Priručnik sa 10 scenarija odgovora na slučajeve uzbunjivanja u privatnom sektoru

FOL Hapur Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe zbatimi i tij në sektorin privat

Prishtinë, 4 nëntor 2020 – Lëvizja FOL dhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës kanë mbajtur  diskutimin online FOL Hapur në lidhje me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe zbatimi i tij në sektorin privat.

Qëllimi i FOL Hapur ishte informimi i bizneseve për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe lobimi për emërimin e zyrtarit përgjegjes për trajtimin e rasteve të sinjalizimit për ato biznese që kanë mbi 50 të punësuar.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

Qeveria Hoti realizoi vetëm 46 % të planit të punës për periudhën janar-shtator 2020

Prishtinë, 3 nëntor 2020 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Forcimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Reformat”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Prishtinë, ka publikuar sot të dhënat e monitorimit të zbatimit të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-shtator 2020.

Ambasadorja holandeze në Prishtinë znj.Carin Lobbezoo, tha se ky raport vjen në kohë të duhur, pasi që së fundmi u publikua Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, dhe ky raport forcon rolin e shoqërisë civile në forcimin e transparencës së Qeverisë, dhe ofron qytetarët me proceset e rëndësishme që Kosova po kalon. “Ky raport, pasi që monitoron realizimin e Planit të Qeverisë nga secila ministri, mund të shfrytëzohet si një udhërrëfyes i rëndësishëm për Qeverinë, në mënyrë që të reflektoj në punën e saj, dhe të fokusohet në ndryshimet e nevojshme”, tha Ambasadorja Lobbezo, duke shtuar se Holanda do të jetë afër institucioneve të Kosovës dhe njerëzve të Kosovës në mënyrë që t’i ndihmojë vendit në rrugën e integrimit Evropian.

Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL tha kemi monitoruar Planin Vjetor të Punës së 15 Ministrive dhe Zyrën e Kryeministrit, të cilat në bazë të realizimit të planit tregojnë se ka pasur nivel të ulët të realizimit të planit të cilin e kishin paraparë ta përfundonin për periudhën e parë nëntë mujore. “Nga ky monitorim del se 154 aktivitete të parapara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020, vetëm 71 aktivitete janë realizuar apo 46 %, ndërkaq 83 aktivitete apo 54% kanë mbetur të parealizuara në afatin e përcaktuar kohor”, tha ai.

Ministritë të cilat kanë realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në Planin Vjetor të Punës se Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020 janë: Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal(MZHR).

Ministria e cila nuk ka realizuar asnjë aktivitet është: Ministria e Shëndetësisë.

Ministritë të cilat në kuadër të planit vjetor të punës së Qeverisë për vitin 2020 për periudhën janar-shtator 2020, të cilat nuk kanë paraparë asnjë aktivitet janë: Ministria e Punëve të Brendshme(MPB), Ministria për Komunitete dhe Kthim(MKK), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS).

Gjetjet për secilën ministri:

Zyra e Kryeministrit(ZKM) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar-shtator, ka paraparë të realizoj 26 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 10 nga to ndërsa 16 nuk janë realizuar.

Ministria e Drejtësisë(MD) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, MD ka paraparë të realizoj 25 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 10 nga to, ndërkaq 15 aktivitete kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Financave(MF) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë të realizoj 7 aktivitete, prej te cilave vetëm 1 aktivitet ka mbetur i parealizuar.

Ministria e Mbrojtjes(MM) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka për periudhën janar – shtator 2020, Ministria e Mbrojtjes ka paraparë të realizoj 7 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 1 nga to.

Ministria e Pushtetit Lokal(MPL) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator ka paraparë të realizoj 9 aktivitete, të cilat edhe janë realizuar në afatin e caktuar kohor.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë(MPJD) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka planifikuar të realizohen 5 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 1.

Ministria e Shëndetësisë(MSH) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020 MSH ka paraparë të realizoj 6 aktivitete, e dhe asnjë nga to nuk kanë arritur ti realizojnë.

Ministria e Infrastrukturës(MI) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, janë paraparë të realizohen për periudhën janar – shtator 2020 7 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2 nga to.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë të realizoj 3 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 1 nga to.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë(MTI) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, ka paraparë të realizoj 4 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 3 nga to, ndërkaq për një aktivitet nuk kemi marrë përgjigje se a është përfunduar.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit(MEA) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë 26 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 5, ndërkaq 21 aktivitete kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Zhvillimit Rajonal(MZHR) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, ka paraparë të realizoj 7 aktivitete dhe ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të planit një vjeçar të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) – në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2020, për periudhën janar – shtator 2020, ka paraparë të realizoj 22 aktivitete nga të cilat ka realizuar 16 dhe 6 të tjera janë të pa realizuara brenda afatit të paraparë kohor

Zbatimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë së Kosovës për periudhën janar-shtator 2020

Amandamentimet e shpeshta të ligjeve i bëjnë ato komplekse dhe vështirë të zbatueshme

Prishtinë, 30 tetor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin online, me ç’rast ka publikuar raportin Kur ligjet bëhen komplekse dhe vështirë të zbatueshme, i cili paraqet procesin e zbatimit të ligjeve në fuqi dhe ofron të dhëna për rëndësinë e legjislacionit të thjeshtuar dhe konsolidimin e teksteve të ligjeve. Qëllimi i këtij raporti është të identifikoj shkaqet e ndryshimeve dhe plotësimeve të shpeshta që ndodhin në ligje.

Mexhide Demolli-Nimani nga FOL, tha se kjo analizë fokusohet në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit për të parë se ku po ndodh shkëputja e hallkës në mes të politikës dhe legjislacionit të cilat po shpijnë në ndryshime të shpeshta.

Jeton Oruçi, autor i raportit tha se sistemi jonë është mjaft kompleks dhe se ndryshimet e shpeshta të ligjeve krijojnë pasiguri dhe paqartësi të qytetarët, bizneset dhe zyrtarët publik të administratës shtetërore të nivelit qendror dhe lokal, por sigurisht edhe të gjyqtarët e prokurorët. Sipas tij, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve ndodh për shkak të ndryshimet të rrethanave juridike dhe institucionale dhe për shkak se ligji bazë është ndryshuar në rrethana të përshpejtuara për të zënë afatet ligjore, apo kur nuk është kryer ndonjë analizë e mirëfilltë për çështjet që trajtohen në ligj.  “E kuptojmë që nuk është obligim ligjor që të gjitha aktet të publikohen në Gazetën Zyrtare, mirëpo nuk është ndonjë pengesë ligjore që të publikohen ato, ngase palët, bizneset dhe qytetarët tjerë duhet ta dinë ku ti gjejnë ligjet”, tha ndër të tjera Oruçi, duke shtuar se në Kosovë gjithsej janë miratuar 480 ligje dhe mbi 85 amandamentime të ligjeve që nga viti 2000.

Ardian Bajraktari, Drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë tha se çështja e konsolidimit të legjislacionit është një çështje që duhet të adresohet. “Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirëfillta me komisionin për legjislacion, pavarësisht ndryshimit te legjislaturave”, tha Bajraktari. Sipas tij, rekomandimet e dhëna në këtë raport është mirë që sa më parë të adresohen.

Agim Maliqi, gjyqtarë në Gjykatën Supreme, tha se ndryshimet që kanë ndodh në Ligjin për Këshillin Gjyqësorë kanë ndodhur si pasojë e rikonstukturimit të KGJK-së dhe KPK-së. “Problemi i ndryshimit të shpeshtë të ligjeve krijon pasiguri juridike te qytetarët dhe te zyrtarët, por njëkohësisht është edhe aspekti tjetër ku thuhet se ligjet korrigjohen duke u aplikuar ato, dhe shpeshherë duke e praktikuar një ligj ose nen e shohim problematikën në zbatimin e tij”, tha Maliqi.

Gëzim Shala, Hulumtues i Lartë në IKD, tha se kemi një ndryshim enorm të ligjeve pothuajse në të gjitha sferat, dhe është praktikisht problematike se në një rast te caktuar të gjendet se cila është norma pozitive dhe cila normë duhet të zbatohet. “Ndryshimi i madh i ligjeve dhe rregulloreve e bon pothuajse të pamundur një person laik te ketë qasje ne drejtësi. Ka raste kur vet gjyqtarët kanë pasur probleme për ta qartësuar një situatë, dhe për më tepër ndryshime i shpeshtë të ligjeve po obligon edhe ndryshimin e legjislacionit sekondar”, tha ndër të tjera Shala. Sipas tij, aspekti i ligjit më të favorshëm krijon jashtëzakonisht shumë probleme dhe ideja ne këtë rast është që duhet të kemi konsolidim të ligjeve në mënyrë që të ndryshoj logjika e zbatimit të ligjeve.

Lulzim Beqiri, Drejtor i Departamentit të Integrimeve Evropiane në Ministrinë e Drejtësisë, tha se Ministria e Drejtësisë është një ndër ministritë e vetme në rajon që deri më tani nuk ka pasur ndonjë njësi të veçantë për politika dhe analiza dhe si rrjedhojë asnjë politike që është hartuar nuk është bazuar edhe aq shumë në të dhëna statistikore dhe analitike.

 

Kur ligjet bëhen komplekse

Rreth 3 milion euro të shpenzuara nga Komunat për vendime të gjykatave gjatë periudhës janar-gusht 2020

Prishtinë, 27 tetor 2020 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Friedrich Ebert Stifuting (FES) ka mbajtur sot diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Shpenzimet e komunave për vendime të gjykatave janar-gusht 2020”.

Ky raport përfshinë gjetjet nga monitorimi i pagesave të ekzekutuara nga Komunat e Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave për periudhën janar-gusht 2020. Qëllimi i këtij raporti është informimi i publikut për shkallën e shpenzimeve që komunat i kanë paguar për vendime të gjykatave, përkatësisht se sa përqind të buxhetit të komunave për vitin 2020 janë destinuar për pagesat e këtyre vendimeve.

Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, tha se komunat e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të ekzekutojnë pagesa të larta për vendime të gjykatave edhe gjatë periudhës janar-gusht 2020, përkundër faktit se gjatë kësaj periudhe gjykatat u obliguan të punojnë vetëm për raste të natyrës urgjente, në rrethin e të cilave këto lëndë nuk ishin të përfshira.

“Gjatë periudhës janar–gusht 2020, Komunat e Republikës së Kosovës për vendime të gjykatave kanë shpenzuar rreth 3 milion euro, apo 8,47 % të buxhetit fillestar të paraparë për të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës” tha Hasani. Sipas saj, kjo ulje e theksuar e pagesave të këtyre vendimeve në krahasim me vitet paraprake ka ardhur si rrjedhojë e situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 gjatë muajit mars të këtij viti, ku gjykatat kanë punuar vetëm për raste të natyrës urgjente për katër muaj me radhë (rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe rastet për të mitur etj.), prandaj procedimi me lëndë të tilla të komunave, si lëndë të natyrës civile, ka qenë i pamundur gjatë asaj periudhe.

“Pagesat e komunave për vendime të gjykatave vazhdojnë të jenë barrë e rëndë për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke vazhduar në këtë mënyrë, pra duke mos respektuar dispozitat ligjore dhe detyrimet tjera kontraktuale të komunës, përveç që si pasojë ka rëndimin e Buxhetit të Komunës, kjo do të ketë edhe efekte financiare afatgjate”, ka përfunduar Hasani.

Melihate Asllani, nga FES, tha se platforma “Kosova qe duam” është një platforme qe është organizuar FES, ku mundë të përfshihen edhe qytetaret dhe te kontribuojnë në arritjen e një shteti ku kemi një qeverisje të mirë. “Fokusi i FES-it ka qenë kryesisht puna me komuna, sepse demokracia e mirëfillte buron edhe prej komunave. FES është i përkushtuar me i mbështet te gjitha organizatat qe kane synim fuqizimin e qeverisjes lokale, me shpresë të krijimit të komunave që janë më afër qytetarëve” tha Asllani.

Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, tha se komunat nuk kanë planifikuar buxhet të mjaftueshëm që të bëhen pagesat për mësimdhënësit dhe për të punësuarit në shëndetësi. “Ne kemi reaguar përmes kërkesës në Gjykatën Supreme ku kemi kërkuar sqarim dhe opinion ligjor se a kanë pasur të drejtë përmbaruesit privat të iniciojnë procedura të tilla apo jo, ne kemi pranuar opinionin nga Gjykata Supreme që i jep të drejtë përmbaruesve privat që ti shqyrtojnë dhe trajtojnë këto raste“ ka thënë Istrefi. Sipas Istrefit, kryetarët e komunave me rastin e planifikimit të buxhetit duhet të përfshijnë edhe obligimet kontraktuale të komunave, pavarësisht se a kemi të bëjmë me kontratë kolektive, me operatorë ekonomik apo me të punësuar.

Për të parë raportin e Komunave mbi shumën e shpenzuar nga vendimet e gjykatave për periudhën janar-gusht 2020 kikoni në linkun në vijim:

http://levizjafol.org/wp-content/uploads/2020/10/shpenzimet-e-komunave-alb-eng.pdf

Shpenzimet e Komunave për vendimet e Gjykatave janar-gusht 2020

FOL Hapur me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar z. Nicholas Abbott

Prishtinë, 27 tetor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin në forumin FOL Hapur online me ambasador e Mbretërisë së Bashkuar z. Nicholas Abbott. Temat të cilat u diskutuan në këtë FOL Hapur ishin:

  • Roli i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë pas Brexit-it;
  • Qasja e Mbretërisë së Bashkuar për zgjerimin rajonal të Ballkanit Perëndimor;
  • Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar për qeverisjen e mirë në Kosovë, veçanërisht në procesin e rekrutimit
  • Sfidat kryesore dhe urgjente të Kosovës, në të ardhmen e afërt për shkak të pandemisë Covid-19

Videon e plotë mund ta shihni në këtë link: https://www.facebook.com/fol.levizja/videos/937743623301221

Transparenca Komunale

Lëvizja FOL sot ka mbajtur diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Transparenca Komunale”.

Komunat s’treguan Transparencë në planet e tyre të Veprimit

Prishtinë, 27 tetor 2020 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Friedrich Ebert Stifuting (FES) sot ka mbajtur diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Transparenca Komunale”.

Ky raport përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të Planeve të Veprimit të Transparencës Komunale dhe Kalendarin e Punës për vitin 2019-2020 në pesë (5) komuna të Kosovës; Klinë, Istog, Pejë, Deçan dhe Gjakovë, për periudhën janar 2019 – Qershor 2020.

Qëllimi i këtij raporti është vlerësimi i shkallës së përmbushjes së obligimeve komunale të transparencës dhe përfshirjes së qytetarisë aktive.

Alba Jakupi, nga Lëvizja FOL, tha se përmes publikimit të Planeve të Veprimit të Transparencës Komunale dhe Kalendarit të Punës, promovohet qytetaria aktive dhe llogaridhënia komunale, duke ofruar kësisoj mundësi të përfshirjes së qytetarëve në mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme nga vet komunat. “Përmes analizimit të Planit të Veprimit për Transparencë të vitit 2019-2023, me ndarjen e objektivave dhe aktiviteteve, është bërë i mundur vlerësimi i përmbushjes së këtyre objektivave. E vetmja komunë e cila nuk posedon plan të veprimit është Gjakova; zyrtarët komunal për informim, përmes email-it na bënë të ditur se një plan i tillë është në hartim e sipër për komunën e Gjakovës, ani pse një gjë e tillë duhej të publikohej më shumë se një vit e gjysmë më parë”, tha Jakupi. Sipas saj, përmes pyetësorit për zyrtarët komunal, kanë marrë përgjigje rreth të dhënave komunale për transparencë, të cilat po ashtu janë krahasuar me gjetjet gjatë monitorimit të ueb faqeve të pesë komunave; Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe Gjakovës.

Mejreme Asllani nga FES, tha se transparenca është një ndër parimet kyçe të demokracisë dhe funksionimit adekuat të komunave, sidomos në lidhshmëri me qytetarët pasi që në momentin kur këta të fundit kanë informacionet e duhura, mund të delegojnë kërkesat e tyre siç duhet.

Kujtim Gashi, drejtor i Agjencioni i Shoqërisë së Informacionit, ka thënë se komunat gjatë kohës së fundit kanë bërë kalimin nga një operator i cili mundësonte mbështetjen komunave për përdorimin e sistemit të intranetit, i cili po ashtu mirëmbante faqet zyrtare me përditësime. Sa është dekujarues fakti i mos-respektimit të plotë të elementeve të udhëzimit administrativ mbi mirëmbajtjen e faqeve zyrtare, më inkurajues është fakti se shumica e komunave i plotësojnë pothuajse të gjitha elementet, kështu shohim tentimin e respektimit të udhëzuesit. “Monitorimi nga Ministria e Pushtetit Lokal por edhe nga projektet si ky, ndikojnë pozitivisht dhe japin një shtytje që komunat të japin maksimumin e kapaciteteve të tyre për përmbushjen e detyrimeve” tha ndër të tjera Z. Gashi.

 

1530 aktgjykime janë publikuar gjatë muajit shtator

 

Prishtinë, 24 tetor 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova me mbështetjen e USAID-Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë prezantojnë të dhënat nga monitorimi i publikimit të aktgjykimeve në të gjitha Gjykatat e Kosovës. Përmes infografikave në vazhdim ju mund të shihni publikimin e të gjitha aktgjykimeve nga të gjitha gjykatat e Kosovës për muajin shtator  2020.

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 shtator – 30 shtator 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1,530 aktgjykime, po kaq aktgjykime FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave.

Edhe gjatë muajit shtator është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes apo kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit shtator.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Reagim: Ndryshimet ligjore tentojnë ‘kapjen’ e mëtutjeshme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 22 tetor 2020 – Ne organizatat e poshtëshënuara kundërshtojmë fuqishëm ndryshimet e propozuara ligjore të cilat si qëllim të vetëm kanë politizimin e mëtutjeshëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës (Komisioni) ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi përmes ndryshimeve ligjore. Përzgjedhja e Komisionerit/es ka dështuar tri herë dhe ka çuar në tërheqjen e Ambasadës Britanike nga ky proces.

Në mënyrë unanime dhe me mbështetjen e të gjitha partive politike, komisioni synon të ndryshojë vetëm nenin 60 të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që rregullon procedurën e zgjedhjes së Komisionerit/es.

Sipas legjislacionit në fuqi, Komisioner/e mund të bëhet kandidati/ja që siguron 61 vota të deputetëve. Ligji aktual, me të drejtë detyron partitë politike që të arrijnë konsensus në përzgjedhjen e Komisionerit/es. Më konkretisht, komisioni ka propozuar që “gjatë përzgjedhjes së Komisionerit/es me votim të fshehtë në Kuvend, nëse kandidati/ja gjatë raundit të parë nuk i merr shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë gjatë votimit në raundin e dytë, të zgjidhet kandidati i cili merr numrin më të madh të votave.”

Me ndryshimet e propozuara ligjore, këtë pozitë mund ta fitojë kandidati/ja që arrin të sigurojë 31 vota, përkatësisht me mbështetjen e një partie politike. Nëse iniciativa jetësohet, i lë hapësirë një partie ta influencoj përzgjedhjen e komisionerit/es.

Bazuar në diskutimet e bëra nga anëtarët e komisionet, ne vërejmë që arsyetimi për ndryshimet e propozuara ligjore nuk bazohet në argumente të qëndrueshme që do të arsyetonin ndryshimin e ligjit. Pikësynimi kryesor duket të jetë kapja e mëtutjeshme e Agjencisë për Informim nga politika.

Ndryshimet ligjore priten të dërgohen në Kryesi të Kuvendit dhe Qeveri, përpara se të procedohen për miratim. Ne kërkojmë nga këto institucione që të mos e mbështesin këtë iniciativë. Partitë politike duhet të gjejnë konsensus politik që do të mundësojë përzgjedhjen e një kandidati/je të pavarur.

Koalicioni ad-hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF), Grupi për Studime Politike dhe Juridike(GLPS), Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D.

Roli i komisioneve hetimore

Prishtinë, 21 tetor 2020 – Lëvizja FOL ka mbajtur diskutimin e radhës online me student. Në kuadër të këtyre diskutimeve, e ftuar ishte Eliza Hoxha – Kryetare e Komisionit.

Tema për këtë diskutim ishte: “Roli i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës”.

Për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19 diskutimet janë mbajtur përmes platformës online zoom.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

 

 

Roli dhe rëndësia e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Prishtinë, 19 tetor 2020 – Lëvizja FOL në kuadër të dikutimeve online me student, kësaj radhe kishte të ftuar Albena Reshitaj – Kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Me znj. Reshitaj ishte dikuruar për Rolin dhe rëndësinë e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Roli i Komisionit për Buxhet dhe Transfere

Prishtinë, 15 tetor 2020 – Lëvizja FOL është duke zhvilluar diskutime online me studentë. Në kuadër të këtyre diskutimeve, i ftuar ishte Hekuran Murati – Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere.

Tema për këtë diskutim ishte: “Roli i Komisionit për Buxhet dhe Transfere”.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

 

Roli i Komisionit për Legjislacion

Prishtinë, 14 tetor 2020 – Lëvizja FOL ka zhvilluar diskutime online me studentë. Në kuadër të këtyre diskutimeve, i ftuar ishte Shkëmb Manaj– Kryetar i Komisionit për Legjislacion.

Gjatë këtij takimi online është dikuturar “Roli dhe rëndësia e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit”.

Ky aktivitet realizohet nga Lëvizja FOL dhe Democracy Plus me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Gjykata Themelore Prishtinë fiton Çmimin për Gjykatën më Transparente

Prishtinë 30 shtator 2020 – Lëvizja FOL dhe BIRN Kosovo me mbështetjen e USAID Kosovo Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë sot kanë ndarë “Çmimin për Gjykatën më Transparente”. Gjykata Themelore Prishtinë e fitoi sot këtë çmim për kontributin e vazhdueshëm në ngritjen e transparencës së gjykatës përmes publikimit të aktgjykimeve në web-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës, duke përfshirë 4 degët e saj (dega në Podujevë, dega në Graçanicë, dega në Lipjan dhe dega në Gllogoc), është gjykata me më së shumti aktgjykime të publikuara gjatë periudhës nëntor 2019 – gusht 2020. Gjatë kësaj kohe, kjo Gjykatë ka publikuar 4,000 aktgjykime, numër ky që është katërfishuar në krahasim me periudhën paraprake të monitorimit (676 aktgjykime gjatë periudhës maj-nëntor 2019).

Detajet e këtij monitorimi do të dalin edhe në raportin që FOL dhe BIRN do të publikojnë së shpejti.

Të integruar me teknologji, të ndarë me kufi

Prishtinë, 29 shtator 2020 – Lëvizja FOL me mbështetjen e ambasadës Holandeze në Prishtinë ka zhvilluar diskutime online me studentë. Në kuadër të këtyre diskutimeve, i ftuar ishte Uranik Begu – Drejtor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK).

Tema për këtë diskutim ishte: Të integruar me teknologji, të ndarë me kufi!

Sukseset e kosovarëve në nivel ndërkombëtarë sa i përket përdorimit dhe zhvillimit të teknologjisë informative, si dhe sa janë të kufizuar rinia e Kosovës si pasojë e mos liberalizimit të vizave.