“Udhë pa Krye” – Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Prishtinë 29 janar 2019 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë diskutimi me ç ‘rast ka publikuar raportin “Udhë pa Krye”, nga monitorimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL theksoi se ndërtimi i kësaj autostrade që nga fillimi është përballë me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve relevante. “Përderisa shumë dokumente nuk janë publikuar në lidhje me ndërtimin e kësaj autostrade, FOL ka marrë të gjitha veprimet e dala nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike” në mënyrë që fati i 88 milionëve për ndërtimin e kësaj autostrade dhe shumë milionave të tjerë që do të shkojnë në shpronësim, të bëhet publik”, tha ajo. Ndërkaq, Elbasan Racaj- koordinator i projekteve në FOL prezantoi të gjeturat e raportit ‘Udhë pa Krye’. Sipas tij, procesi i planifikimit dhe fillimi i ndërtimit të autostradës ka qenë i mbyllur nga ana e institucioneve të Republikës, të cilat nuk kanë qenë të gatshme t’i ofrojnë publikut të dhënat dhe detajet e ndërtimit të së njëjtës autostradë. “Autostrada nuk ka qenë e paraparë me plan të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës. Mungon plani i menaxhimit të kontratës për këtë autostradë. Gjithashtu procesi i shpronësimit të parcelave ka filluar pas nënshkrimit të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës. Procesi i vlerësimit të pronave të paluajtshme nuk ka përfunduar në tërësi”, tha ai duke shtuar se Ministria e Financave, ka refuzuar të ofrojë të dhënat mbi shumat financiare të vlerësimit të deritanishëm të pronave të paluajtshme, duke e bërë këtë proces të mbyllur.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit tha se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të jenë llogaridhënëse dhe duhet të përgjigjen në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike. “Secili institucion i cili prodhon një dokument duhet të klasifikohet në atë moment se a është dokument për qasje apo dokument i klasifikuar, e jo në momentin që kanë një kërkesë të dalin me përgjigje si në rastin e Lëvizjes FOL”, tha Jashari, duke shtuar se kjo do të lehtësonte punën e institucioneve si dhe palëve të interesuara. Sipas tij, në rastet e shpronësimeve nuk është problemi veç me ligjin  për qasje por edhe me Ligjin e Shpronësimit. “Qytetarët e pakënaqur me vlerësimin e pronave të shpronësuar kushtëzohen me pesë kopje të ankesave që i dërgojnë në MMPH përveç padisë që duhet ta bëjnë në Gjykatë”, tha ai. Sipas Jasharit, Institucioni i Avokatit të Popullit së shpejti do të del me një rekomandim sa i përket ankesës së Lëvizjes FOL, ngase mendojmë se shpenzimet e parasë publike duhet të jenë publike për qytetarët.

Ndërkaq z.Kushtrim Musatafa nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se pas marrjes së kërkesave nga Ministria e Financave dhe Avokati i Popullit, janë shqyrtuar të dyja dhe se Agjencia javën që vjen do të dal me vendim përfundimtar sa i përket çështjes së publikimit të vlerave të parcelave të shpronësimit. “Siç e dimë, Lëvizja FOL ka kërkuar vetëm numrin e parcelës dhe çmimin e vlerësuar. Në anën tjetër e kemi vendimin përfundimtar të Qeverisë të publikuar në gazetën zyrtare ku janë edhe emrat e përfitueseve dhe numrat e parcelave, andaj nuk kemi vërejt që një gjë e tillë cenon të dhënat personale”, tha Mustafa.

Besim Kelmendi, Prokuror tha se nuk mund të flas rreth hetimeve, për shkak se mund të pengohen fazat e grumbullimit të informatave dhe hetimeve. “Ju inkurajoj që të vazhdoni këtë punë në kërkim të llogaridhënies së institucioneve. Ky raport do përcillet tek prokurori. Mos transparenca shkel barazimin e çdo qytetari, kjo do të ishte keq nëse qytetarët nuk paguhen njëjësoj  sa i përket shpronësimit të pronës së tyre”, tha ai.

 

Ky projekt u financua nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur-KFOS.

Punëtoria “Diskutimi i Komentarit të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë”

Prishtinë, 17 janar 2019 – Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Qendra për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar në kuadër të projektit “Promovimi i integritetit në sektorin e drejtësisë në Kosovë”, kanë mbajtur puntorinë me prokurorë rreth Komentarit të Kodit të Etikës. Kodi i Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë u aprovua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky projekt u realizuar me mbështetje të Ambasadës së Mbretërisë Holandeze në Prishtinë.

Lëvizjen FOL e vizituan rreth 20 studentë nga vende të ndryshme të botës

Prishtinë, 16 janar 2018 – Lëvizjen FOL e vizituan sot rreth 20 studentë nga vende të ndryshme të botës të cilët janë duke kryer studimet e Magjistraturës në programin evropian për të drejtat e njeriut dhe demokraci – në Venedik dhe Vjenë.
Elbasan Racaj Koordinator i Projekteve në Lëvizjen FOL, prezantoi para studentëve punën e FOL-it gjatë këtyre 10 viteve si dhe foli për situatën politike në vend.
Gjatë këtij takimi studentët u njohën më afër me hapësirat dhe me punën që ka bërë dhe po bën aktualisht FOL-i.

Vasfije Krasniqi Goodman fituese e çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2018

Prishtinë, 17 Dhjetor 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2018, i cili në këtë vit iu nda znj. Vasfije Krasniqi Goodman.
znj.Krasniqi – Goodman përfaqëson shembullin më të mirë të gruaje guximtare. Znj. Krasniqi Goodman ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë e cila rrëfeu para publikut Kosovarë dhe më gjerë tmerret dhe torturat e përjetuara gjatë luftës por edhe procesin tutje nëpër Gjykatat e Kosovës.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se ky është një çmim që ne si FOL e ndajmë me shumë privilegj dhe kënaqësi. “Këtë vit çmimin për guxim e ndajmë për një grua cila me guximin e saj u bë edhe model guximi për të gjithë qytetarët të cilët nga frika e kërcënimeve dhe paragjykimeve në vendin tonë, vendosi që 20 vjet pas luftës ti jep fund heshtjes së saj dhe të bëhet zëri i të gjitha rasteve viktima të dhunës seksuale në Kosovë, e ajo është Vasfije Krasniqi-Goodman” tha ajo, duke shtuar se është koha shteti i Kosovës, duhet të punoj më shumë me këtë kategori të shoqërisë dhe të lë anash burokracitë rreth realizimit të së drejtës së tyre sipas ligjit dhe të mos mbetët vetëm në vullnetin e njerëzve.

Ndërkaq, Leonora Kryeziu anëtare Bordit këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha  se “ Znj. Krasniqi-Goodman është gruaja e parë shqiptare në Kosovë që ka dalë hapur për të folur mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga paraushtarakët serbë gjatë luftës në Kosovë”. Andaj, me plot meritë dhe kënaqësi FOL i ndan Çmimin në shenjë mirënjohje dhe guximi për të ndarë një histori kaq të dhimbshme për të.

znj. Vasfije Krasniqi-Goodman falënderoi Lëvizjen FOL për çmimin dhe inkurajoj të gjitha ato që patën fatin e njëjtë si ajo që të flasin hapur, “Faleminderit  në  emër  të  të  gjithëve. Me  këto  dekorata  ndihem  e  obliguar  t’iu  ndihmoj  të  gjitha  viktimave  të  flasin  për  çfarë  ju  ka  ndodhur”, tha Krasniqi-Goodman.

Ndërkaq z. Nafi Krasniqi, vëllau i znj. Krasniqi-Goodman falënderoi Lëvizjen FOL për mirënjohjen e dhënë. “Faleminderit të gjithëve, shfrytëzoj rastin me i përshëndet të gjitha ato qe patën fatin e njëjtë sikurse Vajsfija dhe s’kanë pas guxim te dalin publikisht duke ju bërë thirrje familjeve që ti mbështesin dhe të bëhen zëri i tyre, ngase shumë nga to për shkak të mos kurajës dhe mos mbështetjes së familjes tashmë edhe nuk gjenden në mesin tonë”.

Hupja fijen Korrupsionit!

Prishtinë, 09 dhjetor 2018 – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID-it Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsion ka paraqitur performancën artistike CorruptiON/OFF, përmes së cilës është shfaqur pikëpamja e jonë lidhur me nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL, tha se në vitin 2018 në Kosovë kanë ndodhur përmirësime, veçanërisht në fushën e prokurimit publik me rastin e hapjes së kontratave publike. Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë, sidomos në fushën e llogaridhënies.

“Përmes kësaj performance FOL ka paraqitur dy botë kundërthënëse të cilat janë duke u shfaqur në Kosovë. Në një anë ne pamë botën e qytetarëve të thjeshtë, kurse në anën tjetër pamë botën e politikanëve në Kosovë. Paralelisht me skeçin, dhe përmes grafiteve, ne paraqitëm Kosovën aktuale dhe Kosovën të cilën duam ta kemi”, tha Demolli-Nimani.

Ajo tha se korrupsioni tashmë nuk është çështje perceptimi por është shndërruar në një realitet politik në të gjitha institucionet publike.

“Me mijëra raste korrupsioni janë duke u mbajtur nga prokuroritë dhe gjykatat, kurse proceset janë duke u zvarritur me vite të tëra”.

Sipas saj, Qeveria në asnjë rast nuk duhet të tolerojë ministra apo anëtarë të Kuvendit, të cilët një pjesë të kohës e kalojnë në gjykata duke u përballur me akuza për korrupsion, kurse pjesën tjetër të kohës duke marrë vendime në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre si ministra apo anëtarë të Kuvendit.

“Mobilizimi i shoqërisë në luftën kundër korrupsionit nuk është më çështje pritjesh por një nevojë urgjente. Nuk jemi më në nivelin e vetëdijesimit, por në nivel ku duhet të ndërmarrim veprime konkrete drejt forcimit të ligjit dhe denoncimit të korrupsionit. Nuk duhet të presim nga politika të rregullojë këtë fushë, por secili nga ne duhet të jetë i përgjegjshëm duke filluar të bëjë ndryshimin nga vetja e tyre”, tha ajo.

Ndërkaq, Stephen Carpenter, drejtor i programit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në USAID, tha se qytetarët dhe shoqëria civile duhet të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.

“Hapja e kontratave është një moment i mirë në rrugën drejtë transparencës dhe llogaridhënies. Me këtë rast qytetarët thirren që të shohin dhe të vlerësojnë kontratat e nënshkruara nga shteti dhe operatorët ekonomik. Të shfrytëzojnë këtë moment në ndihmë për luftën kundër korrupsionit dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet e vendit”, tha Carpenter.

Ndryshimi po ndodh: bëhu pjesë e transformimit dhe bashkohu me luftën kundër korrupsion. #meLetraQelë.

#meLetraQelë 
#CorruptiON/OFF
#FOLagainstcorruption

 

Zbatimi i Ligjit, lufton korrupsionin

Prishtinë 07 dhjetor 2018 – Lëvizja FOL dhe Democracy Plus në kuadër të Javës Kundër Korrupsion kanë organizuar  diskutimin e radhës me studentë rreth pranisë së korrupsionit në Kosovë dhe luftimit të tij.
Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për Legjislacion, kishte biseduar me studentët rreth Ligjeve  në Kosovë dhe sa do të ndikonte zbatimi i tyre në luftimin e korrupsionit.
Diskutimi është mbajtur, në Qendrën për Edukim Antikorrupsion tek Lëvizja FOL.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

Auditimi i Korrupsionit

Prishtinë 26 nëntor 2018 – Lëvizja FOL dhe Democracy Plus sot kanë mbajtur debatin e radhës në kuadër të sezonit vjeshtor të diskutimeve me studentë rreth pranisë së korrupsionit në Kosovë dhe luftimit të tij.

Sot në FOL Driton Selmanaj- Kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, diskutoi me studentë rreth temës së “Auditimit të Korrupsionit”, në Qendrën për Edukim Antikorrupsion.

Përmes këtyre diskutimeve për korrupsion synojmë të arrijmë rritjen e angazhimit të rinjve në luftimin e korrupsionit.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

Mostransparenca rrit dyshimet për keqpërdorime në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Prishtinë 15 nëntor 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë diskutimi me ç ‘rast ka publikuar të dhënat e monitorimit të procesit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.
Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL theksoi se duke pasur parasysh problemet që kanë përcjellë këtë proces kanë bërë që FOL të monitoroj këtë proces nga fillimi, duke filluar nga procesi i planifikimit e deri tek procesi i shpronësimi Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë. “FOL e ka parë si të domosdoshme që të bëhet një monitorim i tillë me qëllim që të hedhë dritë mbi shpenzimin e 88 milionë eurove të buxhetit të Kosovës, duke ndikuar kështu edhe në hapjen e të dhënave dhe ngritjen e llogaridhënies së institucioneve”.

Elbasan Racaj – koordinator i projekteve në FOL tha se FOL përmes kërkesës për qasje në dokumente publike kishte kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës qasje në këtë kontratë në vitin 2017, mirëpo në atë kohë kjo kërkesë ishte refuzuar me arsyetimin se lënda gjendet ende në Organin Shqyrtues të Prokurimit. “Kërkesa e njëjtë e bërë në korrik të vitit 2018 ka hasur në përgjigje të pjesshme vetëm pas paraqitjes nga ana e FOL të ankesën pranë Avokatit të Popullit. Me arsyetimin e mungesës së dokumenteve, Ministria e Infrastrukturës nuk ka ofruar planin e prokurimit në mënyrë që të shihet nëse ndërtimi i kësaj autostrade ka qenë i planifikuar. Gjithashtu, në listën e dokumenteve që Ministria nuk na ka lejuar qasje është edhe plani i menaxhimit të kontratës, pa të cilën mund të monitorohen punimet në terren”, tha z.Racaj.

Sipas tij, ofrimi i pjesshëm i dokumenteve të kërkuara nga Ministria e Infrastrukturës në kuadër të ndërtimit të autostradës, shton dyshimet për keqpërdorime të mundshme gjatë realizimit të kësaj kontrate, sidomos mos qasja në Planin e Menaxhimit të Kontratës. “Përderisa kontratat janë nënshkruar gjatë muajt shkurt, dhe në kontratë parashihet se punimet duhet të fillojnë 5 ditë pas nënshkrimit të kësaj kontrate një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ngase punime kanë filluar gjatë muajit Maj. Gjithashtu, ka dyshime edhe rreth kohëzgjatjes së punimeve nëse janë 30 muaj në total siç shkruan në kontratë apo janë 30 muaj ditë pune, siç thonë kompanitë e kontraktuara”, tha Racaj.

Ndërkaq sa i përket procesit të shpronësimit, z. Racaj tha se vonesat në vendimet e Qeverisë së Kosovës për Shpronësim, ka bërë që të rritet numri i shitblerjeve të këtyre parcelave nëpër të cilat kalon autostrada.

Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Gjilanit z. Sadudin Berisha, theksoi se është e rëndësishme që në zonën ku shtrihet auto-udha në komunën e Gjilanit kryesisht kanë qenë zona të boshatisura dhe si proces për shpronësim ka qenë më lehtë të bëhet shpronësimi i pronave. “Deri tani procesi ka qenë në rregull kemi pas kryesisht kërkesa për rregullim të pronësisë, që kanë të bëjnë me trashëgimi. Deri në kohën kur ka ardh vendimi përfundimtar ne kemi bërë punën tonë dhe ndryshimet e pronareve për prona janë kryer në bazë të kërkesave të banorëve”, tha Berisha.

Ndërkaq, Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Lipjanit Z. Tasholli, theksoi se këtë komunë e kanë përcjellë shumë probleme gjatë procesit të shpronësimit. “Më vjen keq që nuk janë prezent përfaqësuesit e ministrive përkatëse, pasi që sot kishin mujt me na ndihmu që në komunat tona me kry punën më lehtë, sepse pavarësisht se bartëse e projektit është Ministria, puna e pronave bie mbi komunat”.

Ai theksoi se komuna e Lipjanit përballet ende me problemet nga autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, dhe poashtu edhe duke qenë se edhe pjesa nga kalon autostrada Prishtinë-Gjilan _ Dheu i Bardhë është tokë bujqësore sërish pritet t’iu shkaktohen pakënaqësi te bujqit”, tha Tasholli. Ai tha se ende zyrtarisht nuk ka pranuar trasenë e autostradës nga do të kaloj kjo autostradë, dhe se kanë vërejtur që ka pas parregullsi gjatë shpronësimit e tokave.

Gjatë këtij takimi të pranishëm ishin dhe përfaqësues të kompanive të cilët theksuan se vonesat e procesit të  shpronësimit ka ndikuar në punën e tyre.

  1. Sadik Sadiku, përfaqësues i kompanisë për Lot 6 – Kag Asphalt Company & Beni Com sh.p.k tha se procesi i shpronësimit po ndikon në punën tyre dhe në një mënyrë po varen nga ky proces.
  2. Arsim Ramaj, përfaqësues nga kompania GJOKA KONSTRUKSION– tha se punimet janë duke vazhduar dhe duke qenë se gjysma e territorit është tokë shtetërore dhe gjysma është private kanë pasur më të lehtë realizimin e punimeve.

FOL do të vazhdoj me monitorimin e procesit të shpronësimit dhe do të dal me të gjeturat nga vizitat në teren dhe takimet të cilat do të zhvillohen me akter kyç.

 

 

 

 

Historia e korrupsionit

Prishtinë 14 nëntor 2018 – Lëvizja FOL dhe Democracy Plus sot kanë filluar sezonin vjeshtor të diskutimeve me studentë rreth pranisë së korrupsionit në Kosovë dhe luftimit të tij. Këto diskutime do të zhvillohen me deputetë, profesorë, gazetarë si dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Këtë seri të diskutimeve e kemi filluar sot, i ftuar i parë ishte Erblin Hoxha Menaxher i Programeve në Center of Enterpreneurship and Executive Development.
Ku është biseduar me studentët për temën “Historia e korrupsionit”, në Qendrën për Edukim Antikorrupsion tek Lëvizja FOL.
Përmes këtyre diskutimeve për korrupsion synojmë të arrijmë rritjen e angazhimit të të rinjve në luftimin e korrupsionit.

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.

FOL Hapur ”Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” – Prishtinë

Prishtinë 24 shtator 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur debatin e fundit “FOL Hapur” në Prishtinë ku ka bërë prezantim dhe diskutim rreth përdorimit të ”Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent” i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike. FOL ka mbajtur takime të tilla dhe në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan dhe Vushtrri. Portali: https://prokurimihapur.org/.

Mbështetur nga USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

FOL Hapur ”Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” – Vushtrri

Vushtrri 20 shtator 2018 – Lëvizja FOL po vazhdon me mbajtjen e debatit ”FOL Hapur” në komuna, qëllimi i këtij mbajtjes së këtyre prezantimeve është përdorimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike; https://www.prokurimihapur.org/.

Takime të tilla janë mbajtur në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan ndërkaq ditët në vijim FOL do të mbaj takim për prezantim të portalit në Prishtinë.

Mbështetur nga USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

FOL Hapur ”Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” – Gjilan

Gjilan 18 shtator 2018 – Lëvizja FOL sot ka mbajtur  ”FOL Hapur” në komunën e Gjilanit, qëllimi i këtij diskutimi ishte prezantimi dhe përdorimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike.

Takime të tilla janë mbajtur në Gjakovë dhe Ferizaj ndërkaq ditët në vijim FOL do të mbaj diskutimet e radhës në Vushtrri dhe Prishtinë.

Mbështetur nga USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

FOL Hapur ”Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” – Ferizaj

Ferizaj 13 shtator 2018 – Lëvizja FOL sot ka mbajtur  ”FOL Hapur” në komunën e Ferizajt, qëllimi i këtij diskutimi ishte prezantimi dhe përdorimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike.

Takime të tilla janë mbajtur në Gjakovë, ndërkaq ditët në vijim FOL do të mbaj takime dhe në Gjilan, Vushtrri dhe Prishtinë.

Mbështetur nga USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

FOL Hapur ”Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” – Gjakovë

Gjakovë 11 shtator 2018 – Lëvizja FOL ka filluar me  ”FOL Hapur” në komuna, qëllimi i këtij diskutimi është prezantimi dhe përdorimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent i cili synon që të rris transparencën në shpenzimin e parasë publike.

Takimi i parë po mbahet sot në Gjakovë, ndërkaq ditët në vijim FOL do të mbaj takime dhe në Ferizaj dhe Gjilan, Vushtrri dhe Prishtinë.

Mbështetur nga USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse.

Lëvizja FOL mban punëtorinë dy ditore “Promovimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent”

Suharekë 29-30 gusht 2018 – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive, dhe Llogaridhënëse, po mban punëtorinë dy ditore “Promovimi i Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent”, qëllimi i kësaj punëtorie është prezantimi dhe përdorimi i portalit Prokurimi i Hapur. Për më shumë klikoni në linkun; ttps://www.prokurimihapur.org.
Në këtë punëtori po marrin pjesë perfaqësues nga mediat dhe Organizatat Jo Qeveritare.

 

Reagim: Organizatat e shoqërisë civile në përkrahje të protestës për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi

Prishtinë, 29 gusht 2018 – Pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ne si organizata të shoqërisë civile përkrahim plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi. Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit.

Ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë. Në anën tjetër përbëjnë fakte të mjaftueshme që ne si shoqëri civile dhe qytetarë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm një sistem i drejtësisë i pavarur, me integritet dhe imun ndaj interferimeve të politikës do të mund të garantojë sundimin e ligjit, që është parakusht për funksionimin e shtetit demokratik.

Dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetarë në drejtësinë e pavarur, prandaj ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë sot për të garantuar një drejtësi të pavarur nesër!

Organizata e Shoqërisë Civile:

Demokraci Plus – D+
Grupi për Studime Juridike dhe Politike-GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti D4D
Instituti Demokratik i Kosovës – KDI
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti INDEP
Instituti KIPRED
Lëvizja FOL
Organizata Çohu!
Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim-ATRC
Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional- CLARD

Kabineti qeveritar me mbi 100 ministra dhe zëvendës të tyre, ka realizuar 57% të planit të punës në gjashtë mujorin e 2018

Prishtinë, 29 korrik 2018 –Lëvizja FOL sot ka publikuar të dhënat statistikore të monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-qershor të vitit 2018.

Të gjeturat nga monitorimi i 22 institucioneve tregojnë se nga 225 aktivitete sa kanë qenë të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-qershor 2018, vetëm 130 apo shprehur në përqindje 57% janë realizuar, ndërkaq 95 aktivitete apo 41% kanë mbetur të papërfunduara në afatin e përcaktuar kohor. Ndërkaq, për katër aktivitete të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk kemi marrë përgjigje.

Ministritë të cilat i kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës se Qeverisë janë: Ministria e Financave, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, ndërkaq ministritë të cilat nuk kanë realizuar asnjë aktivitet janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Më poshtë mund të shihni se sa janë realizuar aktivitetet nga secila ministri dhe Zyra e Kryeministrit. Ndërkaq për të parë më shumë se cilat janë aktivitetet e ministrive të realizuara dhe jo të realizuara në formë të grafikoneve klikoni këtu.

Zyra e Kryeministrit– për periudhën e parë gjashtë mujore kishte paraparë të realizoj 17 aktivitete në kuadër të planit Vjetor, nga të cilat 10 janë realizuar, ndërkaq 7 kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Integrimit Evropian – për periudhën e parë gjashtë mujore ka paraparë 10 aktivitete 7 nga to kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Drejtësisë – nga 19 aktivitete të parapara për periudhën e parë gjashtë mujore ka realizuar vetëm 4 prej tyre.

Ministria e Financave – për periudhën e parë gjashtë mujore ka paraparë 4 aktivitete të cilat janë realizuar në afatin e paraparë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik – nga 6 aktivitete të parapara vetëm një ka mbetur pa realizuar për gjashtë mujorin e parë 2018.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës – ka realizuar 3 aktivitetet e parapara në planin njëvjeçar.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – në periudhën e parë gjashtë mujore kishte planifikuar 20 aktivitete dhe kanë mbetur të parealizuara 12 nga to.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – në planin e punës kishte paraparë të realizoj 24 aktivitete nga të cilat i ka mbetur vetëm 1 e parealizuar.

Ministria e Punëve të Brendshme – në periudhën e parë gjashtë mujore ka planifikuar 14 aktivitete ka përfunduar 9, ndërkaq kanë mbetur të pa përfunduara 5 nga to.

Ministria e Punëve të Jashtme – në gjashtë mujorin e parë ka planifikuar 2 aktivitete, të cilat kanë mbetur të parealizuara në afatin e paraparë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – ministria në fjalë të gjitha aktivitetet e parapara në planin Vjetor të punës së qeverisë për vitin 2018 ka planifikuar ti realizoj në dhjetor 2018.

Ministria për Komunitete dhe Kthim – ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Shëndetësisë – në kuadër të planit të punës ka realizuar 3 aktivitete, nga 15 sa ishin të parapara.

Ministria e Administratës Publike – ka planifikuar 16 aktivitete, vetëm 3 nga to kanë mbetur të parealizuara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – ka realizuar 7 aktivitete nga 11 sa kishte planifikuar.

Ministria e Infrastrukturës – ka planifikuar 5 aktivitete në planin e punës të cilat kanë mbetur të papërfunduara sipas afatit të përcaktuar.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural –nga 11 aktivitete të planifikuara kanë mbetur të parealizuara 7 nga to.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – kishte paraparë 15, nga të cilat 9 kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike – ka përfunduar 12 aktivitete nga 15 sa kishte paraparë në planin Vjetor të punës.

Ministria e Zhvillimit Rajonal– ka realizuar 7 aktivitete nga 8 të parapara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – s’ka paraparë asnjë aktivitet për periudhën e janar-qershor 2018.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – nuk janë përgjigjur në kërkesën e dërguar nga Lëvizja FOL.

Disa nga ministritë kanë dhënë sqarime shtesë për të gjitha aktivitetet që nuk kanë arritur të përfundojnë sipas afatit të paraparë në planin vjetor të punës.

Realizimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-qershor 2018

DEKLARATË E PËRBASHKËT E SHOQËRISË CIVILE PËR ADRESIMIN E MANGËSIVE NË LEGJISLACIONIN ZGJEDHOR

Janë bërë shtatë vite prej kur ka filluar reforma zgjedhore dhe asnjëherë nuk ka përfunduar dhe nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në këtë drejtim.

Me qëllim të ngritjes së përfaqësimit qytetarë dhe rritjes së cilësisë së të zgjedhurve, me qëllim të konstituimit dhe konsolidimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të institucioneve, në mënyrë që të sigurohet më shumë funksionalitet i sistemit politik, transparencë dhe llogaridhënie të subjekteve politike dhe administrim më të lehtë të procesit zgjedhor, organizatat e shoqërisë civile ftojnë subjektet politike dhe Kuvendin e Kosovës që të:

Vendosin me prioritet në agjendë çështjen e reformës zgjedhore që adreson problematikat e vërejtura në proceset e kaluara zgjedhore dhe të bazojnë punën në analiza dhe hulumtime.

Sigurojnë që legjislacioni zgjedhor është reflektim i të gjitha grupeve të interesit, duke garantuar gjithpërfshirje dhe respektim të vullnetit të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore apo etnike.

Marrin parasysh rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga misionet e vëzhgueseve të zgjedhjeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile shprehin gatishmërinë për të kontribuar në procesin e adresimit të mangësive të legjislacionit zgjedhor me ekspertizën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në të ardhmen.

Organizatat nënshkruese:

Demokraci Plus (D+)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Lëvizja FOL
Organizata “Mundësia”
Organizata per Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (ÇOHU!)
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)
Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT)
Qendra për Politika dhe Avokim (QPA)
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN)
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)
Shoqata “Nëna Terezë” (MTS)
Syri i Vizionit

Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID lansuan Portalin për Prokurim të Hapur dhe Transparent

Prishtinë, 5 korrik 2018 – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse ka bërë sot lansimin e “Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent”.

Mexhide Demolli – Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se ky portal është një ndër aktivitetet më të rëndësishme që FOL ka bërë gjatë punës disa vjeçare në monitorimin e prokurimit publik. “Është kënaqësi për ne si FOL, që sot të prezantojmë këtë portal i cili objektiv kryesor ka ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies sa i përket shpenzimit të parasë publike nga institucionet e Kosovës. Ky portal nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e USAID përmes Aktivitetit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM)”, tha Demolli-Nimani, duke falënderuar edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për të bashkëpunimin, pa të cilin ky portal nuk do të ishte i plotë.

Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Coline Hyland, tha se ky portal mundëson krijimi i një ambienti për bizneset dhe reduktimi i rrezikut nga korrupsioni në sferën publike nuk është një punë e lëhtë, por është urgentisht e nevojshme. “Për ta reduktuar korrupsionin në sfrerën publike, është i nevojshëm dhe esncial një bashkëpunim i vazhdueshëm në mes institcioneve qeveritare dhe shoqërisë civile. Për këtë dua ta felnderoj z. Safet Hoxha dhe KRPP-në që shërben si një shembull i mirë se si duket ky bashkëpunim. Kjo vlenë edhe për partnerët tjerë sic është Lëvizja FOL, që ka mbledhur të dhëna të marrura nga KRPP që t’i kalkuloj në të mirë të transparencës”, tha zëvendësambasadorja Hyland.

Ndërsa Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Safet Hoxha tha mediat dhe shoqëria civile janw partnerët strategjik që mund ta adresojnë luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik në Kosovë. “Së bashku jemi duke arrit në mënyrë dinamike ta luftojmë korrupsionin. Në këtë betejë tonën gjithsesi është e kruciale asistenca e donatorëve, të cilët sot po e ndajnë me ne punën dhe rezultatin e angazhimit dhe të investimit të tyre”, tha ai. Hoxha tha se bizneset duhet të trajtohen si partner të shtetit të Kosovës, prandaj ndihma në biznes është ndihmë për shtetin tonë dhe ngritje e kapatciteteve të shtetit tonë. “Në këtë plan nuk ka punë më të ndershmë se sa afirmimi i transparences dhe rritja e llogaridhënies në prokurim publik. Prandaj lansimi i Portlait Prokurim i Hapur është një e arritur e re, është një demonstrim i fuqishëm i këtij partneriteti që ne po e ndërtojmë me donatorë dhe me shoqëri civile, që do t’i shërbejë jo vetëm OJQ-ve, por edhe mediave dhe qytetarëve të Kosovës për të parë se cilat janë zhvillimet në këtë fushë”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, i cili prezantoi portalin tha se të dhënat në këtë portal grumbullohen në mënyrë automatike nga platforma elektronike e prokurimit dhe paraqiten në një mënyrë miqësore për përdoruesin, duke u mundësuar hulumtuesve, bizneseve dhe hetuesve që t’i eksplorojnë lidhjet interaktive midis rrjedhjes së parasë, akterëve publik dhe atyre privat. “Portali i transparencës në prokurim publik në Kosovë ka potencial transformues në promovim të llogaridhënies dhe luftimit të korrupsionit. Portali lehtëson aktivitetet monitoruese nga organizatat e shoqërisë civile (OSHC), gazetarët hulumtues, sektori privat dhe publiku i gjerë”. Qasja në informacion i ndihmon publikut që ta përcjellë se ku shpenzohen paratë, duke i bërë institucionet publike të Kosovës më transparente dhe llogaridhënëse. Gjithashtu, në mesin e komunitetit të biznesit, Portali i Transparencës do ta mënjanojë asimetrinë në informim dhe kështu do ta rrisë konkurrencën e shëndetshme. Koncepti i Portalit për Prokurim të Hapur dhe Transparent të Kosovës u frymëzua nga një model i zhvilluar nga ‘Transparency International’ në Sllovaki.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin akterët kyç nga Qeveria e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile.

Portali për Prokurim të Hapur dhe Transparent është zhvilluar nga Lëvizja FOL përmes marrëveshjes për grant të dhënë nga  USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM).