Pagesat e vendimeve gjyqësore nga komunat

FOL Hapur me përfaqësuesit dhe zyrtarët ligjorë të Komunave

Prishtinë, 25 qershor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur” me përfaqësuesit dhe zyrtarët ligjorë të Komunave ku është diskutuar për pagesat e Komunave si rezultat i vendimeve gjyqësore gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Kqyr, Ngo, FOL

Prishtinë, 25 qershor 2020 – Lëvizja FOL me moton “Kqyr, Ngo, FOL” ka shënuar Ditën Botërore të Sinjalizuesve.
Ky aktivitet është mundësuar nga Kosovo Foundation for Open Society (KFOS) dhe nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Mexhide Demolli-Nimanin rizgjedhet drejtore e Lëvizjes FOL

Prishtinë, 23 qershor 2020 – Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është bërë zgjedhja e Drejtorit/es Ekzekutiv/e të Lëvizjes FOL si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit të Lëvizjes FOL.

Të pranishëm në mbledhje ishin gjithsej 12 anëtarë nga 23 sa ka pasur aktualisht Kuvendi i Anëtarëve.

Me shumice votash, Mexhide Demolli-Nimani është rizgjedhur drejtore e Lëvizjes FOL dhe për një mandat.

Po gjatë kësaj mbledhje Kuvendi zgjodhi drejtuesin e ri të tij z.Gersi Gashi.

(Mos)zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në praktikë – Dita Botërore e Sinjalizuesve

Prishtinë, 23 qershor 2020 – Lëvizja FOL me rastin e Ditës Botërorë të Sinjalizuesve ka mbajtur sot diskutimin me temën “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, me ç ‘rast u prezantua edhe raporti me gjetjet konkrete sa i përket zbatimit të këtij ligji.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL tha se që nga viti 2019 kur edhe ka hy në fuqi Ligji për Mbrojtën e Sinjalizuesve, FOL ka monitoruar zbatimin e tij. “Qëllimi i këtij ligji është mundësimi i sinjalizimit të shkeljeve në sektorin publik dhe privat dhe mbrojtja e sinjalizuesve. Ky ligj pavarësisht që ka hyrë në fuqi tash e 1 vit e gjysmë, ende nuk është duke u zbatuar si duhet në praktikë. Ministria e Drejtësisë ka dështuar që të  hartoj aktet nënligjore që dalin nga ky ligj, në afatin e paraparë dhe si rrjedhojë Agjencia Kundër Korrupsion nga ajo që na është thënë vazhdon të ketë vështirësi në mbikëqyrjen e zbatimin të këtij ligji në plotni për shkak të mungesës së rregullores”, tha Demolli-Nimani.

Yllka Buzhala, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se gjatë procesit të monitorimit FOL ka arritur në disa gjetje të cilat i kemi prezantuar në raportin “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”. “FOL ka identifikuar sfida të ndryshme në zbatimin e këtij ligji duke filluar nga emërimi i zyrtarit përgjegjës. Nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë, vetëm 73% e tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës kurse institucionet tjera nuk janë përgjigjur. Sa i përket Agjencive në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive, 27% prej tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës ndërsa 73% nuk janë përgjigjur fare. Nga institucionet e pavarura të themeluara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, 78% prej tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës dhe 22% prej tyre nuk janë përgjigjur fare. Kurse sa i përket nivelit komunal, 61% e komunave kanë emëruar zyrtarin përgjegjës dhe 39% e tyre nuk janë përgjigjur fare’, tha Buzhala.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsion tha se nga hyrja në fuqi e këtij ligji AKK ka rikonstruktuar Agjencinë me krijimin e një divizioni për LMS-në. “Asnjë sinjalizues, ndonëse nuk ka rregullore, nuk iu ka mohuar mundësia për raportim. 186 Zyrtarë Përgjegjës janë të caktuar nga institucionet. Kemi mbajtur takime në AKK si dhe përmes PECK kemi përgatitur një udhërrëfyes për ZP-të. Ne si AKK kemi dhënë sugjerime. Shume prej ZP-ve nuk kanë pranuar të jenë të tillë për vet faktin se nuk duan të bëhen publik emrat e tyre prandaj edhe ne nuk e kemi publikuar listën. Sa i përket trajnimeve, është e vërtet që nuk kanë përgatitje adekuate, mirëpo sado të pakta që janë trajnimet, ato kanë ndodhur. “Në parim ligji po zbatohet, mirëpo edhe sinjalizimi i ka kriteret e tij, që duhet të zbatohen edhe nga sinjalizuesi”, tha Havolli, duke shtuar se nuk kanë arrit të përfundojnë raportin vjetor për shkak se vetëm 2 apo 3 zyrtar përgjegjës kanë raportuar në AKK”.

Qemajl Marmullakaj, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë tha se ndonëse mund të kenë bërë më shumë, ata kanë informuar çdo institucion. “Ligji përcakton edhe hartimin e rregullores, mirëpo Ministria e Drejtësisë është vonuar në këtë aspekt. Por pa marrë parasysh mungesën e rregullores, ligji është i qartë dhe tregon thellësisht për zbatimin e tij. Ministria ka formuar grupin punues dhe kemi mbajtur takime ku është prezantuar draft rregullorja por për shkak të pandemisë na është dashur të pezullojmë punën në këtë drejtim”, tha Marmullakj, duke shtuar se ministria e Drejtësisë përveç rregullores, ka marrë iniciativë të trajnimit obligativ për zyrtarë.

Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane tha se në përgjithësi sektori privat ka informim më të mangët sa i përket ligjeve të reja. “Shumë prej tyre nuk janë në dijeni për ekzistimin  e mekanizmave të tillë”. Me apo pa Ligj OEA ka folur për nevojën për raportimin e tillë të rasteve të korrupsionit apo parregullsive tjera. “Është edhe nevoja e largimit të stigmatizimit ku shumica prej zyrtarëve përgjegjës heqin dorë nga titulli në mënyrë që të mos publikohet emri i tyre dhe të konsiderohen tradhtarë”, tha Zeka.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se kemi parë një dështim të institucioneve sa i përket zbatimit të këtij ligji. “Në moszbatimin e këtij ligji kemi parë mos raportimin e rasteve në AKK por edhe mosndëshkimin e këtyre rasteve nga AKK, e cila është e përcaktuar me ligj. Deri më tani nuk ka asnjë kundërvajtje rreth kësaj. Tek sinjalizuesit ekziston problemi i mos besimit në institucione për shkak se sinjalizuesi pas raportimit është i persekutuar nga institucioni”, tha Zekaj.

Letër Vjosa Osmanit, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 23 qershor 2020 –  Ne organizatat e poshtë shënuara, besojmë që tashmë jeni në dijeni të vazhdimit të procesit të përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, si dhe të sfidave në të cilat ka kaluar i njëjti proces. Ky proces aktualisht është duke u përsëritur për herët të tretë, pas dy dështimeve të para si pasojë e mungesës së cilësive të duhura të kandidatëve dhe si rezultat i krizave politike në vend.

Pozita e Komisionerit të Agjencisë është një ndër pozitat më të rëndësishme në vend në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave demokratike, si dhe të zbatimit të normave kushtetuese dhe atyre ligjore në kuadër të së drejtës së informimit publik dhe të mbrojtjes së drejtave të privatësisë së qytetarëve të Republikës. Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është drejtpërdrejtë i përfshirë në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, zbatimi i të cilave ligje, në mënyrë të përpiktë dhe sipas qëllimit mbi të cilin janë miratuar, luan në rol tejet të rëndësishëm në funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike.

Tashmë është përmbyllur shpallja e konkursit të tretë për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi nga Kuvendi i Kosovës, duke mos marrë në konsideratë kapacitetet dhe metodologjitë e mangëta vlerësuese me të cilat do mund të përballen anëtarët e Panelit Përzgjedhës. Ne, si organizata të shoqërisë civile, i kemi monitoruar të dy proceset e para dhe kemi vërejtur se sa i ndjeshëm dhe kompleks mund të jetë procesi i vlerësimit të kandidatëve. Si organizata të shoqërisë civile kemi vërejtur se vlerësimi i duhur i kandidatëve ka ardhur vetëm si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë në mes të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës dhe ekspertëve të kontraktuar nga Ambasada Britanike, të cilët kanë dhënë kontribut tejet profesional në procesin e vlerësimit. Ne shprehim shqetësimet tona se një proces i vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pa praninë e ekspertëve, do mund të komprometonte të gjithë procesin dhe të sjellë në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi persona të cilët mund të mos jenë të kualifikuar apo persona të cilët do mund të kenë lidhje politike përmes së cilave, në një të ardhme, do mund ta dëmtonin punën e së njëjtës Agjenci dhe të shkelnin të drejtat e qytetarëve.

Andaj, ne, organizatat e poshtëshënuara, Ju bëjmë thirrje që ta pezulloni për momentin procesin e përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, deri në një moment të afërt kur do mund të kemi një njoftim përfundimtar nga ana a Ambasadës Britanike mbi angazhimin e ekspertëve. Një pezullim i tillë, deri në angazhimin e ekspertëve të kontraktuar nga Ambasadës Britanike, do ishte hapi më i duhur për momentin në mënyrë që të sigurohemi që procesi i përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të jetë i bashkërenduar në mënyrë të duhur dhe që kandidatët të kenë cilësitë më të larta për të qenë të denjë dhe të përgatitur për të udhëhequr me një pozitë aq të rëndësishme.

Me respekt,

Lëvizja FOL, Flutura Kusari, GAP, GLPS, Çohu, KCSF, KDI dhe D4D

Nga 802 aktgjykime të publikuara për muajin maj, 316 prej tyre janë nga Gjykata Themelore e Prishtinës

Prishtinë, 18 qershor 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës.  Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin maj 2020.

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 maj – 31 maj 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 802 aktgjykime.

Edhe gjatë muajit maj është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes, kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit maj.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

 

 

 

FOL Hapur me Komunat e Ferizajt, Drenasit dhe Deçanit

Prishtinë, 18 qershor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin “FOL Hapur” me përfaqësuesit nga komunat e Ferizajt, Drenasit dhe Deçanit.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Monitorimi i mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Prishtinë, 5 qershor 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova, me mbështetjen e Programit të USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, kanë monitoruar takimet dhe vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë periudhës dhjetor 2019 – prill 2020. Ky monitorim  është bërë për të vlerësuar pajtueshmërinë dhe nivelin e transparencës me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

* Për shkak masave parandaluese të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës në funksion të mbrojtjes nga COVID-19, Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova nuk i kanë monitoruar tri takimet e fundit të KGjK-së.

 

 

Reagim: Presidenti Thaçi promovon cenimin e lirisë së shprehjes

Prishtinë, 4 qershor 2020 – Debate Center dhe Lëvizja FOL dënojnë ashpër veprimet e stafit të mbrojtjes së Presidentit Thaçi.

Debate Center dhe Lëvizja FOL kanë parë me shqetësim të madh veprimet e anëtarëve të mbrojtjes së afërt të presidentit Thaçi kundrejt një qytetari i cili, përmes fjalës së lirë, kishte shprehur pakënaqësitë e tija ndaj udhëheqësve dhe mënyrës së udhëheqjes së shtetit.

 Qytetarët e Kosovës, përmes miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 2008 nga ana e përfaqësuesve të tyre, vendosën për rregullat dhe parimet themelore të funksionimit demokratik shoqëror dhe promovimit të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Neni 40 i Kushtetutës përcakton qartë se liria e shprehjes është e garantuar dhe ajo përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”. Liria e fjalës dhe e shprehjes së lirë është themeli i demokracisë dhe është një ndër parakushtet më të rëndësishme të zhvillimit dhe emancipimit shoqëror. Liria e shprehjes nuk kufizohet vetëm me lirinë e shtypit dhe lirinë e gazetarëve, por e njëjta liri përbën një të drejtë të patjetërsueshme të individëve në shoqëritë demokratike për të shprehur mendimet e tyre.    

Reagimi i stafit të sigurisë së presidentit ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në nenin 23 të Kushtetutës [Dinjiteti i Njeriut] dhe Nenin 26 [E Drejta e Integritetit Personal] duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm të shtypjes së mendimit dhe shprehjes së lirë. Deklaratat publike të Presidentit Thaçi, përmes së cilave arsyetohen veprimet e sigurimit të tij, shpërfaqin mosrespektim të të drejtave themelore të njeriut dhe mbështesin dhunën fizike ndaj qytetarëve.

Ne si organizata të shoqërisë civile promovojmë dhe punojmë çdo ditë që mendimi ndryshe, mendimi kritik dhe liria e fjalës dhe shprehjes të mos shihen si kërcënim për shoqërinë, por të kultivohen si normë shoqërorë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Një shoqëri nuk mund të konsiderohet demokratike vetëm duke zbatuar të drejtën e votës, por duke kultivuar, promovuar dhe mbështetur të drejtën e qytetarëve për t’i mbajtur përgjegjës dhe vazhdimisht nën monitorim të zgjedhurit politikë.

Perceptimi dhe përballja me mendime të shprehura, edhe në ato rastet kur ato mendime mund të shfaqen si ekstreme, kërkon një reagim adekuat dhe sipas normave demokratike. Mënyra më e sigurt e reagimit të mekanizmave të sigurisë publike është që të gabojnë në lejimin e fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, duke kufizuar këtë liri vetëm atëherë kur lejohet nga norma demokratike dhe kur i njëjti kufizim i sqarohet qytetarëve.  

Në një demokraci të brishtë si kjo në Kosovë, cenimi i lirisë së shprehjes dhe veprimet e tilla ndaj një qytetari, apo edhe aktivisti politik, është njëkohësisht cenim i lirisë së shprehjes për të gjithë shoqërinë. Prandaj, është e rëndësishme që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet nga institucionet përkatëse. Veprimet e tilla duhet të hetohen nga bartësit përkatës të institucioneve shtetërore dhe të njëjtat veprime duhet të dënohen nga komuniteti i gazetarëve. Mbi të gjitha, reagimet tona si qytetarë duhet të jenë të vazhdueshme dhe të pa kompromis për t’i kërkuar dhe mbrojtur të drejtat tona, pa marrë parasysh se kush tenton t’i cenojë ato.

Bie numri i publikimit të aktgjykimeve gjatë muajit prill

Prishtinë, 20 maj 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës.  Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin prill 2020.

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 prill – 30 prill 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 725 aktgjykime, që i bie të jenë 27 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të dy aktgjykimeve të dyfishuara si dhe publikimit të aktvendimeve.

Edhe gjatë muajit prill është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes, kanë dalë në pension apo janë suspenduar. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit prill.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

 

Sa ju kushtoj institucioneve të vendit përballja me virusin Covid-19?

Prishtinë, 18 maj 2020 – FOL ka monitoruar të dhënat e ofruara nga KRPP, për kontratat e nënshkruara nga institucionet e vendit se sa kanë shpenzuar ato për mjete mbrojtëse si dorëza,maska, dezinfektues apo edhe dezinfektim të objeketeve. Gjithashtu kemi monitoruar edhe sa kontrata janë nënshkruar për pako ushqimore për familjet në nevojë.

Detajet i gjeni në grafikonin në vazhdim.

7 Komunat të cilat nuk kanë publikuar raportet e tyre financiare Kosovës

Prishtinë, 1 maj 2020 – Një pjesë e Komunave të Republikës së Kosovës vazhdon të refuzojë në zbatimin e një pjese të dispozitave kushtetuese, të ligjeve në fuqi si dhe të akteve tjera nënligjore sa i përket transparencës dhe llogaridhënies komunale, veçanërisht në kuadër të investimeve kapitale dhe shpenzimeve financiare.

Në opinionin e botuar nga Lëvizja FOL, https://bit.ly/2YmL9FG do të gjeni më shumë detaje rreth kësaj teme, ndërkaq përmes infografikave ju mund të shihni se cilat janë komunat që nuk kanë publikuar asnjë raport financiar për vitet 2017, 2018.

Ky projekt financohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë (U.S. Embassy Pristina, Kosovo). Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Prokurimi në kohë pandemie

Prishtinë, 20 prill 2020 -Lëvizja FOL ka monituar numrin e kontratave dhe kontratat kornizë të nënshkruara nga instutucionet publike gjatë muajit mars 2020. Përmes infografikave ju mund të shihni se cilat institucione kanë nënshkruar më shumë kontrata si dhe vlerën e tyre.

Për më shumë vizitoni portalin www.prokurimihapur.org

Gjykata e Kosovës vazhdojnë publikimin e aktgjykimeve

Prishtinë, 17 prill 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës.  Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin mars 2020.

 

 

 

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 mars – 31 mars 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në web-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1,167 aktgjykime, që i bie të jenë 8 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të dy aktgjykimeve të dyfishuara si dhe gjashtë aktgjykimeve të publikuara me gabime teknike.

Edhe gjatë muajit mars është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në Departamentin e Kundërvajtjes, kanë dalë në pension apo janë suspenduar. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit mars.

 

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

 

 

Mbi 24 mijë aktgjykime të gjykatave të Kosovës të çasshme për publikun

Prishtinë, 15 prill 2020 – Nga janari 2016, sipas ligjit mbi gjykatat, të gjitha gjykatat u obliguan që të publikojnë aktgjykimet brenda 60 ditëve nga marrja e vendimit. Duke klikuar në faqen e Këshillit Gjyësor të Kosovës – www.gjyqesori-rks.org – të gjithëve i’u mundësohet qasja në më shumë se 24 mijë aktgjykimeve të natyrës penale, civile, komerciale, dhe administrative.

Në maj të vitit 2019, Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova, me përkrahjen e Programit të USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (USAID/JSSP), filluan monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës. Ky monitorim ka si qëllim që të mbledh informacione dhe të vlerësoj nëse gjykatat po respektojnë këtë standard, dhe në veçanti Ligjin për Gjykata, Udhëzimin Administrativ për Anonimizimin e Aktgjykimeve, dhe Vendimin për Standardizimin e Aktgjykimeve. Përmes këtij monitorimi dhe raportimit të të dhënave, ne synojmë që t’i njoftojmë dhe rrisim vetëdijesimin e qytetarëve rreth punës së gjyqësorit, e njëkohësisht të ndihmojmë  ngritjen e besimit të qytetarëve ndaj gjykatave.

Numri i aktgjykimeve të publikuara konsiderohet si një nga treguesit më të rëndësishëm të transparencës së një gjykate dhe gjyqësorit në përgjithësi. Nga janari 2016 – 30 prill 2019, gjykatat e Kosovës publikuan vetëm 8,983 aktgjykime.

Nga fillimi i monitorimit në muajin maj 2019 e deri në shkurt të vitit 2020, brenda dhjetë muajve, gjykatat e Kosovës kanë publikuar 14,510 aktgjykime, apo mesatarisht rreth 1,400 aktgjykime për muaj.[1]

Rritja e publikimit të aktgjykimeve u vërejt sidomos në fazën e dytë të monitorimit nga muaji dhjetor 2019 deri në muajin shkurt 2020, ku gjykatat e Kosovës kanë publikuar mbi 2,000 aktgjykime për muaj – rritje kjo e paparë më herët në gjykatat tona.

Gjatë muajit dhjetor 2019, gjithsej u publikuan 2,526 aktgjykime; gjatë muajit janar 2020, u publikuan 2,173, kurse gjatë muajit shkurt 2020,  2,090 aktgjykime u publikuan në faqen e internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Këto shifra tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të aktgjykimeve të publikuara vetëm gjatë tre muajve duke ndikuar që numri total të publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës të  arrijë në 23,753.

Përpos rritjes së numrit të aktgjykimeve të publikuara, është rritur edhe respektimi i ligjit dhe udhëzimeve rreth çështjes në fjalë nëse e krahasojmë me fazën e parë të monitorimit maj-nëntor 2019. Këto përmirësime vërehen në rastet e zvogëlimit të numrit të publikimit të aktgjykimeve të pa-anoniminuzuara, rritja e numrin e aktgjykimeve të publikuara për rastet e korrupsionit dhe dhunës në familje si kategori të veprave penale që përbejnë interes më të shtuar për publikun.

Përgjatë muajit dhjetor 2019 – shkurt 2020, ka pasur rritje në numrin e aktgjykimeve të publikuara për veprat penale të korrupsionit ku gjithsej janë publikuar 33 aktgjykime, krahasuar me periudhën maj-nëntor 2019, ku vetëm brenda gjatë shtatë muajve gjykatat publikuan vetëm 61 aktgjykime të kësaj natyre.

E njëjta vlen edhe për aktgjykimet në lidhje me veprat penale me bazë në dhunë gjinore dhe krimit të organizuar, për të cilat gjykatat publikuan 74 aktgjykime dhe 21 aktgjykime respektivisht.

Gjatë periudhës së lartpërmendur përmirësime janë vërejtur edhe në respektimin e rregullave për anonimizimin e aktgjykimeve ku gjykatat kanë publikuar vetëm 65 aktgjykime të pa-anonimizuara.

Në anën tjetër, sa i përket aplikimit të Shabllonit për Standardizimin e Formave të Aktgjykimeve ende ka ngecje nga gjykatat e Kosovës. Nga muaji dhjetor 2019 – shkurt 2020, nga 6,790 aktgjykime të publikuara, 1,082 prej tyre, apo 16% e aktgjykimeve janë publikuar duke mos e respektuar këtë shabllon.

Kur flasim për rritjen e publikimit të aktgjykimeve për gjykata, shohim se Gjykata Themelore e Prishtinës në mënyrë drastike ka rritur numrin e publikimit në raport me periudhën e mëparshme, duke prirë kështu dukshëm krahasuar me gjykatat tjera të Republikës së Kosovës. Kjo gjykatë gjatë muajve dhjetor 2019 – shkurt 2020 ka publikuar 1,842 aktgjykime, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1,365, dhe ajo e Mitrovicës me 759 aktgjykime.

Nëse e llogarisim numrin e publikimit të aktgjykimeve prej vitit 2016 e deri më tash, shohim që Gjykata e Prishtinës prinë për nga numri i aktgjykime të publikuara, me gjithsej 4,534, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 4,410, dhe ajo e Ferizajt me 3,444.

Në anën tjetër edhe numri i gjyqtarëve të cilët po publikojnë aktgjykime është rritur. Në shkurt të vitit 2020, 58% e gjyqtarëve të Kosovës kishin aktgjykime të publikuara, krahasuar me vetëm 27% në maj të vitit 2019. Gjatë periudhës dhjetor 2019 – shkurt 2020, me publikim të aktgjykimeve prijnë gjyqtarët Luan Berisha nga Gjykata Themelore në Prizren, me 189 aktgjykime të publikuara; Branka Semenov nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 86 aktgjykime; dhe  Diana Sina nga Gjykata Themelore e Gjakovës, me 84 aktgjykime të publikuara.

Në përgjithësi, gjykatat e Kosovës kanë shënuar një rritje të vazhdueshme të publikimit të aktgjykimeve duke shndërruar kështu Portalin Gjyqësor në njërën nga databazat më të mëdha të vendimeve të institucioneve të bëra publike. Përveç përkushtimit të gjyqësorit, kjo rritje po ashtu mund të i atribuohet edhe monitorimit mujor nga programi i USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë bashkë me Lëvizjen FOL dhe BIRN Kosova, që ka shërbyer si nxitje për zyrtarët brenda gjykatave dhe poashtu kryetarëve të gjykatave.

 

[1] Gjatë monitorimit në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga muaji maj 2019 – shkurt 2020, në total janë publikuar 14,828 aktgjykime, apo 318 më shumë se ato që kemi shënuar në bazën e të dhënave. Dallim ky si rrjedhojë e publikimit të aktvendimeve si dhe aktgjykimeve të dublifikuara nga ana e gjykatave.

Komunat me më së shumti pagesa nga vendimet gjyqësore

Prishtinë, 13 prill 2020 – Lëvizja FOL tash e sa muaj ka bërë monitorimin e pagesave që bëjnë komunat për vendimet e gjykatave.

FOL, përmes gjashtë infografikave, ka paraqitur shumat financiare të paguara nga Komunat e Republikës si rezultat i vendimeve të Gjykatave përgjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019.

Renditja është bërë përmes krahasimit të pagesave financiare nga ana e Komunave dhe buxheteve të tyre fillestare për çdo vit të lartcekur.

Ky projekt financohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë (U.S. Embassy Pristina, Kosovo). Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Konkurs: Konsulent i jashtëm në fushën e Sinjalizuesve

Prishtinë, 9 prill 2020 – Lëvizja FOL është organizatë jo-qeveritare e cila punon për qeverisje të mirë përmes transparencës dhe llogaridhënies, dhe qytetari aktive përmes edukimit.

Lëvizja FOL në kuadër të grantit “Sinjaliuzes, ligji të mbronë” i cili mbështetet nga “Programi për Shoqëri Civile për Shqipëri dhe Kosovë”, që financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë dhe menxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF) në bashkëpunim me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) ka hapur konkurs për konsulent të jashtëm në fushën e sinjalizuesve.

Detajet rreth këtij konkursi i gjeni duke klikuar në këtë link: ToR – Consultant for Table-top_Exercise