Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga Kuvendi autorizime të kundërligjshme

Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga Kuvendi autorizime të kundërligjshme

E nderuar Kryetare e Kuvendit të Kosovës znj. Vjosa Osmani,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit,

Ne, organizatat dhe aktivistët e poshtëshënuar, shprehim shqetësimin tonë të thellë me kërkesën e kundërligjshme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) për autorizim të posaçëm drejtuar Kuvendit të Kosovës.

Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos e përfillë këtë kërkesë të kundërligjshme dhe të mos i ofrojë autorizime të posaçme individëve në AIP. Më datë 17 korrik 2020, Bujar Sadiku, drejtori aktual i AIP-së, ia ka dërguar një shkresë Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes me të cilën kundërligjshëm kërkon për vete autorizim të posaçëm.

Më konkretisht, z. Sadiku kërkon që Kuvendi a) ta lejojë të kryejë veprime që lidhen me funksionalizimin në plotni të Agjencisë, 2) ta fuqizojë me të drejtën e nënshkrimit të akteve nënligjore dhe 3) t’ia mundësojë të drejtën e vendimarrjes në fushën e inspektimeve dhe vendimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së qasjes në dokumente publike. Sipas kësaj kërkese, ky autorizim do t’i hapte rrugë edhe implementimit të projekteve të financuara nga Bashkimi Europian. Fillimisht ne vlerësojmë se kërkesa e z. Sadiku nuk ka bazë ligjore, siç dëshmohet me faktin që letra nuk i referohet asnjë baze ligjore ekzistuese. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale autorizimet e kërkuara nga Z. Sadiku janë në fakt kompetencë ekskluzive e Komisionerit për Informim dhe Privatësi dhe jo e drejtorit të përgjithshëm të AIP-së. Kompetencat e Komisionerit – i cili është titullari i institucionit – mund të ndryshohen vetëm me ligj. Për më tepër, rikujtojmë deputetët që Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë që të amandamentojë ligje me autorizim të veçantë. Një gjë e tillë do të ishte e mundur vetëm përmes inicimit të ndryshim-plotësimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fund, një autorizim i tillë i kundërligjshëm nuk do të ndihmonte AIP të përfitonte nga fondet ndërkombëtare por do t’i rrezikonte ato në të ardhmen.

Në mbledhjen e saj të mbajtur më 15 shtator 2020, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lexoi kërkesën e AIP, me ç’rast nuk e aprovoi autorizimin e kërkuar. Kërkesa është përcjellë si informatë në Kryesi të Kuvendit. Ne kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të mos e përfillë kërkesën e kundërligjshme të AIP për autorizim të posaçëm. Transferimi i kompetenacave të titullarëve të agjencioneve të pavarura përmes autorizimeve të posaçme nga Kuvendi do të krijonte precedent të rrezikshëm për pavarësinë e AIP-së dhe të agjencioneve të tjera.

Edhe njëherë, ne shprehim keqardhjen tonë që Kuvendi ka dështuar tre here që të zgjedhë Komisionerin për Informim dhe Privatësi. Rastet e tilla vetëm se e konfirmojnë rëndësinë dhe urgjencën që Kuvendi i Kosovës të ushtrojë mandatin e vet kushtetues dhe të përzgjedhë titullarin e kësaj agjencie të pavarur. Ne inkurajojmë Kuvendin që të rifillojë procedurën për përzgjedhjen e Komisionerit, të cilin proces ne do të vazhdojmë ta monitorojmë.

FOL

KCSF

KDI

D4D

GAP

COHU

GLPS

Flutura Kusari