Debati i 5-të me radhë nëpër komuna për “Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve” në Mitrovicë
Mitrovicë, 07 Gusht – Lëvizja FOL në kuadër të serisë së debateve nëpër komuna për “Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve” ka mbajtur sot takimin e radhës në qytetin e Mitrovicës me temën “Pakoja Ligjore Anti-Korrupsion: Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”. Në këtë debat u diskutua për nivelin e zbatimit të ligjeve anti-korrupsion, respektivisht Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve, si dhe se sa zyrtarët publikë denoncojnë parregullsitë, veprimet e kundërligjshme apo edhe rastet e korrupsionit brenda institucioneve të tyre përkatëse.
Në fillim Elbasan Racaj koordinator i projektit nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat e hulumtimit që Lëvizja FOL ka bërë rreth zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve. Ndër të tjera ai tha se 73.6% e zyrtarëve janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërsa 23.4% nuk janë fare të informuar për ekzistimin e ligjit në fjalë. Tutje, Racaj ka shtuar që, zyrtarët publikë kanë njohuri edhe më të pakta kur bëhet fjalë për përmbajtjen e ligjit, ku vetëm 15.3% e këtyre zyrtarëve deklarohen të kenë njohuri të thella, 60% deri diku, 21% pak, kurse 4% deklarohen të mos kenë fare njohuri përmbajtjesore. Më pas ai hapi diskutimin për të pranishmit në takim.
Drejtori i Administratës në Komunën e Mitrovicës, Abdullah Bejtullahu, tha se, “për këtë ligj është dashur të diskutohet më herët.” Ai më tej shtoi se, “në komunën e Mitrovicës nuk ka njohuri të mëdha për ligjin në fjalë, ku vetëm 60% e tyre janë në dijeni për ekzistimin e këtij ligji. Ai po ashtu tha, “komuna e Mitrovicës nuk ka person zyrtar për mbikëqyrjen e parregullsive, kështu që informatori zakonisht kalon informatën drejtpërdrejtë tek eprori i vet, pra në mënyrë hierarkike.” Tutje ai ceku se, “duke u bazuar në përvojën time si drejtor i administratës publike nuk kemi pasur ndonjë denoncues apo raportues të parregullsive.”
Më pas, drejtori i Prokurimit Shefik Fazliu tha se, “për ligjin në fjalë kam dëgjuar tash së voni.” Tutje ai deklaroi të mos ketë hasur në ndonjë raportim pranë drejtorisë ku ai punon. Vërejtja nga ana e Drejtorit të Prokurimit ishte që, “informatori duhet të përmbahet nga denoncimi i informatave të pavërteta dhe duhet të respektoj dispozitat e këtij ligji”.
Ndërsa, Avni Alidemaj nga ana e Iniciativës Qytetare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Mitrovicë theksoi të mos ketë pasur njohuri për ligjin në fjalë, deri në këtë tryezë të organizuar nga ana e Lëvizjes “FOL”. Me këtë rast, Alidemaj, fajëson institucionet gjegjëse për mos promovimin e mjaftueshëm të këtij ligji. Po ashtu, ai deklaroi se përveç zbrazëtirave në dispozitat e këtij ligji, në anën tjetër mungon edhe institucioni i Gjykatës Administrative, e cila ndoshta do të ishte organi më kompetent në procedimin e këtyre lëndëve, ngase gjykatat gjegjëse respektivisht Gjykatat Themelore nuk i japin rëndësi paraqitjes së ndonjë raportimi eventual rreth ndonjë afere të korrupsionit apo ndonjë parregullsie të shkaktuar nga ana e zyrtarëve komunal.
Hysni Syla zyrtar komunal në Mitrovicë tha se, “përqindja e nxjerrë nga hulumtimi i Lëvizjes “FOL”, ku thuhet se 73% e zyrtarëve publik kanë njohuri mbi ligjin, nuk përkon me realitetin, ngase mendohet se më pak zyrtarë kanë njohuri mbi këtë ligj si nga ana e ekzistimit po ashtu edhe nga ana përmbajtësore.” Ai tutje shtoi se, “ky ligj ka mangësi të mëdha, ku fillimisht nuk sigurohet anonimiteti i raportuesit si dhe nuk parashikon masa mbrojtëse për raportuesin”.
Në vijim të diskutimit Selvije Kurti aktiviste nga Shoqëria Civile tha se, “ligji brenda vetes është konfuz sidomos në nenin 2. pika 1.1, ku nuk është e qartë nëse ky ligj u referohet vetëm zyrtarëve publik apo edhe qytetarëve në të njëjtën kohë.” Ajo më tej shtoi se, “këtij ligji duhet t’i bëhet një promovim i mëtutjeshëm ngase sipas saj administrata në komunën e Mitrovicës nuk ka aspak njohuri sa i përket ligjit.”
Fahrije Kabashi po ashtu aktiviste nga radhët e Shoqërisë Civile në Mitrovicë theksoi se, “edhe shoqëria civile duhet të jetë e përfshirë në këtë ligj së bashku me kategoritë e tjera të parapara me nenin 2. pika 1.2 të Ligjit mbi Mbrojtjen e Informatorëve”.
Galeria e aktivitetit