Portali shtetëror E-KOSOVA po merr formë

Prishtinë 14 prill 2016 – Lëvizja FOL në bashkëpunim me Innovation Centre Kosovo dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast është bërë prezantimi i koncept dizajnit të portalit shtetëror E-KOSOVA.
Petrit Zogaj, nga Lëvizja FOL tha se puna që po prezantohet sot ka filluar disa vite me parë dhe vjen si rezultat i një bashkëpunimi me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Innovation Centre Kosovo dhe gjithashtu mbështetjes si nga ana institucionale ashtu edhe financiare e Ambasadës Britanike në Prishtinë. E – Kosova do të jetë një dritare për qytetarët e Kosovës të cilët do të kenë mundësi që shumë shërbime t’i kryejnë online pa pasur nevojë që të jenë prezent në institucionin që kërkojnë shërbim. “Ta bëjmë teknologjinë një lloj zëvendësuesi të administratës, jo ta zvogëlojmë administratën po ta lehtësojmë punën e tyre e gjithashtu të shmangën e keqpërdorimet e mundshme zyrtare”, tha Zogaj.

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell tha se Qeveria Britanike është e interesuar që Kosova të bëhet shtet, ku institucionet janë përgjegjëse për shpenzimin e parasë publike. “Kosova si shtet me i fortë ku rendi dhe ligji do të funksiononte në mënyrë të paanshme do të ishte një mundësi e mirë për investimet e huaja. E tërë kjo do të mundësohet falë qeverisjes së mirë të institucioneve. Por çfarë po ndodh? Kosova ende ka probleme me korrupsionin dhe sistemin e drejtësisë. E ardhmja e juaj dhe fëmijëve tuaj varet drejtpërdrejt nga sundimi i ligjit”, deklaroi O’Connell duke shtuar se është mëse e nevojshme që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike.
“Si qytetarë i Kosovës konsideroj se sundimi i ligjit, transparenca dhe llogaridhënia janë shtyllat e demokracisë. Vetëm në këtë mënyrë qytetari mund ta kthej besimin në institucionet e Kosovës”, tha O’Connell.

Uranik Begu drejtor ekzekutiv i ICK-së tha se në fillim kur jemi njoftuar për këtë projekt na është dukur diçka inovative dhe e kemi pranuar me shumë përgjegjësi. “Falë bashkëpunimit me FOL dhe ASHI e gjithashtu edhe puna me fokus grupe që kemi mbajtur me OJQ, Media dhe Institucione të ndryshme kemi arritur ta kemi një koncept të dizajnit E-KOSOVA, por ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim”, tha Begu, duke shtuar se kjo platformë nuk do duhej të ketë pronar por do të duhej të ishte e të gjithëve.

Kujtim Gashi, drejtor ekzekutiv i ASHI-së,tha se duke parë zhvillimin e teknologjisë kjo që sot po diskutojmë është një çështje shumë e rëndësishme. “Ky portal është rrjeti dhe resursi më i mirë që qeveritë e përdorin që të jenë më afër qytetarit. Institucionet e Kosovës kanë shpreh gatishmëri që të punojnë më shumë në transparencë dhe llogaridhënie dhe kjo dëshmon me hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore me të cilat rregullohet kjo sferë”, tha Gashi, duke shtuar se portali do të jetë një dritare ku qytetarët mund ta shfrytëzojnë për të marrë informatat që i nevojiten apo edhe të kryejnë edhe shërbime online. Gashi tha se Institucionet e Kosovës po fillojnë t’i hapin të dhënat në mënyrë që të jenë sa më afër qytetarit dhe se E-Kosova do të jetë vetëm një gur në ndërtimin e një sistemi më transparent dhe llogaridhënës.

Zana Tabaku, nga ICK prezantoi konceptin e dizajnit të portalit shtetëror E-Kosova, ku tha se ndërtimi i këtij portali është bazuar në Planin Nacional të Veprimit. “Kosova do të ketë portal për shërbime për qytetarë, biznese dhe institucione. Aktualisht janë futur disa shërbime që janë marrë nga Plani Nacional”.

Portali Shtetëror E-KOSOVA (1) Portali Shtetëror E-KOSOVA (3) Portali Shtetëror E-KOSOVA (5) Portali Shtetëror E-KOSOVA (6)