Bashkëbisedim mes studentëve dhe përfaqësueseve të Gjykatës dhe të Prokurorisë Themelore në Gjilan

Gjilan, 29 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedimin e radhës mes studentëve dhe përfaqësueseve të Gjykatës dhe të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.

Agron Uka zëvendës kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan foli për punën e kësaj prokurorie dhe në veçanti për rastet kundër korrupsion. “ Sivjet ka një rënie, këtë vit janë vetëm 44 lëndë të kësaj natyre. Arsyeja e kësaj rënie besoj qe është bashkëpunimi i institucioneve Polici-Prokurori-Gjykatë në këtë drejtim”, tha Uka, duke shtuar se vonesat eventuale janë kryesisht procedurale dhe për këtë arsye mund të ketë vonesa ngase nëse dërgohet një lëndë me nguti dhe neglizhohen procedurat e parapara ai rast sërish do të kthehet në rigjykim. Më tej ai tha para studentëve se Prokuroria Themelore në Gjilan, iu ka dhënë prioritet lëndëve antikorrupsion. Ai inkurajoj studentët që të marrin pjesë në seanca të ndryshme ngase kjo ju ndihmon në ushtrimin më të lehtë të këtij profesioni në të ardhmen.

Sabit Shkodra pas prezantimit të punës së Gjykatës Themelore në Gjilan tha se Gjykata Themelore e Gjilanit ka lëndë të kësaj natyre, sipas tij deri më tani janë kryer 32 lëndë kundër korrupsion, duke përfshi aty edhe lëndë të kryetarëve të komunave, zyrtarëve komunal dhe lëndë tjera ku përfshihen profile të larta. Rreth pyetjes se çka bënë gjykata themelore e Gjilanit për ti njoftuar dhe vetëdijesuar të rinjtë në luftimin e korrupsionit, ai tha se “rreth kampanjave për informim ne si gjykate jemi të kufizuar, mirëpo KGJK këtu do të mund të bënte më shumë”.

FOL ka dy vite që organizon bashkëbisedime tilla me studentë dhe prokurorë e gjykatës në Prishtinë, ndërkaq tani ka filluar që këto bashkëbisedime ti mbajë edhe nëpër qytete tjera.

 

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile. Civil Society Foundation – KCSF