Komuna e Ferizajt për periudhën Janar-Shtator 2015 realizon 142 kontrata

Ferizaj, 18 nëntor, 2015. Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezë për Prokurimin Publik në Ferizaj. Në këtë tryezë panelist ishin Drejtori i Prokurimit, z. Abdurrahman Uruqi, Udhëheqësi i Komitetit për Politikë dhe Financa, z.Faruk Guri, dhe Koordinatorja e Projekteve në FOL, znj.Shengjyl Osmani. Në këtë debat është diskutuar rreth procesit të prokurimit, ankesave të operatorëve ekonomik, si dhe gjendjes aktuale, krahasuar me vitin paraprak.

Shengjyl Osmani prezantoi të gjeturat statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, të publikuara nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), dhe theksoi se ndonëse është rritur numri (pothuajse dyfishuar) i njoftimeve për kontratë nga KRPP, gjithashtu është rritur edhe numri i vendimeve të OSHP-së kundër autoritetit kontraktues, konkretisht kundër Komunës së Ferizajt, ku ankesat e operatorëve ekonomik ankues janë aprovuar plotësisht.

z.Abdurrahman Uruqi, Drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Ferizajt, fillimisht theksoi se Komuna është duke shënuar një rritje në pranimin e ofertave për tenderë nga operatorë ekonomik të ndryshëm, të interesuar. Më tej, z.Uruqi theksoi se për vitin 2015, Janar-Shtator, ata kanë realizuar 142 kontrata dhe parashohin që deri në fund të vitit ta realizojnë plotësisht planifikimin për prokurim për vitin 2015.

Në anën tjetë, z.Faruk Guri, nga Komiteti për Politikë dhe Financa, njëkohësisht edhe kryesues i Kuvendit Komunal potencoi se duhet ndryshuar Ligjin për Prokurim Publik, në mënyrë që procesi i prokurimit të jetë më transparent dhe efikas, ku do të mund të llogaritej performanca e mirë e tenderuesve, e jo vetëm ofertimi më i lirë.

Pas prezantimit të panelistëve, fjalën e mori z.Mustafa Grainca, anëtar i Kuvendit Komunal, nga rradhët e PDK-së, i cili nuk u pajtua aspak që gjendja e prokurimit është duke u zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai më tej iu referua Raportit vjetor të Auditorit të Përgjithshëm, ku tha se gjendja e prokurimit në Ferizaj, për çdo vjet pothuajse ngelet e njëjtë, dhe se rekomandimet e cekura nuk implementohen aspak nga zyrtarët komunal, por ngelen vetëm në letër.

Më tej, z.Rasim Maloku, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt tha që është shumë e nevojshme që prokurimi të bashkëpunojë edhe më ngushtë me organet ligjore komunale, që të jetë edhe më efikas një veprim i përbashkët lidhur me verifikimin dhe mbikqyrjen e fazave të implementimit të projekteve. Gjithashtu ai theksoi, që të jetë më e mundshme që një shkelje nga më të voglat nga ana e OE përgjegjës të hetohet sa më shpejtë e të mos lejohet që të arrihet deri në vepër penale, që është një proces më i gjatë e më i ngadalshëm, dhe që e dëmton gjithë komunitetin.