Prokurimi elektronik i domosdoshëm për transparencë në shpenzimet publike
Prishtinë, 14 qershor – Lëvizja FOL, ka mbajtur sot konferencën me temën “Efektet e Prokurimit Elektronik në ngritjen e Transparencës së Prokurimit Publik”. Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Agjencia e Prokurimit Publik e Republikës së Shqipërisë, përfaqësues të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë si dhe përfaqësues të autoriteteve të ndryshme të prokurimit publik, shoqërisë civile dhe mediave.
Fidan Kalaja, nga Lëvizja FOL, deklaroj se FOL që nga viti 2011 është fokusuar në monitorimin e procedurave të prokurimit publik. “Duke pas parasysh që korrupsioni në prokurimin publik ka qenë i lartë dhe se ka mungesë shqetësuese të transparencës në këtë sektor, ne qysh në vitin 2011 kemi rekomanduar që institucionet publike duhet të fillojnë zbatimin e prokurimit elektronik për të minimizuar aferat korruptive në këtë sistem” tha ai. Duke pas parasysh se “Lëvizja FOL ka iniciuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Open Government Partnership – OPG, ngritja e transparencës së prokurimit publik përmes implementimit të prokurimit elektronik është kriter kryesor për anëtarësim dhe për këtë Qeveria e Kosovës duhet përshpejtojë hapat drejt fillimit të zbatimit të këtij sistemi” deklaroi Kalaja.
Ndërkaq, Bleda Muhollari nga Agjencia e Prokurimit Publik e Republikës së Shqipërisë, tha se në Shqipëri ky sistem ka filluar së aplikuari nga viti 2009. “Sistemi i prokurimit elektronik ofron përgatitje dhe administrim të sigurt, efikas dhe transparent të te gjithë dokumenteve që lidhen me procesin e tenderimit, duke mënjanuar formën e dorëzimit të dokumentacionit në letër dhe duke siguruar një rrjedhë të sigurt të të dhënave përgjatë gjithë procesit” deklaroj Muhollari. Sipas saj ky sistem redukton ndjeshëm kohën e aplikimit, eliminon dokumentacionin e panevojshëm, lehtëson dhe standardizon njohjen me kushtet e tenderit, garanton fshehtësinë e ofertës, gjeneron raporte si dhe ruajtjen elektronike të tyre për kontrolle të mëvonshme duke pakësuar mundësin e devijimeve korruptive. Muhollari deklaroj se duke përdorur këtë sistem “Shqipëria u bë vendi i parë në botë që zbaton një sistem të prokurimit elektronik për të gjitha procedurat e prokurimit të sektorit publik”. Gjithashtu sipas saj “zbatimi i këtij sistemi ka pasur efekt edhe në rritjen e konkurrencës së lirë “ku numri i ofertave për një procedurë tenderimi nga 2 ka kaluar mesatarisht në 7 oferta”.
Përfaqësuesi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë, Abdyl Limani, deklaroj se Banka Botërore është në përgatitje të një plani strategjik të sistemit të prokurimit elektronik në Kosovë. “Do të ishte më lehtë që Kosova ta merr programin e Shqipërisë, mirëpo ekspertët nga Banka Botërore kanë menduar se secili shtet ka specifikat e veta, andaj edhe Kosova duhet të ketë një sistem të prokurimit elektronik të veçantë”, tha Limani. Sipas tij, deri më tani legjislacioni në fushën e prokurimit publik ka pësuar gjithsej 5 ndryshime. Edhe tani është në përgatitje për ndryshime tjera dhe së shpejti do të bëhen edhe ato. Limani deklaroi se sipas premtimeve që kanë marrë nga Banka Botërore deri në fund të këtij viti do të jetë gati edhe sistemi i prokurimit elektronik.
Alban Hashani nga Instituti Riinvest, tha se në një tryezë të ngjashme na është premtuar se në janar të këtij vit do të fillojmë me prokurimin elektronik dhe për këtë “do ishte mirë që KRPP-ja dhe institucionet publike të na jap një përgjigje të saktë se kur do të ndodh kjo”, tha Hashani.
Në këtë konferencë gjithashtu u diskutua rreth asaj se janë të gatshme dhe të përgatitura institucionet e Kosovës për implementimin e një sistemi të tillë duke pas parasysh aplikimin e teknologjisë më të avancuar elektronike. Mirëpo edhe pse u diskutuan shumë sfida që presin Kosovës rreth këtij procesi, konkludimi i përbashkët i pjesëmarrësve në këtë konferencë ishte se Kosova nuk duhet humbur më kohë dhe duhet fillojë sa më parë zbatimin e prokurimit elektronik duke pas parasysh efektet pozitive që ky sistem do i sjellë në mbarëvajtjen e procedurave të prokurimit publik në Kosovë.