Qeveria e Kosovës të dërgojë në Kuvend propozimet për anëtarë të OSHP
Prishtinë, 12 Shtator 2013- Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që nga data 31 Korrik 2013 kur i ka përfunduar mandati 4 nga 5 anëtarët e bordit drejtues duke përfshirë edhe kryetarin është jo-funksional. Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, OSHP përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen nga Qeveria e Kosovës dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës për një mandat 5 vjeçar. Kuvendi i Kosovës themelon një organ përzgjedhës, të pavarur, i përbërë nga tre gjykatës të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Kuvendi pranon rekomandimet e këtij organi për anëtarët e rinj të OSHP dhe pastaj votohen.
Qeveria e Kosovës i ka neglizhuar afatet ligjore dhe ende nuk ka propozuar anëtarët e OSHP-së, të cilët do të dërgohen për emërim në Kuvendin e Kosovës.
OSHP ka rol tejet të rëndësishëm në funksionimin e tërë sektorit të prokurimit publik, duke qenë institucion i cili në bazë të Ligjit për Prokurim Publik ka kompetencat dhe përgjegjësit për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të ankesave për sa i përket procedurave të prokurimit publik, i cili është njëri ndër instrumentet përmes të cilit harxhohen pjesa më e madhe e parasë publike. Duke qenë i tillë prokurimi publik është tejet i ekspozuar ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
Në këtë periudhë kur OSHP është jo-funksionale, zhvillimi i procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave nga ana e institucioneve po vazhdon, pavarësisht se operatorët ekonomik nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për tu ankuar për çështje të caktuara. Kjo situatë e krijuar mund të ketë për pasojë dëmtimin e rëndë të parasë publike dhe konkurrencës së drejtë mes operatorëve ekonomik.
Prandaj, duke u bazuar në mandatin që Qeveria e Kosovës ka për propozimin e anëtarëve të OSHP-së dhe që Kuvendi i Kosovës ka për emërimin e këtyre anëtarëve, kërkojmë që këto procedura të kryhen sa më shpejtë që të jetë e mundur pasi që janë shkelur afatet ligjore, dhe OSHP-ja të bëhet funksionale për të kryer detyrën që i përcaktohet me ligj.
Mbetja jo-funksionale e OSHP-së do të ndikon edhe më tej në rritjen e mundësive për korrupsion dhe keqpërdorim duke marrë parasysh faktin që pjesa më e madhe e parasë publike harxhohet përmes procedurave të prokurimit publik.