Kosova me nivel të dobët të zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike
Prishtinë, 28 shtator 2012– 28 Shtatori shënon ditën ndërkombëtare (joformale) të së drejtës për të ditur apo qasjes në informacion zyrtar. E drejta ndërkombëtare për të ditur ka filluar së shënuari që nga data 28 shtator 2002. Në këtë ditë organizatat anekënd botës punojnë së bashku për të promovuar të drejtën e qasjes në informacion zyrtar duke fuqizuar transparencën dhe llogaridhënien.
Mexhide Demolli- Nimani, koordinatore e Zyrës për Media deklaroj se Lëvizja FOL tradicionalisht e ka shënuar këtë datë në forma të ndryshme. “Këtë vit FOL për të analizuar nivelin e zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike, gjatë muajit shtator ka filluar fushatën “Testi i Përgjegjshmërisë”. Gjatë kësaj fushate FOL ka komunikuar drejtpërdrejt me qytetarë në 8 komuna të Kosovës, duke iu ofruar një lehtësim qytetarëve të interesuar për të bërë kërkesa për qasje në dokumente publike” tha Demolli-Nimani.
Sipas saj, pjesë e kësaj fushate ka qenë edhe një anketë e pa-standardizuar, qëllimi i të cilës ka qenë mbledhja e informacioneve mbi përvojën e qytetarëve në lidhje me shfrytëzimin e shërbimeve publike, përkatësisht qasjen në dokumente publike në institucionet e nivelit qendror dhe lokal.
Ndërkaq Jetmira Bajrami koordinatore nw Lëvizjen FOL tha se anketa e pa-standardizuar, ka përfshirë 274 qytetarë. “Edhe pse shumica e të anketuarve (53.6 %) janë përgjigjur se dinë për ekzistimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, niveli i njohurisë për përmbajtjen e ligjit është jashtëzakonisht i mangët”, tha Bajrami.
Sipas të gjeturave të anketës rezulton se niveli i interesimit të qytetarëve për të bërë kërkesa për qasje në dokumente publike është shumë i ulët. “Vetëm 22.2% e tyre kanë deklaruar se kanë bërë kërkesa të tilla drejtuar institucioneve, kundrejt 77.3% e tyre që nuk kanë bërë asnjëherë kërkesa të tilla. Shumica e këtyre kërkesave janë bërë në nivelin komunal: 98.3% e qytetarëve kanë deklaruar se kanë bërë kërkesa në komunat e tyre dhe vetëm 1.6% prej tyre kanë bërë kërkesë në nivelin qendror. Rreth 60.6% prej këtyre kërkesave që janë bërë nga ana e qytetarëve të Kosovës nuk kanë marrë përgjigje nga ana e institucioneve, kundrejt 39.3% të rasteve të cilat kanë marrë një përgjigje të tillë. Në këto përgjigje, 58.3% të rasteve kanë qenë përgjigje pozitive, 8.3% kanë qenë përgjigje negative dhe në 33.3% të rasteve institucionet kanë lejuar qasje të pjesshme.
Ndërkaq në pyetjen se nga informohen për aktivitetet komunale dhe ato qendrore rezulton se 49.1% e qytetarëve e përdorin si burim kryesor televizionet lokale/kombëtare. Pastaj vijnë gazetat ditore me rreth 31.4% si dhe me 19.5%, uebfaqet e institucioneve”, deklaroj Bajrami.
Përveç realizimit të anketës, Mexhide Demolli-Nimani tha se gjatë kësaj fushatë janë bërë gjithsej 123 kërkesa për qasje në informacion publik në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. “Numri i kërkesave të dorëzuara në komunat të Kosovës është: Mitrovicë-19, Prizren-15, Gjakovë-14, Podujevë-15, Ferizaj-15, Gjilan-15, Kamenicë-15, Pejë-14, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – 1”,tha ajo.
Lëvizja FOL në përputhje me afatin ligjor është duke pritur përgjigjet në kërkesa nga institucionet respektive për të nxjerrë pastaj një vlerësim rreth nivelit të zbatueshmërisë së ligjit.
Duke marrë parasysh nivelin jashtëzakonisht të ulët të komunikimit të institucioneve më qytetarët, pra të zbatimit të dispozitave ligjore në lidhje më informimin publik, FOL apelon te institucioni i Avokatit të Popullit që në përputhje me nenin 17 të ligjit për qasje në dokumente publike të rris aktivitetet që kanë për qëllim zbatimin e së drejtës për qasje në dokumente publike.
Galeria e aktivitetit