diskutuar drafti dhe do të bëhen ndryshimet e nevojshme për të prodhuar një dokument përfundimtar. Pas kësaj punëtorie draftin përfundimtar do të dorëzohet në Këshillin Prokurorial për aprovim.

Pjesëmarrës në këtë punëtori janë prokuroret holandeze dhe prokurorë vendas nga grupi punues për hartimin e Kodit të ri të Etikës për Prokurorë.

Pas punëtorisë së parë të mbajtur më 29 mars 2018, një ekip i prokurorëve holandezë ka punuar në hartimin e draft-Kodit të ri të Etikës për prokurorë i cili është prezantuar dhe po diskutohet në këtë punëtori.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

Letër nga Shoqëria Civile për kryeprokurorin Aleksandër Lumezi

Letër nga Shoqëria Civile për kryeprokurorin Aleksandër Lumezi

 I nderuar Kryeprokuror i Kosovës, zt. Aleksandër Lumezi,

Buxheti i Kosovës para disa ditësh humbi edhe 53 milionë euro me një vendim të vetëm qeveritar. I humbi sepse këto mjete nuk shkuan për ndërtimin e kilometrave shtesë të rrugës por si dënim për mos përmbushje të detyrimeve të kontratës nga ana e qeverisë së Kosovës. Këto mjete nga kuleta e përbashkët përfunduan në llogaritë bankare të një konsorciumi privat. E dyshimta tjetër këtu është se si një humbje e paqartë prej 14 milionë në 2017 u ngrit në 53 milionë brenda disa muajve.

Ne, organizatat e shoqërisë civile dhe individët e nënshkruar, mendojmë se ky rast do të duhej të shërbente si alarm për Prokurorinë e Republikës së Kosovës për të hetuar mundësinë për një abuzim të parasë publike të përmasave enorme.

Kur bëhet fjalë për shuma kaq të mëdha dhe siç dëshmuan rastet e mëhershme të arbitrazhit ndërkombëtar, ngjallen dyshime serioze se mos përmbushjet e detyrimeve të kontratës janë të qëllimshme dhe në bashkërendim të plotë me kontraktuesin. Mungesa e reagimit të prokurorisë në raste të më hershme, ka krijuar komoditetin e keqmenaxhimeve të fondeve publike.

Çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar, por shkeljet e përmasave të tilla do të duhej të na alarmonin në nivel kombëtar. Nëse Kosovës së lodhur nga varfëria kronike i plaçkiten me kaq lehtësi 53 milionë euro, si mund të ngjallë kjo shoqëri besimin te qytetarët e vet dhe të aspiroj të jetë shtet i së drejtës? Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo është humbja më e madhe e parasë publike, të paktën që dihet publikisht. Andaj, mos hetimi i kësaj me urgjencë do të ishte një lëshim i rëndë i instituciont të Prokurorisë.

I nderuar kryeprokuror i Kosovës, zhvatja e 53 milionë eurove ka adresën e institucioneve, ka vendimet e marra nga këto institucione dhe dokumentet përkatëse (kontrata specifike) të cilat shumë lehtë mund të tregojnë emrat e përgjegjësve ligjore për këtë plaçkitje të pasurisë publike. Është detyrë e juaja ligjore dhe morale që ta hetoni këtë punë deri në fund dhe në këtë përpjekje shoqëria civile do të qëndroj përkrah jush, por edhe në mbikëqyrjen tuaj.

Qytetarët e Kosovës e kanë kaluar testin e imunitetit ndaj korrupsionit. Në të gjitha hulumtimet, korrupsioni i nivelit të ulët (gjatë ndërveprimit mes qytetarëve dhe shtetit) është në nivelet më të ulëta në rajon. Por, siç tregojnë matjet e opinionit, këtë test assesi nuk po arrijnë t’a kalojë klasa aktuale politike, e cila përmes ndërhyrjeve të vrazhda vazhdon të minojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojë pandëshkueshmërinë për vete dhe njerëzit e afërt me ta. Për fajin e këtyre politikanëve, qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të mbesin të vetmin qytetarë evropianë të izoluar.

I nderuar kryeprokuror, në ditët në vijim do të shihet nëse ju do ta  kaloni këtë test, duke vëzhguar nëse do t’i përmbushni obligimet e juaja kushtetuese e ligjore dhe zotimet të cilat i dëgjojmë nga ju dhe vartësit tuaj në të gjitha forumet në të cilat merrni pjesë.

Apo do të vendosni të heshtni, duke i mbyllur sytë para këtij rasti flagrant. Nëse vendosni të heshtni, ju përkujtojmë se kjo shoqëri do t’ju mbajë si bashkëpërgjegjës dhe ju nuk do të keni më asnjë arsye morale dhe ligjore për të qëndruar në pozitën tuaj.

Organizatat e nënshkruara

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

INDEP

D+

Lëvizja FOL

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Sbunker

 

Përtej Numrave-Performanca e Prokurorive dhe Gjykatave në luftën kundërkorrupsion për vitin 2017

Prokuroritë dhe gjykatat rrisin performancën në luftën kundër korrupsion

Prishtinë, 31 maj 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë me ç ‘rast u publikua edhe raporti “Performanca e gjyqësorit dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit” për vitin 2017.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL tha se ky është edicioni i dytë i raportit “Përtej Numrave”. Sikurse vitin e kaluar edhe për vitin 2017 Lëvizja FOL ka bërë matjen e performancës së prokurorive dhe gjykatave në luftën kundër korrupsion.“Për çdo ditë hasim termin korrupsion dhe sivjet ka qenë shumë i pranishëm për faktin që ka mbet kriteri i fundit për liberalizim të vizave. Në nivel qendror edhe prokuroritë edhe gjykatat kanë treguar përformancë pozitive në trajtimin e lëndëve të reja të korrupsionit duke zgjidhur më shume lëndë se sa kanë pranuar gjatë viti 2017”, tha Zulfaj.

Sipas Zulfajt, raporti është statistikor dhe Lëvizja FOL është duke ofruar një pasqyrë për Prokuroritë dhe për Gjykatat që të shohin dhe të maten me vetëveten, mirëpo raporti nuk mundet të tregojë se si janë zgjidhur lëndët.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj tha se “Trendi i zgjidhjes së lëndëve është pozitiv dhe atë mbi 25%”. Nuk ka asnjë dilemë se ne kemi avancuar, është rritur buxheti si dhe janë aprovuar 148 pozita shtesë vetëm për personel administrativ.

Në anën tjetër Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi tha se “Këshilli ka bërë përpjekje në luftimin e korrupsionit ku si fillim kemi themeluar grupin punues dhe kemi hartuar planin e veprimit për lëndët e korrupsionit, që kanë të bëjnë me shënjestrimin, monitorimin dhe raportimin mbi statusin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë i ashtuquajtur mekanizmi përcejllës si dhe kemi krijuar grupin punues për lëndët e korrupsionit në përbërje të gjyqtarëve. Të dy këto mekanizma i shërbejnë KGJK-së dhe ofrojnë rekomandime të politikave në luftën kundër korrupsion”.

Raporti konstaton se në nivel qendror, Prokuroritë kanë pasur një performancë pozitive dhe kanë ngritur perfromancën nga 130% në 135% në trajtimin e lëndëve të korrupsionit. Njëjtë edhe gjykatat kanë një performancë pozitive edhe në vitin 2017 më zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, megjithatë gjykatat kanë një rënie të performancës kur krahasohen me vitin 2016 që ishte 122% në 114% për vitin 2017.

Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar mbetet vepra më e përsëritur e korrupsionit, ku prej 826 personave nën hetime nga prokuroria, afër 90% e tyre i përkasin kësaj vepre penale.

Nëse korrupsioni shikohet përmes numrave, atëherë në vitin 2017 ka një rënie prej më shumë se 200 personave nën hetime nga prokuroria për korrupsion. Nga 826 persona ndaj të cilëve kishte kallëzim penal për korrupsion në vitin 2016, ky numër ka rënë në 622. Ky numër është prap i lartë duke treguar se korrupsioni mbetet prezent.

Prokuroria Speciale ka pasur normën më të mirë të zgjidhjes së lëndëve për persona prej 323% e ndjekur nga ajo e Prishtinës më 141%. Megjithatë edhe prokuroria speciale edhe ajo e Prishtinës vazhdojnë të kenë një numër të madh të lëndëve te bartura çka bënë që të vonohet drejtësia.

Për të parë të gjithë indikatorët në performancën e prokurorive dhe gjykatave në luftën kunderkorrupsion për vitin 2017, lexoni raportin në www.levizjafol.org/publikimet.

Mos transparenca në prokurimin publik rrit dyshimet për korrupsion

Prishtinë, 29 Maj 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e radhës ku është diskutuar raporti “Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”. Panelistë në këtë tryezë ishin: Osman Bytyqi nga KRPP, Agim Sheqiri nga OSHP, Mursel Racaj nga AQP dhe zyrtarë të prokurimit nga ministritë si dhe përfaqësues të mediave dhe organizatave jo-qeveritare.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL tha se raporti është një përmbledhje e raportit vjetor të monitorimit të prokurimit publik në tri ministritë: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. “Ky raport gjithashtu përmban një freskim i analizës ligjore nga viti 2016 duke sjellë rastin e Estonisë dhe analizën e rëndësisë së hapjes së planifikimit të prokurimit publik në Kosovë”, tha Zulfaj. “Ligji për shoqëritë tregtare ende nuk është ndryshuar. Është me rëndësi që ky ligj të ndryshohet në atë kuptim që të ofrojë shumë informata se kush janë ata persona që përfitojnë prapa këtyre bizneseve. Është evidente që persona të caktuar mund të jenë të lidhur me ata që përfitojnë nga tenderët publik. Gjithashtu, zyrtarwt e prokurimit janë të cenueshëm ndaj korrupsionit dhe duhet edhe ata t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë”, tha  Zulfaj.

Sipas tij, nga gjetjet e monitorimit të FOL-it del se ka mospërputhje të publikimeve të të dhënave në mes ueb faqeve të KRPP-së dhe platformës E-Prokurimi, tek njoftime për kontratë, njoftime për dhënie të kontratës dhe njoftimeve për nënshkrim të kontratës.

Osman Bytyqi nga Komisioni i Rregullativ i Prokurimit Publik, tha se pajtohet me shumë nga të gjetura e FOL-it. “Ligji nuk ka hyr agjendë legjislative për këtë vit, mirëpo na kanë premtuar se do të hyjë në agjendë vitin e ardhshëm dhe ne jemi pjesë e grupit punues dhe besoj që kontratat do të bëhen shumë shpejt publike”, tha Bytyqi.

Ndërkaq, Agim Sheqiri, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, tha se baza aktuale ligjore është shumë e mirë, mirëpo duhet fokusuar tek qëndrueshmëria e projekteve. “Ne gjatë këtij viti, duhet të përqendrohemi nga prokurimet e qëndrueshme. Pra kur shtrojmë një rrugë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjate. Ne jemi dëshmitarë se ndonjëherë punët nuk po kryhen mirë. Blejmë makineri por nuk janë të qëndrueshme. Dalin ministrat inaugurojnë projekte por ato nuk përfundojnë sepse ka mungesa në sistem”, tha Sheqiri, duke shtuar ka raste që një pronar qëndron prapa 2-3 kompanive tjera.

Kurse Mursel Racaj nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (APQ), tha se AQP-ja ka filluar me ngritjen e prokurimeve qendrore, mirëpo rritja e kësaj liste po del te jetë shumë sfidë shkaku i mungesës së zyrtarëve të prokurimit në AQP. “Përveç kësaj problem po del të jetë edhe monitorimi  dhe zbatimi i kontratave në praktikë. Përgjegjësia më së shumti u bie zyrtarëve përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e kontratave. Andaj, ju inkurajoj që të bëni më shumë në zbatimin dhe monitorimin e kontratave”, tha Racaj.

Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL zgjedh drejtore të FOL-it, Mexhide Demolli-Nimanin

Prishtinë, 14 Maj 2018 – Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është bërë zgjedhja e Drejtorit/es Ekzekutiv/e të Lëvizjes FOL.

Mexhide Demolli-Nimani është zgjedhur drejtore e Lëvizjes FOL. Numri i anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes FOL arrin në 24, ndërkaq, në këtë mbledhje prezent ishin 14 prej tyre.

Mexhide Demolli- Nimani është bashkëthemeluese e Lëvizjes FOL dhe ka qenë e angazhuar gjatë gjithë kësaj periudhe si koordinatore e zyrës për media dhe koordinatore e projektit në Lëvizjes FOL.  Ajo ka përfunduar studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe si dhe Gazetari në Universitetin e Prishtinës.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje u miratua Raporti Financiar dhe Raporti i Punës për vitin 2017.

(KEQ)PLANIFIKIMI I PROKURIMIT PUBLIK

Prishtinë, 26 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Monitorimi i planifikimit të prokurimit publik” ku është diskutuar për realizimin e planifikimit të prokurimit publik nga institucionet e monitoruara nga FOL. Panelist në këtë tryezë ishin: Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik(KRPP) dhe Ekrem Rexha nga Agjencia Qendrore e Prokurimit(AQP).

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL tha se FOL në vazhdimësi është marrë me diskutime rreth problemeve në prokurimin publik. Problemet që ekzistojnë në këtë fushë janë theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. “Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian i vitit 2018, ka kritikuar institucionet e prokurimit publik për mosefikasitet në menaxhimin e ciklit të prokurimit publik. Ndër të tjera kjo ndikon në realizimin e kontratave, menaxhimin e tyre e duke rezultuar edhe në menaxhimin jo të duhur të parasë publike”, tha Zulfaj. Ndërkaq Gresa Smolica prezantoi të dhënat e dala nga raporti i monitorimit të planifikimit të prokurimit publik . “Nga monitorimi i planifikimeve të prokurimit si dhe nga monitorimi i mëhershëm i kontratave nga institucionet e monitoruara, FOL ka gjetur disa parregullsi të cilat kanë ndikuar në shpenzimin jo të duhur të parasë publike.  Gjithashtu, Planifikimi i prokurimit publik nuk hartohet në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik. dhe se planifikimet e monitoruara nga FOL nuk kanë detajuar shpenzimet dhe aktivitetet që do të realizohen nga autoritetet kontraktuese” tha, Smolica. duke shtuar se gjatë vitit 2017, shumë institucione kanë nënshkruar kontrata të cilat paraprakisht nuk kanë qenë pjesë e planifikimit përfundimtar që është dorëzuar nga institucionet në AQP.

Safet Hoxha, kryetar i KRPPsë  tha se planifikimi i prokurimit është instrument shumë dimesional. “Me këtë rritet transparenca dhe kontrolli intern i prokurimit. Qytetarët mund të shohin se si shpenzohen paratë e tyre, por edhe mund të bëjnë krahasime me institucionet tjera. Deri me tani planifikimi është bërë në formë të prognozës, pa hulumtime të detajuara”, tha Hoxha duke shtuar se duhet të luftojmë që planifikimi i prokurimit nga institucionet të jetë më i detajuar.  Sipas tij publikimi i planifikimit i largon nga një përgjegjësi edhe zyrtarët e prokurimit.

Hoxha tha se duhet të bëhet një platformë ku zyrtarët e prokurimit do të raportonin për keqpërdorimet që i hasin. “Duhet me adresu përgjegjësinë e organeve që bëjnë planifikimin dhe menaxhimin e kontratës”, tha Hoxha.
Ndërkaq Ekrem Rexha nga AQP tha se për shkak të planifikimeve të dobëta, kemi kërkesa të shtuara për prokurime më vonë. Kjo është si pasojë e mos koordinimit të brendshëm të Autoriteteve Kontraktuese.
Feti Ibishi, Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se zyrtarët e prokurimit nuk kanë mbrojtje nga askush, as nga KRPP.  Na kanë zhvendosur nga Departamentet në Divizione, “Ka raste kur ne nuk kemi zyrtar të përgatitur për menaxhim të kontratave”, tha ai.
Arben Selimi nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se kjo zyrë e auditon të gjithë procesin e prokurimit. “Problemet janë në fazën e fundit, tek menaxhimi i kontratës.  Nëse autoriteti kontraktues nuk e din sa ka shpenzuar vitin e kaluar, nuk ka mundësi që të bëjë një planifikim të mirë”, tha Selimi.

FOL Hapur me Kryeministrin Ramush Haradinaj

Prishtinë, 12 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot forumin FOL Hapur ku i ftuar ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Në këtë forum u diskutua për temat aktuale në vend si dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, formimi i Ushtrisë së Kosovës, për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq, formimin e asociacionit me komunat serbe dhe për liberalizimin e vizave.

“Në Bruksel herën e fundit kam thënë që kjo fuqi e dialogut nuk është e mjaftueshme që të zgjidh çështjen Kosovë-Serbi. Aty më është thënë që nuk po e kuptojmë atë që po e kërkoj. Aty më është thënë edhe që ju i kryeni këto përmes marrëveshjeve që i zbatoni”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Haradinaj tha se ultimatumi i serbëve është taktik që përdoret në këto situata që përdoret që ti mos të reagosh në këso situata. “Lista serbe e ka ofruar dorëheqjen unë nuk e kam pranuar. Tash ka ndodhë një komunikim. Ju duket ndoshta absurde por nuk ka ndonjë kërkesë ë listës për kthim në qeveri”, ka thënë Haradinaj.

Bashkëbisedim me Kryetarin e Gjykatës Supreme z. Enver Peci

Prishtinë, 5 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot bashkëbisedim me Kryetarin e Gjykatës Supreme në Prishtinë, z. Enver Peci dhe studentët/et e Fakultetit Juridik. Temë diskutimi ishte Integriteti i Gjyqësorit në Kosovë.

Kryetari Peci, foli para studentëve për punën e Gjykatës Supreme dhe gjithashtu për integritetin e gjyqësorit në përgjegjësi. Sipas tij, gjyqësia kosovare është e pavarur nga pushteti dhe se të gjithë ata që kapen duke marrë vendime të ndikuara përballen me Këshillin Disiplinor.

Ndonëse ka shënuar një përparim viteve të fundit, sipas tij, gjyqësori kosovar ka edhe sfida të mëdha.

 

Ky aktivitet u mbështet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

Sfidat e menaxhimit të lëndëve të korrupsionit në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës

Prishtinë, 4 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutim me zyrtarë të Prokurorive dhe Gjykatave Themelore të ngarkuar me punë në grumbullimin e statistikave të lëndëve të korrupsionit në Gjykata dhe Prokurori. Në këtë takim u diskutua për sfidat e menaxhimit të statistikave të lëndëve të korrupsionit në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës, që nga mungesa e zyrtarëve për statistika deri te ngatërresat rreth ndarjes së lëndëve.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL tha se gjatë vizitave që FOL ka realizuar në Gjykata dhe Prokurori të Kosovës, ka vërejtur se ekzistojnë probleme të shumta rreth menaxhimit të statistikave të lëndëve të korrupsionit, e kjo si pasojë edhe e mungesës së zyrtarëve për statistika. “Neve na intereson të jetë një kategori e veçantë, ku tregohen se sa është numri i lëndëve të parashkruara”, tha Zulfaj.  

Besnik Ramosaj- Drejtor i Zyrës së Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës tha se mundësia e gabimeve në statistika është e mundshme, për shkak të numrit të madh të veprave. “Ka problem për shkak të ndërrimit të gjykatave. Numri ndryshon edhe kur një lëndë kalon nga një departament në departamentin tjetër. Në Prizren kemi pas problem me zyrtarin e statistikave, kanë shku zyrtarët i kanë numruar veç e veç të gjitha lëndët”, tha Ramosaj duke shtuar se burim i informacioneve për statistika duhet të jetë zyrtari i statistikave dhe jo ndonjë zyrtar tjetër.

Nurije Aliu nga Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se kur ndërrohet kualifikimi i veprës, nuk kemi mundësi se si ta raportojmë, duhet të jetë një rubrikë e veçantë për raportimin këtyre veprave. “Lëvizja e lëndëve nga një departament në tjetrin na shkakton telashe në statistika. Duhet të jepet mundësia që të tregohen rastet kur është bërë rikualifikimi i veprave. Ne raportojmë te Laura Pula çdo muaj për statistika, pra raporti i njëjtë shkon edhe në Këshillin Prokurorial”, tha Aliu.

Ndërkaq Xhemile Morina nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha se nuk ka hasur në raste kur përzihen veprat nga kapituj tjerë. “Në Mitrovicë janë vetëm dy zyrtarë që merren me statistika e që janë zyrtarë të shkrimoreve, pra e kemi si punë shtesë këtë punën e statistikave”, tha ajo.

Pranvera Ademi nga Gjykata Themelore në Pejë tha se kanë probleme edhe me kualifikim të veprës, ngase Prokuroria vjen me kualifikim tjetër ndërsa gjykata e kualifikon ndryshe dhe për këtë dalin dallime në statistika.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

Bashkëbisedim me studentë për Integritetin e Gjyqësorit

Prishtinë 3 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot bashkëbisedimin e radhës mes studentëve/eve dhe Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Integriteti i Gjyqësorit dhe Kodi i Etikës.

znj. Bytyqi foli para studentëve për Kodin e Etikës së Gjyqtarëve dhe gjithashtu ndau përvojat nga puna e saj si gjyqtare.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

Vizita e prokuroreve Holandeze në Këshillin Prokurorial të Kosovës

Prishtinë 29 Mars 2018 – Lëvizja FOL në partneritet me KDI-në dhe CILC, së bashku me prokuroret nga Holanda kanë vizituar sot Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pjesëmarrës në këtë takim ishin: Gerrie Williams – Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Kitty Nooy – Prokurore Publike dhe Menaxhere e Programit për integritetin e prokurorëve në Holandë, Loes van den Brand – Koordinatore e integritetit në Prokurorinë Publike të Holandës, Heleen Smit – Koordinatore e integritetit në Prokurorinë Publike të Holandës, Lavdim Krasniqi – Drejtor i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Jeton Zulfaj – Menaxher i Programeve në FOL dhe Arben Kelmendi – Menaxher i Projektit në KDI.

Në këtë takim u bisedua për sfidat dhe dilemat që i kanë prokurorët me kodin aktual të etikes dhe për ndryshimet që duhet të ndodhin me kodin e ri.

Gjithashtu u bisedua edhe për vendimin e KPK-së për grupin punues për ndryshimin e Kodit të Etikës për prokurore si dhe për rolin që do të kenë prokurorët holandez në ofrimin e mbështetjes për një Kod të ri të Etikës për prokurorët.

FOL së bashku me partnerët e projektit do të jetë pjesë e procesit të ndryshimit si dhe pjesë e grupeve punuese në ndryshmin e Kodit të Etikes për prokurorët e Kosovës.

 

Bashkëbisedim me studentë në Ferizaj

Ferizaj, 29 Mars 2018 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedim mes studentëve të Kolegjit AAB në Ferizaj dhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj z. Bashkim Hyseni dhe kryeprokurorit së Prokurorisë Themelore në Ferizaj z. Shukri Jashari.
Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj z. Shukri Jashari, shpjegoj para studentëve punën e prokurorisë së Ferizajt. “Për shkak të tranzicionit në Kosovë korrupsioni është ma i theksuar se në shtetet tjera”, tha Jashari, duke shtuar se pavarësisht se luftimi i korrupsionit tashmë është kusht për liberalizimin e vizave, Prokuroria Themelore do ta luftoj këtë dukuri edhe pas liberalizimit të vizave.

Ndërkaq, kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj z. Bashkim Hyseni, tha se gjatë pesë viteve të fundit kanë qenë 150 lëndë të korrupsionit, “Vetëm gjatë katër viteve janë zgjedh 140 lëndë të korrupsionit, ndërkaq kanë mbetur edhe 10 të cilat kanë hyr në punë në fund të vitit 2017,  tw cilat do të marrin epilogun e tyre në muajt në vazhdim”, tha Hyseni, duke shtuar se lëndët e korrupsionit kanë një prioritet në Gjykatën Themelore të Ferizajt.
Hyseni tha se jemi të përkushtuar të dëshmojmë se vendi jonë është i gatshëm për luftimin e kësaj dukurie negative dhe ju si studentë duhet të bëni çmos të mos bëheni pjesë e dukurive korruptive.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Punëtori për ndryshimin e Kodit të Etikes për prokurorë

Prishtinë, 29 Mars 2018 – Lëvizja FOL në partneritet me KDI dhe CILC dhe së bashku me prokuroret nga Holanda kanë mbajtur një punëtori me institucionet kyçe rreth hapave që duhet ndërmarr në ndryshimin e Kodit të Etikes për prokurorë. Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin: Kitty Nooy – Prokurore Publike dhe Menaxhere e Programit për integritetin e prokurorëve në Holandë, Loes van den Brand – Koordinatore e integritetit në Prokurorinë Publike të Holandës, Heleen Smit – Koordinatore e integritetit në Prokurorinë Publike të Holandës, Besim Kelmendi – Prokuror nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, Shaip Havolli – Drejtor i Agjencisë Kundër korrupsion, Blerim Kelmendi – Agjencia Kundër Korrupsion, Arianit Salihu – u.d. Drejtor i ZPD-së, Arian Gashi – Prokuror, Sebahate Hoxha – Prokurore, Valdet Gashi – Prokuror, Valon Kurtaj – Drejtor i Akademisë së Drejtësisë, Venera Ramaj – Këshilltare dhe zyrtare e lartë ligjore për sundimin e ligjit në Ambasadën Holandeze në Prishtinë.

Sugjerimet dhe përvojat e institucioneve të Kosovës që punojnë në fushën e integritetit do të jenë të rëndësishme për hartimin e Kodit të Etikes për prokurorë.
Kjo ishte punëtoria e parë në serinë e punëtorive që do të realizohen deri në miratimin e Kodit të ri të Etikës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës themeloi Grupin Punues për hartimin e Kodit të Etikës për Prokurorë

Prishtinë, 27 Mars 2017 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka themeluar sot Grupin Punues për hartimin e Kodit të Etikës për Prokurorë. Një ekip prej tre prokurorëve holandez, i cili mbërrin të mërkurën në Kosovë, do t’i ofrojë mbështetje profesionale në draftim të kodit, këtij Grupi Punues si pjesë e projektit “Promovimi i Integritetit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Holandeze në Kosovë dhe i zbatuar nga Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Qendra Holandeze për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar CILC.

Kodi i ri i pritet të adresojë çështjet e identifikuara nga Komisioni Disiplinor i KPK-së gjatë shqyrtimit të ankesave të qytetarëve.

Reagim: Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të publikoj kontratën e autostradës Morinë-Merdare  

Prishtinë, 19 Mars 2018 – Lëvizja FOL është njoftuar sot se Ministria e Infrastrukturës ka bërë ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes së cilës është aprovuar si e bazuar kërkesë-padia e Lëvizjes FOL për qasje në dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade.

FOL konsideron se pavarësisht të drejtës ligjore në ankesë që e ka Ministria e Infrastrukturës kundrejt këtij Aktgjykimi, qëllimi kryesor i kësaj ankese është mbajtja e fshehtë e kësaj kontrate si deri më tani. Këtë gjë e vërteton edhe fakti se njëra nga pikat e ankesës ka të bëj me ruajtjen e konfidencialitetit të Kontratës, përkundër që ajo është një Kontratë publike.

Kjo edhe njëherë tregon se Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për publikimin e kontratës dhe dosjes së tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade, gjë që shkel rëndë të drejtën e qytetarëve për të ditur se si janë shpenzuar paratë e tyre.

FOL pret nga Gjykata e Apelit që të vërtetoj aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në një afat sa më të arsyeshëm dhe të obligoj Ministrinë e Infrastrukturës të lejoj qasjen në dokumente publike siç ishte edhe kërkesa e FOL tetë vite më parë.

FOL konsideron se tendenca për zvarritjen e këtij procesi nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht Qeverisë së Kosovës është goditje direkte ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

 

Takim me Kryeprokurorin  e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Shyqeri Syla

Mitrovicë, 14 Mars 2018 – Përfaqësues nga Lëvizjes FOL u takuan sot me z. Shyqeri Syla, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.  Gjatë këtij takimi u diskutua për punën në këtë prokurori, me theks të veçantë për numrin e madh të lëndëve të korrupsionit.

Kryeprokurori Syla, tha se prokuroria që ai udhëheq aktualisht ka një numër të vogël të prokurorëve dhe një numër të madh të lëndëve të korrupsionit. “Aktualisht kemi 79 lëndë të korrupsionit, mirëpo kemi numër të vogël të prokurorëe, kemi vetëm dy prokuror që merren me lëndët e korrupsionit”, tha Syla, duke shtuar se gjatë këtij viti pritet të fillojnë punën edhe tre prokurorë të tjerë.  Sipas tij, me tre  prokuror shtesë në këtë departament gjatë këtij  viti do të përfundojnë edhe këto raste të grumbulluara.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka zëdhënës dhe as zyrtarë të statistikave. “Nuk kemi zyrtarë të statistikave dhe mendoj se nuk është e nevojshme sepse secili prokuror i vendos në sistem rastet e veta”, tha Syla.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

FOL fiton rastin ndaj MTPT në qasjen e kontratës së autostradës Morinë- Merdare

Prishtinë, 6 Mars 2018 – Lëvizja FOL është njoftuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë se ka fituar rastin ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila para tetë viteve kishte refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet publike, konkretisht qasjes në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, thuhet se aprovohet si e bazuar kërkesë-padia e paditësit “Lëvizjes FOL”, dhe se MTPT(tani Ministria e Infrastrukturës) detyrohet që brenda 30 ditëve ti lejoj Lëvizjes FOL që të ketë qasje në “Dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade”.

Që nga fillimi i këtij projekti FOL kishte kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të jenë transparente në këtë të gjitha proceset tenderuese, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

FOL pret që pasi ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm Ministria e Infrastrukturës do të lejoj qasjen në dokumentet e kërkuara 8 vite më parë.

Shoqëria Civile u bën thirrje deputetëve për t’a ratifikuar marrëveshjen për kufirin shtetëror me Malin e Zi

Prishtinë, 05.03.2018 –  Në tre vitet e fundit, çështja e demarkacionit me Malin e Zi pothuajse ka paralizuar jetën institucionale në Kosovë dhe secila shtyrje e mëtutjeshme do të dëmtojë edhe më shumë qytetarët dhe procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë.

Subjektet politike përfundimisht duhet t’i hapin rrugë idesë së bashkëpunimit e konsensusit, sado i vështirë të jetë ai, për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve të vendit. Qytetarët e  Kosovës përmes votës së lirë kanë zgjedhur përfaqësues nga të cilët presin përgjegjësi dhe përfaqësim të interesave të tyre. Nuk ka fare dyshim se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të përmbushet kushti i pashmangshëm në rrugëtimin e  Kosovës drejt liberalizimit të vizave.

Ne, organizatat e shoqërisë civile vlerësojmë se debati rreth demarkacionit është konsumuar dhe se tash duhet të veprohet konkretisht për të zhbllokuar situatën, sidomos duke pas parasysh se tani Republika e Kosovës ka në dispozicion mekanizma ligjor për të ri-negociuar me Malin e Zi për përmirësimet eventuale të marrëveshjes për vijën kufitare, nëse faktohet që janë bërë gabime në përcaktimin e saj.

Andaj, përmes kësaj letre, edhe një herë u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke zgjidhur një nyje që ka mbajtur të lidhur skenën politike kosovare për vite të tëra, por edhe duke shënuar hapa progresiv drejt përfundimit të izolimit të qytetarëve të vendit për udhëtimin e lirë në vendet e Schengenit.

Me respekt,

Demokraci Plus (D+)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
Instituti KIPRED
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Inicitiva për Progres (INPO)
Lëvizja Fol
Organizata Çohu
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)