Ftojmë Kuvendin e Kosovës të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 11 korrik 2019 – Sot Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës ka rekomanduar kandidatët Krenare Sogojeva Dërmaku, Agron Behrami dhe Enver Bujari për Komisioner për Informim dhe Privatësi. Komisioner do të bëhet kandidati që arrin të marrë 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

 

Sipas monitorimit tonë, për dallim nga procesi i kaluar në të cilin asnjë kandidat nuk i ka plotësuar kushtet që të rekomandohet për votim nga Kuvendi, kësaj radhe ka pasur të tillë. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin parasysh vlerësimet e Komisionit dhe projektit të Ambasadës Britanike dhe votën e tyre ta bazojnë në këtë vlerësim profesional, e jo në preferencat e tyre politike e partiake.

Pozita e Komisionerit për Informim dhe Privatësi është shumë më e rëndësishme për qytetarët dhe institucionet e vendit sesa preferencat ditore politike.

 

Ne falënderojmë deputetët që ishin pjesë përbërëse e Panelit Përzgjedhës për kontributin e jashtëzakonshëm në këtë proces. Ata gjithashtu kanë trajtuar me shumë kujdes sugjerimet tona dhe kanë marrë seriozisht hulumtimin tonë për kandidatët. Ndihmë të jashtëzakonshme ka dhënë edhe Ambasada Britanike që ka fasilituar ketë proces.

 

Duke ditur që me përzgjedhjen e Komisionerit do të fillon edhe zbatimi i dy ligjeve shumë me rëndësi siç janë Ligji për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ftojmë Kuvendin e Kosovës që pa humbur kohë të procedojë me përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Lëvizja FOL

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti GAP

Instituti D4D

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Çohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Flutura Kusari

Portali ‘Prokurimi i Hapur dhe Transparent’ ndikoi në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike

Prishtinë 10 korrik – Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, sot ka mbajtur diskutim rreth ndikimit të “Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent” në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike.

Mexhide Demolli- Nimani, Drejtore Ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se, “Portali i prokurimit të hapur është dizajnuar në atë mënyrë që të jetë burim informimi për gazetarë hulumtues, organizata të shoqërisë civile si dhe qytetarët të cilët dëshirojnë të hulumtojnë parregullsitë e kontratave që nënshkruhen me institucione, gjë e cila edhe po ndodh tash një vit”. “Portali i prokurimit të hapur kur u lansua tash një vit, kishte 7014 kontrata ndërkaq tani në portal mund të gjejmë të dhëna për 12 282 kontrata të nënshkruara nga të gjitha autoritetet kontraktuese”, tha Demolli-Nimani.

Christina Davis, drejtoreshë e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID Kosova, tha se ky portal ofron qasje me lehtësi në dokumente të prokurimit publik. “Ky portal ju jep mundësinë që të keni qasje në informata qofshin ato të qeverisë, qoftë të institucioneve të tjera. Është e lehtë dhe praktike edhe për gazetarët që i kemi këtu që të shohin edhe për kontratat e bizneseve. Falë këtij bashkëpunimi mes institucioneve siç është KRPP dhe këtij portali ,Kosova sot është liderë në rajon se i përket transparencës në prokurim dhe për këtë të gjithë duhet të jenë krenar”, tha Davis, duke shtuar se qytetarët, mediat dhe OJQ duhet të kërkojnë më shumë llogaridhënie nga institucionet e vendit.

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Sami Uka, tha se ata në fillim e kishin marrë me skepticizëm dhe nuk kishin besuar në suksesin e këtij portali, pasi që sipas tij, ka qenë një fazë kritike e implementimit të platformës. “Do të jem shumë i hapur, të them që në kohën kur është biseduar për këtë portal, ne kemi qenë shumë skeptikë dhe nuk kemi besuar aspak që kjo do të realizohet. Çështja e portalit ishte në momentin kritik, sepse kishte nevojë të ruhej stabiliteti i platformës E-Prokurimi edhe ashtu i brishtë në ato faza dhe gjithashtu kishte nevojë për shumë reforma legjislative të cilat nganjëherë nuk ishin të lehta”, shtoi Uka.

Besnik Krasniqi, gazetar i gazetës “Koha Ditore”, portalin Prokurimi i hapur e cilësoi si një “revolucion” sepse është shumë i qasshëm për gazetarët, dhe iu jep atyre indikacione për aspektet të cilat lidhen me korrupsionin. “Portali i prokurimit mund të iu ndihmojë shumë gazetarëve në pikën ku lidhet me kohën. Ai është në gjendje me të dhënë një ‘fotografi’ për secilin operator ekonomik, sa kontrata i fiton, prej cilave autoritete kontraktuese, prej cilave institucione”, tha Krasniqi.

Elbasan Racaj nga FOL prezantoj modulet e reja të Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent me të cilat është pasuruar ky portal gjatë këtij viti. “Në portal tash ekziston edhe data e fillimit të realizimit të kontratës dhe data e përfundimit, kërkimi në bazë të emrit të pronarit të një biznesi, moduli i abonimit i cili do të iu ofroj gazetarëve dhe hulumtueseve që të njoftohen për të gjitha kontratat e nënshkruara nga një autoritet kontraktues apo edhe për një industri të caktuar.

Hamdi Hoxha nga Administrata Tatimore e Kosovës tha se ky portal mund ti shërbej shumë edhe ATK-së. “Nga ajo që po shoh në këtë portal, ky mund të jetë një burim shumë i mirë informimi edhe për ATK-së në mënyrë që të përcjell bizneset që marrin tenderë dhe të bëj krahasime nëse po kryhen të gjitha detyrimet ndaj ATK-së.

Mbi 10 Mijë Aktgjykime të Publikuara nga Gjykatat e Kosovës

Publikimi i aktgjykimeve në faqet e internetit të gjykatave është një hap përpara drejt qasjes në informata, rritjes së vetëdijes dhe besimit të publikut në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova janë duke e monitoruar këtë proces për të parë përputhshmërinë e tyre me Ligjin mbi Gjykatat.

Me ndryshim-plotësimin e Ligjit mbi Gjykata, të vitit 2016, të gjitha Gjykatat u obliguan t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë. Publikimi në këtë formë do të vazhdoj deri atëherë kur KGJK e plotëson-ndryshon Udhëzimin Administrativ për Publikimin e Aktgjykimeve në pajtim me Ligjin e ri për Gjykata (2018), përmes të cilit obligohet gjyqësori t’i publikojë të gjitha aktgjykimet.

Për të parë se si gjykatat janë duke e zbatuar këtë ligj, BIRN dhe FOL kanë filluar procesin e monitorimit të publikimit të aktgjykimeve që nga 1 Janari i vitit 2016, deri më 31 maj 2019.

Qëllimi primar i monitorimit është informimi i qytetarëve lidhur me progresin dhe të arriturat në këtë drejtim.

Deri më 31 maj, 2019, gjykatat kanë publikuar gjithsej 10 mijë e 822 aktgjykime. Vlen të theksohet se përderisa në vitin 2016 numri i aktgjykimeve të publikuara ishte 632, në vitin 2018 ky numër shënoi një rritje të dukshme dhe gjykatat publikuan 5,418.00 aktgjykime.

Nga të dhënat më lartë, vërejmë se që nga viti 2016 e deri më tani kemi një trend në rritje dhe gatishmëri më të madhe të gjykatave në publikimin e aktgjykimeve. Për më tepër, gjatë krahasimit të të dhënave të publikuara mes departamenteve, vërehet se departamentet penale të të gjitha gjykatave janë duke publikuar më shumë aktgjykime në krahasim me departamentet civile, administrative dhe ekonomike.

Të gjitha aktgjykimet e lartpërmendura janë të publikuara në ueb portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (www.gjyqesori-rks.org). Këto të dhëna mund të shërbejnë për hulumtime dhe analiza më të thella për studentët dhe hulumtues të fushës së drejtësisë, dhe më gjerë.

USAID – Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), është duke e mbështetur organizatën BIRN dhe FOL që të bëjnë monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga të gjitha Gjykatat Themelore (përfshirë degët e tyre) të Kosovës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.

 

Grafikoni 1: Krahasimi i publikimeve të aktgjykimeve sipas Gjykatave Themelore

Të dhënat më lartë tregojnë se deri më 31 maj 2019, Gjykatat Themelore, duke i përfshirë degët e tyre, kanë publikuar gjithsej 8 mijë e 619 aktgjykime. Pasqyrimi i këtyre të dhënave na lejon të bëjmë krahasimin mes Gjykatave Themelore të Kosovës ku vërehet se ajo e Prishtinës prin për sa i përket publikimit të aktgjykimeve, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit dhe ajo e Ferizajt.

Në anën tjetër, Gjykata Themelore e Pejës ka publikuar më së paku aktgjykime.

 Grafikoni 2: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Prishtinës

Në nivelin e Gjykatave Themelore, Gjykata e Prishtinës është gjykata e parë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara. Kjo gjykatë ka publikuar gjithsej 1,559.00 aktgjykime penale, 275 aktgjykime civile, 133 aktgjykime administrative, si dhe 71 aktgjykime ekonomike. Ndërsa nga degët e kësaj gjykate, Dega e Lipjanit ka publikuar 49 aktgjykime, Dega e Podujevës 17, Dega e Gllogocit 7, ndërsa Gjykata e Graçanicës nuk e ka publikuar asnjë aktgjykim.

Grafikoni 3: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Prizrenit

Në nivelin e Gjykatave Themelore, Gjykata e Prizrenit është gjykata e dytë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë, meritor për publikimin e numrit të aktgjykimeve është Departamenti Penal. Ky departament ka publikuar 1,410.00 aktgjykime. Kurse, Dega e Dragashit ka publikuar gjithsej 3 aktgjykime për periudhën e lartëcekur, ndërsa Dega e Suharekës nuk e ka publikuar asnjë aktgjykim.

Grafikoni 4: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Ferizajt

Gjykata e Ferizajt është gjykata e tretë me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara në rangun e Gjykatave Themelore. Në këtë gjykatë, numrin më të madh të aktgjykimeve e ka publikuar Departamenti Penal me 1,094.00 aktgjykime nga gjithsej 1,559.00 në total. Prej dy degëve, Dega në Kaçanik prinë me 72 aktgjykime të publikuara, derisa Dega në Shtërpcë me 57.

Grafikoni 5: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Gjakovës

Gjykata e Gjakovës është gjykata e katërt me numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara në rangun e Gjykatave Themelore. Në këtë gjykatë meritor për numrin e madh të publikimit të aktgjykimeve është Departamenti Penal me 723 aktgjykime nga gjithsej 1,020.00 aktgjykime të publikuara në total. Vlen të theksohet se Dega në Rahovec ka publikuar 178 aktgjykime, kurse ajo e Malishevës 142. Për shkak të këtyre degëve, Gjykata Themelore e Gjakovës renditet e katërta për nga numri i publikimeve të aktgjykimeve.

Grafikoni 6: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Gjilanit

Gjykata e pestë në listën e gjykatave me numër të aktgjykimeve të publikuara është Gjykata e Gjilanit. Aty janë publikuar 951 aktgjykime ku më meritori është Departamenti Penal me 821 aktgjykime të publikuara. Nga degët e Gjykatës Themelores në Gjilan, Vitia ka publikuar 107 aktgjykime, Novobërda 43, ndërsa Kamenica 31. 

Grafikoni 7: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Mitrovicës

Gjykata e Mitrovicës renditet e gjashta për nga numri i aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë  Departamenti Penal kryeson me publikimin e aktgjykimeve ku nga 733 aktgjykimet e publikuara, 398 janë publikuar nga ky departament. Dega e Skenderajt prinë me 53 aktgjykime, Vushtrria 3, kurse degët e Leposaviqit dhe Zubin Potokut nuk kanë publikuar asnjë aktgjykim.

 Grafikoni 8: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Pejës

Gjykata e Pejës është gjykata me numrin më të vogël të aktgjykimeve të publikuara. Në këtë gjykatë ndër vite janë publikuar vetëm 408 aktgjykime prej të cilave shumica në Departamentin Penal. Ndërsa vlen të theksohet se degët nga Gjykata Themelore e Pejës (Klina, Istogu dhe Deçani) nuk kanë publikuar asnjë aktgjykim.

Vlen të përmendet që nuk kemi informata zyrtare se sa aktgjykime përfundimtare janë nxjerrë brenda viteve nga gjykatat, informatë e cila do të na jepte një pasqyrë të qartë të rezultatit të publikimit të aktgjykimeve, duke e krahasuar numrin e aktgjykimeve të publikuara me atë që do të duhej të publikohej.

Grafikoni 9: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit përgjatë viteve ka shënuar progres të vazhdueshëm në rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara. Prej 2016 deri me 31 maj 2019, kjo gjykatë ka publikuar gjithsej 1,580.00 aktgjykime, prej të cilave 921 janë publikuar nga Departamenti Penal. Divizioni i Apelit të Mitrovicës ka publikuar gjithsej 6 aktgjykime.

Grafikoni 10: Publikimi i aktgjykimeve nga Gjykata Supreme

Në Gjykatën Supreme nga 623 aktgjykimet e publikuara, Departamenti Civil prinë me numrin e  aktgjykimeve të publikuara. Të dhënat në grafikon tregojnë se në këtë departament ndër vite janë publikuar 303 aktgjykime. Kurse Dhoma e Posaçme ka publikuar 22 aktgjykime.


Sqarim: Gjatë monitorimit të numrit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në numër të përgjithshëm figurojnë 11,059.00 aktgjykime, apo 237 aktgjykime më shumë se në grafikonet e paraqitura më lartë me një total prej 10,822.00 aktgjykime të publikuara. Ky dallim në numra vërehet në veçanti në Gjykatën Supreme ku diferenca është në 190 aktgjykime, në Gjykatën Themelore të Prishtinës diferenca është për 20 aktgjykime, Gjykatën e Apelit për 15, Gjykatën Themelore të Ferizajt me 7, Gjykatën Themelore të Mitrovicës për 3, dhe ajo e Gjakovës dhe Prizrenit për nga një aktgjykim. Kjo mospërputhje e numrave në gjykatat e lartpërmendura rezulton kryesisht në vitin 2017.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Takim me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion z. Shaip Havolli

Prishtinë 2 korrik 2019 – Përfaqësues të Lëvizjes FOL u takuan me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion z. Shaip Havolli.

Në këtë takim u diskutua për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizueseve dhe rolin e Agjencisë në hartimin e akteve nënligjore të dala nga ky ligj.

Drejtorja e Lëvizjes FOL Mexhide Demolli – Nimani, njoftoi drejtorin Havolli për punën që FOL do të bëj gjatë muajve në vazhdim sa i përket monitorimit dhe promovimit të Ligjit për Mbrojtën e Sinjalizueseve.

Drejtori i AKK-së, z. Havolli  deklaroi se Agjencia është e gatshme të bashkëpunoj me FOL-in dhe tha se promovimi i këtij Ligji edhe nga shoqëria civile është i mirëseardhur.

FOL me mbështetjen e KFOS-it është duke realizuar projektin ‘Monitorimi dhe promovimi i Ligjit për Mbrojtën e Sinjalizuesve’ ligj ky i cili ka hy në fuqi në dhjetor të vitit 2018.

Letër Publike: Kandidatët Nga Procesi i Kaluar të Mos Zgjedhen Komisioner

Prishtinë, 01 korrik 2019

Letër Publike

Kandidatët Nga Procesi i Kaluar të Mos Zgjedhen Komisioner

Drejtuar: Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës

Të nderuar deputetë,

Si përfaqësues të shoqërisë civile, na lejoni të ju drejtohemi në lidhje me procesin e dytë për përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Ne jemi njoftuar që nga 20 kandidatët që kanë aplikuar, Kuvendi pritet të intervistojë nëntë prej tyre. Katër nga këta kandidatë – Bujar Sadiku, Jeton Arifaj, Muharrem Mustafa dhe Nexhat Jashari – kanë aplikuar pa sukses edhe në procesin e parë të përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Edhe pse jemi njoftuar që procesi konsiderohet që të ketë nisur prej fillimit, duke qenë kërkesat dhe kushtet e njëjta, besojmë që kandidatët e procesit të kaluar që kanë aplikuar përsëri do të duhej të vlerësoheshin njëjtë. Bazuar në përvojën e tyre profesionale dhe performacën e tyre gjatë intervistave të mbajtura në procesin e parë, asnjëri nuk arriti të plotësojë kriteret për t’u përzgjedh Komisioner. Ju rikujtojmë që të gjithë ne bashkërisht, Ambasada Britanike, Ju të nderuar anëtarë të Komisionit dhe ne si shoqëri civile patëm arritur në të njëjtin përfundim, pra që asnjëri nga ta nuk i plotëson kushtet për t’u bërë Komisioner. Nuk shohim asnjë bazë që vlerësimi të jetë ndryshe edhe kësaj radhe.

Në veçanti, kërkojmë nga ju që të merrni seriozisht shqetësimet tona lidhur me kandidatët Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, të listuara në letrën e dërguar më parë, të cilën po ua ridërgojmë përsëri. Kërkojmë nga ju ta verifikoni nëse a) Bujar Sadiku është “njeriu i PDK-së” ashtu siç i janë referuar në media, dhe b) nëse Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi kanë punësuar familjarët e tyre në Agjencionin Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP). Po ashtu, ju lutemi të keni parasysh që Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ASHMDP, gjatë kohës sa të dy këta kandidatë kanë qenë duke e udhëhequr këtë institucion.

Poashtu, sipas informatave tona, kandidati Arsim Tërnava ka qenka qenë donator i Partisë Demokratike të Kosovës ndërsa kandidati Burim Sallova duhet të dëshmojë përmes tatimeve të paguara nëse vërtetë ka qenë menaxher për pesë vjet në një kompani private.

Ne jemi duke hulumtuar edhe për kandidatët tjerë dhe në rast që gjejmë informata relevante për procesin,  do të ju drejtohemi menjëherë.

Në fund, ju njoftojmë që ne mbesim të përkushtuar të marrim pjesë gjatë intervistimit të kandidatëve – me një ose më shumë përfaqësues – dhe ju lusim që të na informoni të gjithëve për kohën e mbajtjes së intervistave sa më herët që është e mundur.

 

Me respekt,

 

Lëvizja FOL

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti GAP

Instituti D4D

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Çohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Flutura Kusari

 

FOL dhe BIRN nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi me KGjK për monitorim të punës së Këshillit Gjyqësor dhe të Gjykatave në Kosovë

Prishtinë, 01 Korrik 2019 – Lëvizja FOL dhe BIRN kanë nënshkruan memorandum mirëkuptimi me KGjK-në për monitorim të drejtpërdrejtë të punës së Këshillit Gjyqësor dhe punës së Gjykatave në Kosovë.

Ky memorandum u nënshkrua në kuadër të programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), i cili ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përmes kësaj marrëveshjeje organizatave BIRN dhe Lëvizjes “FOL”, do t’i mundësohet monitorimi i drejtpërdrejtë i punës së Këshillit Gjyqësor dhe punës së Gjykatave në Kosovë me synimin që të përmirësohet dhe matet efikasiteti, llogaridhënia, transparenca, trajtimi i barabartë i palëve në procedurë, pa-anshmëria si dhe të rekomandohet evitimi i mangësive në trajtimin e rasteve gjyqësore.

Memorandum i Mirëkuptimit, i cili është nënshkruar ndërmjet KGjK – BIRN dhe Lëvizjes ‘FOL’ do të fillojë së zbatuari nga 1 Korriku 2019 dhe do të zgjasë  deri më 31 dhjetor 2020.

Shoqëria civile vlerëson paralajmërimin e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike

Prishtinë, 21 qershor 2019 – Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë lartë paralajmërimin e Qeverisë për tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike në mbledhjen e radhës së saj.

Ky paralajmërim vjen pas fushatës disa-javore të rreth njëqind organizatave të shoqërisë civile, gjatë së cilës qytetarët dhe institucionet publike u njoftuan me disa nga dispozitat e draftit të fundit të projektligjit të cilat binin në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar rishtazi nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji aktual rrezikonte integritetin e procesit të reformës zgjedhore duke cenuar pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike nga politika. Projektligji gjithashtu dështonte të adresoj prioritetet e identifikuara në Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas të financimit të partive politike. Për më tepër, ky projektligj u ofronte subjekteve politike mundësinë për të fshehur identitetin e kontribuesve financiarë, shumëfishonte lartësinë e këtyre kontributeve, zgjaste afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlonte gjobat në rast se vlerësohej shkelja e ligjit nga ana e subjekteve.

Shoqëria civile, këto kërkesa i parashtroi edhe në protestën e sotme para ndërtesës së Kuvendit të Kosovë, një orë para se kryeministri të paralajmëronte tërheqjen e projektligjit duke u zotuar se do të merrte një vendim të tillë në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shoqëria civile e vlerëson këtë veprim të kryeministrit dhe njëkohësisht ua rikujton të gjithë akterëve politik se janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen e tyre për institucionet vendore në ndërtimin e kornizës ligjore dhe institucionale që mundëson një sistem të subjekteve politike konform standardeve të shoqërive demokratike dhe një garë zgjedhore korrekte dhe te barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.
Me respekt,

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Lëvizja FOL
Çohu
Demokraci Plus (D+)
Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)
Westminster Foundation for Democracy (WFD)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Forumi FOL Hapur me me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë znj. Apostolova dhe ministrin e Administratës Publike z. Mahir Yagcilar

Prishtinë 17 qershor 2019 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot forumin FOL Hapur, ku të ftuarit e radhës ishin shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë znj. Apostolova dhe ministri i Administratës Publike z. Mahir Yagcilar. Temë diskutimi e këtij forumi ishte ‘Etika në Administratën Publike”.

Shoqëria civile marshon kundër Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, pengohet dhunshëm nga PDK-ja

Prishtinë, 17 qershor 2019 – Mbi 100 organizata të shoqërisë civile i janë bashkuar sot “Marshit të Refuzimit”, për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Marshi nisi nga sheshi “Skënderbeu”, dhe vazhdoi me ndalje në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare, por përfaqësuesit e shoqërisë civile u penguan në mënyrë të dhunshme nga punonjës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), para selisë së kësaj partie në Prishtinë, përkundër faktit se për këtë marsh ishin të informuara të gjitha institucionet relevante, duke përfshirë edhe PDK-në.

Shoqëria civile, dënon dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të organizatave jo qeveritare dhe i bënë thirrje PDK-së, që si subjekti më i madh në koalicionin aktual qeverisës, të marrë barrën e përgjegjësisë që u takon dhe me veprimet e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, duke respektuar standardet e shoqërive demokratike dhe të drejtën elementare për bashkim qytetarë, shprehje të lirë dhe protesta të qeta.
Shoqëria civile kërkon qëndrim dhe masa të veprimit nga PDK-ja, për veprimet e dhunshme të stafit të saj.

Marshi kishte për qëllim kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, i cili është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Përfaqësues të shoqërisë civile përmes mesazheve të qarta që i vendosën në selitë e partive politike, u rekomanduan atyre që ta refuzojnë këtë projektligj, i cili shpenzon taksat e qytetarëve pa llogaridhënie, bën pazare politike me paratë publike, fsheh emrat e donatorëve të partive, prejardhjen e mjeteve financiare dhe ulë tarifat e gjobave.

Konkretisht, amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për Buxhet e Financa e dëmtojnë projektligjin sepse:

• Cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës.

• Nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike. Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ-ja nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike.

• Dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e Fondit.

• Cenojnë transparencën e subjekteve politike ndaj publikut pasi që mundësojnë mospublikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike. Për më tepër, tavanet e kontributeve “në para të gatshme” për subjektet politike janë dhjetëfishuar (nga 50 në 500 euro), ndërsa kontributet e personave fizikë dhe juridikë në kohë fushate janë dyfishuar.

• Zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejon zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës. Po ashtu gjobat për shkeljet e dispozitave ligjore nga subjektet politike janë zvogëluar deri në 75%.

FOL Hapur me kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj

Klinë, 14 qershor 2019 – Lëvizja FOL në kuadër të debateve FOL Hapur në Komuna ka mbajtur sot takimin e fundit me kryetarin e Komunës së Klinës z. Zenun Elezaj, ku është diskutuar mbi investimet kapitale të planifikuara dhe ato të realizuara nga komuna gjatë vitit 2018. Gjatë këtyre debateve janë shqyrtuar dhe kërkesat e qytetarëve në kuadër të investimeve kapitale. Gjithashtu, FOL gjatë takimeve me qytetar ka prezantuar portalin e prokurimit të hapur www.prokurimihapur.org.

FOL kërkon nga Ministria e Financave publikimin vlerave të parcelave të shpronësuara në autostradën Prishtinë-Gjilan

Prishtinë, 6 qershor 2019 – Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e vlerësimit dhe shpronësimit të pronës së paluajtshme, gjegjësisht të parcelave në të cilat kalon traseja e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

FOL nga viti i kaluar përmes kërkesave për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar nga Ministria e Financave, konkretisht Zyra e Vlerësimit të Pronës së Paluajtshme që të bëj publike shumën e vlerësuar për shpronësim të parcelave private nga kalon kjo autostradë. Mirëpo Ministria në fjalë na ka refuzuar qasjen.

FOL konsideron se arsyetimi i Ministrisë së Financave për refuzimin e publikimit të këtyre të dhënave duke u thirrur në Nenin 12, Përjashtimet e së drejtës së qasjes në dokumente 1.2. sigurisë publike, 1.6. privatësisë dhe interesave të tjerë legjitim privat të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nuk qëndron.

 

Lëvizja FOL mendon që këto të dhëna duhet të jenë të hapura për publikun për dy arsye themelore:

  1. Pronarët e kompensuar, apo ata që do të kompensohen, pranojnë mjete financiare nga buxheti i Republikës, pra nga fondet publike; dhe
  2. Publikimi i këtyre të dhënave do të hiqte çdo mëdyshje mbi keqpërdorime financiare, apo keqpërdorime në procesin e vlerësimit të pronës së paluajtshme, nga ana e institucioneve publike dhe do e shndërronte të gjithë procesin në transparent dhe llogaridhënës.

Për më shumë, FOL posedon edhe Këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Raportin e Avokatit të Popullit, të cilët rekomandojnë Ministrinë e Financave për publikimin e këtyre të dhënave.

Bazuar në këto rekomandime FOL kërkon nga Ministria e Financave t’i zbatojë këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe së fundmi edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit të cilët e thonë qartë se këto të dhëna duhet të jenë publike.

Megjithatë, në rast Ministria e Financave refuzon të na jap qasje në afatin e paraparë në rekomandimin e Avokatit të Popullit,  FOL do i ndjekë të gjithë hapat e mëtutjeshëm ligjor derisa të realizoj të drejtën e saj për të pasur qasje në informatat të cilat duhet të jenë publike dhe do insistojë që Ministria e Financave të jetë më transparente dhe llogaridhënëse rreth shpenzimit të parasë se taksapaguesve të Kosovës.

FOL Hapur me kryetarin e komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati

Kamenicë, 31 maj 2019 – Lëvizja FOL po mban debatin e tretë me radhë  “FOL Hapur” me kryetarin e  Kamenicës Qëndron Kastrati. Në këtë debat u diskutua mbi investimet kapitale të planifikuara dhe ato të realizuara nga komuna gjatë vitit 2018, si dhe kërkesat e qytetarëve në kuadër të këtyre investimeve. Gjithashtu, gjatë këtij debati do të prezantojmë para qytetarëve të Kamenicës portalin e prokurimit të hapur www.prokurimihapur.org. FOL do të mbajn debatin e radhës në Komunën e Klinës.

FOL Hapur me kryetarin e komunës së Shtimes Naim Ismajli

Shtime 23 maj 2019 – Sot FOL ka mbajtur debatin e radhës FOL Hapur me kryetarin e Komuna Shtime Naim Ismajli. Në këtë debat diskutuam mbi investimet kapitale të planifikuara dhe të realizuara nga komuna gjatë vitit 2018 dhe kërkesat e qytetarëve në kuadër të këtyre investimeve.
Gjithashtu gjatë këtij debati prezantuam para qytetarëve të Shtimes edhe Portalin e Prokurimit të Hapur dhe Transparent dhe mundësitë që qytetarët kanë për të përcjell realizimin e kontratave nëse ato përfundojnë brenda afatit të paraparë kohorë.

A ka më pak korrupsion, nëse ka më shumë gra në politikë?

Prishtinë, 21 maj 2019 – Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Prishtinë kanë mbajtur debatin e 10-të në kuadër të diskutimeve “T’folim për korrupsion”. Sot u diskutua bashkë me studentët dhe ish Presidenten e Kosovës znj. Atifete Hahjaga rreth pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe se a do të luftohej më shumë korrupsioni me pjesëmarrje më të madhe të gruas në pozita vendimmarrëse?

FOL Hapur me kryetarin e Komunës së Skënderajt Bekim Jashari

Skënderaj, 17 Maj 2019 – Lëvizja FOL ka filluar serinë e debateve FOL Hapur në komuna, sot debatin e filluam me kryetarin e Komunës së Skënderajt z.Bekim Jashari. Gjatë serisë së këtyre debateve do të diskutohet mbi investimet kapitale të planifikuara dhe të realizuara nga komunat gjatë vitit 2018, si dhe do të dëgjohen kërkesat e qytetarëve në kuadër të këtyre investimeve.

Në kuadër të këtyre debateve FOL do të bëjë dhe prezantimin e Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent (ëëë.prokurimihapur.org), portal ky i cili u mundëson qytetarëve të përcjellin realizimin e kontratave nëse ato përfundojnë brenda afatit të paraparë kohorë.

FOL gjatë javëve në vijim do të vazhdoj dedatin me qytetarwt dhe Kryetarwt e Kamenicë, Klinë, Fushë Kosovë dhe Shtime.

Shoqëria civile kërkon tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike

Prishtinë, 17 maj 2019 – Shoqëria civile, ka nisur fushatën për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, nën moton “Paratë tona, standardet tona”.
Kjo fushatë po mbështetet nga 100 organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të të cilave sot, përmes një konference për media, kanë bërë të ditur se do të nisin takime me përfaqësues institucional si dhe aktivitete tjera për të kundërshtuar këtë projektligj.

Në konferencë u bë e ditur se ditur se shumica e amendamenteve të propozuara nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për Projektligjin 06L-137 për Financimin e Subjekteve Politike cenojnë standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut që i janë dhënë Qeverisë së Kosovës përkitazi me këtë projektligj më 3 maj 2018.

Amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për buxhet e financa e dëmtojnë projektligjin sepse:

• Cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës.

• Nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike. Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike.

• Dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e Fondit.

• Cenojnë transparencën e subjekteve politike ndaj publikut pasi që mundësojnë mospublikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike. Për më tepër, tavanet e kontributeve “në para të gatshme” për subjektet politike janë dhjetëfishuar (nga 50 në 500 euro), ndërsa kontributet e personave fizikë dhe juridikë në kohë fushate janë dyfishuar.

• Zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejonë zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës. Po ashtu gjobat për shkejet e dispozitave ligjore nga subjektet politike janë zvogëluar deri në 75%.

Organizatat mbështetëse:

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Lëvizja FOL
Çohu
Demokraci Plus (D+)
Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)
Westminster Foundation for Democracy (WFD)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
OJQ Proactive;
OJQ Iniciativa e pavarur e te verberve te Kosoves;
OJQ Kosovo Institute for Security and Justice;
Kosovo Civil Society Foundation;
Ballkans Sunflowers Kosova;
Qendra Kosovare per Studime Gjinore;
Fondacioni Lumbardhi;
OJQ Civil Development Organisation – CDO;
Keshilli per paqe the tolerance – CPT;
OJQ Hardhfest;
Qendra per Studime te Avancuara FIT;
People in need, dega Kosove;
Organizata Qendra per mireqenien e gruas;
OJQ Qendra educative dhe keshillimore ABSM;
Grupi per Ballkan BPRG;
Shoqata e dhuruesve te gjakut;
Women Alliance for Integration;
CHwB Kosova;
NGO Akcija za Odgovorno Drustvo;
NGO Ecopana;
Advocacy for Society Development;
Young farmers of Kosovo agriculture;
Instituti GAP;
Programi per te drejtat civile ne Kosove crp/k;
KIPRED;
Asociacioni shendetesor professional;
Ec ma ndryshe;
Organizata NPU nisma per paqe dhe unitet;
OJQ gruaja hyjnore;
Turisticka organizacija Gracanice
Asist Kosovo Center & Women Democracy Network Kosovo chapter;
Rrjeti i radiove për të drejtat e njeriut;
Organizata Aureola
OJQ Toka
OJQ Qendra per zhvillimin e artit
OJQ Bran
Business support center Kosovo;
OJQ PLEJADA;
OJQ Hareja;
OJQ Nderto te ardhmen;
OJQ Kadc;
OJQ Zana;
OJQ Action for Social and Economic Development ASED;
Unioni i punëtorve social të Kosovës UPSK;
OJQ NOPM;
Shoqata Alma;
OJQ Gjeomjedisi;
OJQ CECD-Friends;
Swok-Kosovo;
OJQ Rrjeti informativ alternativ;
OJQ Dardania press;
OJQ Drit;
OJQ Arena;
Instituti Demokratik për Avancim dhe Integrim;
Qendra per Politika dhe avokim QPA
OJQ CRMC;
OJQ THY;
OJQ IPSIA;
SHL-Kosova;
Rrjeti I grave te Kosoves;
OJQ PRAK;
Kosovo Center of Diplomacy;
Shoqata e grave penzioniste Vita Jeta;
NGO Sofra;
OJQ Roma veristas Kosovo;
OJQ CDF;
Fondacioni jeshil;
Shoqata agriculture recovery;
Integra;
OJQ Piramida;
OJQ Vizioni 02;
OJQ Center for education and training Prizren;
OJQ Roma in action;
OJQ Qendra e gruas ATO;
NGO Germin;
IKS;
Let’s do it Kosova;
Fondi per edukim kulturor dhe trashegimi;
KAND-Qendra per zhvillim social dhe kulturor
Community building Mitrovica;
Syri i Vizionit;
Advancing Together;
Shoqata e intelektualeve te pavarur te Deqanit;
Keshilli I mediave te shkruara te Kosoves;
IZhPS Instituti per zhvillimin e politikave sociale;
OJQ me dore ne zemer;
OJQ CIPOF;
Instituti I Kosoves per Drejtesi IKD;
OJQ She-era;
Kosova per sanxhakun;
OJQ Bliri;
Organizata KGBTD;
HANDIKOS Gjakove;
Kosovar youth council;
OJQ Demokracia Fillon Ketu;
OJQ Qendra e Rinise ne Drenas;
OJQ Global Shapers Community Prishtina;
YIHR;

Të luftosh korrupsionin përmes sinjalizimit

Prishtinë, 16 maj 2019 – Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Prishtinë kanë mbajtur debatin e 9-të në kuadër të diskutimeve “T’folim për korrupsion”. Sot u diskutua bashkë me studentët dhe juristen e së drejtës së medias Flutura Kusari  si të luftohet korrupsioni përmes sinjalizimit.

Të Anulohet Përzgjedhja e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 15 maj 2019 – Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti GAP, Instituti D4D, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Flutura Kusari kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i Kuvendit të Kosovës është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Katër prej 11 aplikuesëve që ishin përzgjedhur për intervistë dhe test psikometrik janë: Jeton Arifi, Bujar Sadiku, Nexhat Jashari dhe Muharrem Mustafa.

Nga data 22 prill 2019 deri më 14 maj 2019 ne kemi analizuar CV-të e tyre, kemi hulumtuar për secilin kandidat dhe kemi monitoruar mbajtjen e intervistave në Kuvendin e Kosovës. Procesi është mbështetur nga projekti i rekrutimit të Ambasadës Britanike.

Ne kundërshtojmë fuqishëm emërimin e kandidatëve aktual për Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Informim sepse kandidatëve iu mungon vizioni, strategjia dhe përgatitja e duhur për këtë pozitë.

Për me tepër, kundërshtojmë në veçanti kandidaturën e punëtorëve aktualë të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, për shkak të dyshimeve se janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, nën menaxhimin e tyre auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në Agjencion dhe të dytë kanë ndikuar që në këtë agjencion të punësojnë familjarë të tyre.

Gjatë vlerësimit të intervistave, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi janë favorizuar hapur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Fadil Beka. Pa u sqaruar dyshimet e lartpërmendura, asnjëri nga këta dy kandidatë nuk duhet të bëhet Komisioner.

Paneli intervistues është përbërë nga Haxhi Shala (Nisma Social Demokratike), Fadil Beka (PDK), Xhelal Svecla (Lëvizja Vetvendosje) dhe Aida Dërguti (Partia Social Demokrate). Shumica prej tyre kanë treguar përkushtim të lartë gjatë intervistimit të kandidatëve. Mirëpo, ne shprehim indinjatën tonë të thellë që në panel nuk morën pjesë, përkundër që ishin të obliguar, deputetët Ismet Beqiri (Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe Bahrim Šabani (G+).

Po ashtu, një pjesë të përgjegjësisë për numrin e vogël të kandidatëve për komisioner e mban administrata e Kuvendit të Kosovës e cila e ka reklamuar konkursin vetëm në mediat Epoka e Re, Bota Pres dhe RTK (kanali serb).

Ne kërkojmë nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të anulojë procesin, të rishpallë konkursin menjëherë ashtu që të mos rrezikohen fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Komisioneri është pozitë publike jashtëzakonisht e rëndësishme në fushën e të drejtës së informimit pasi që ajo ose ai do të vendosë se cilat informacione të institucioneve mund të bëhen publike. Pa një Komisioner profesional, të paanshëm dhe me integritet të lartë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk do të mund të shërbejnë si mbikëqyrës shoqërorë.

Në këtë komunikatë janë bashkangjitur: lista e plotë e kandidatëve, cv-të e tyre dhe informatat ofruar Kuvendit nga shoqëria civile.

Me respekt,

Lëvizja FOL

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile

Instituti GAP

Instituti D4D

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Çohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Flutura Kusari

Transparenca financiare e subjekteve politike drejt përkeqësimit!

Prishtinë, 14 maj 2019- Amendamentimet e ligjit nga ana e deputeteve, të krijojnë përshtypjen se janë mbledhur zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike dhe kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë manipulimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Transparenca e partive politike është një prej themeleve të partive politike demokratike. Financimi, shpenzimi dhe auditimi i partive politike zë vend të pazëvendësueshëm brenda transparencës politike posaçërisht për shtetet ku partitë politike financohen nga taksat e qytetarëve, siç është rasti në Kosovë. Për disa vite me radhë në Kosovë, partitë politike nuk publikuan raportet e tyre financiare dhe rrjedhimisht nuk u audituan. Ligji për financimin e subjekteve politike, që është aktualisht në fuqi, cilësohej si i pazbatueshëm.

Pas kërkesës së komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të shoqërisë civile, amendamentimi i ligjit për financimin e subjekteve politike u fut si një prej veprimeve të Agjendës Evropiane për Reforma, të njohur si ERA. Grupi punues qeveritar bëri një punë të mirë në hartimin e draft amendamenteve të cilat edhe u dërguan për opinion nga Komisioni i Venedikut. Ky është ligji i parë pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës që dërgohet për opinion te ky Komision.

Komisioni lavdëroi punën e bërë por, ndër të tjera, kërkoi avancim të mëtutjeshëm të dispozitave që kanë të bëjnë me: përcaktimin më të mirë të definicionit të kontributit, sigurimin e paanësisë politike të auditorëve, rritjen e pavarësisë dhe kompetencave të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe sanksione më të avancuara për moszbatim të këtij ligji. Grupi  punues qeveritar punoi tutje duke adresuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe dorëzoi një projektligj mjaft të avancuar në Zyre të Kryeministrit për procedim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me 24 prill 2019, Komisioni për Buxhet dhe Financa miratoi Raportin me Amendamente të Ligjit për Financim të Subjekteve Politike. Këto amendamente jo vetëm që e degradojnë projektligjin e dorëzuar nga grupi punues qeveritar por paraqesin regres edhe në krahasim me ligjin aktual në fuqi. Duke lexuar amendamentet shihet se janë deformuar dispozitat që sigurojnë transparencë ose thënë ndryshe ato dispozita që mundësojnë një kontroll të mirëfilltë financiar të subjekteve politike. Për më tepër, krijohet përshtypja se janë mbledhur zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike dhe kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë manipulimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Amendamentet e bëra nga komisionet përkatëse në Kuvend në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë: dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e shpërndarjes së Fondit për Demokratizim; cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave; nuk përmbush veprimin e paraparë në ERA për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike (Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike); pamundësojnë transparencën e subjekteve politike pasi që eliminojnë publikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike dhe dyfishojnë tavanet e kontributeve për persona fizik dhe juridik gjatë fushatës zgjedhore; dhe zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejon zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlojnë gjobat për shkeljet e dispozitave ligjore nga subjektet politike deri në 75%.

Nëse miratohet projektligji me amendamentet aktuale të propozuara tërësisht do të mospërfillen rekomandimet e Komisionit të Venedikut, bash në projektligjin e parë të dërguar për opinion si shtet i pavarur. Më tutje, duke qenë degradim edhe në krahasim me ligjin aktual në fuqi, BE-ja do ta cilësojë se veprimi i paraparë në ERA nuk është përmbushur, edhe kjo mu bash në kohën kur qytetarët më të pashpresë presin ndonjë sinjal pozitiv për liberalizim të vizave. Prandaj, miratimi i projektligjit më amendamentet aktuale do të dëshmonte se klasa politike ende nuk po tregon vullnet të mirëfilltë për transparencë dhe reforma. Kjo më së paku na duhet tani.

Prandaj, në bazë të arsyeve të dhëna më sipër, ne, organizatat e poshtëshënuara shohim dy opsione shpëtimi nga kjo gjendje e krijuar: Kuvendi të refuzojë amendamentet e bëra nga Komisionet përkatëse dhe të miratojë versionin e grupit punues qeveritar ose, si opsion i fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ta tërheqë këtë projektligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

 

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Demokraci për Zhvillim (D4D)

Lëvizja FOL

Çohu

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)

Westminster Foundation for Democracy (WFD)

 

Forumi FOL Hapur , me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë z. Ruairí O’Connell

Prishtinë, 08 maj 2019 – Lëvizja FOL ka filluar sezonin e ri të Forumit FOL Hapur, ku i ftuar i dytë për këtë seri debatesh ishte Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë z. Ruairí O’Connell. Temë e diskutimit ishte “Fenomeni i konfliktit të interesit në Kosovë, Rekrutimi i zyrtarëve të lartë publik dhe Nepotizmin”.