Programi i Debatit “Karl Popper” avancohet në organizatë të pavarur: Debate Center

Lëvizja FOL në vitin 2009 riktheu Programin e Debatit ‘Karl Popper’ në Kosovë. Ky program ka qenë dhe mbetet ndër programet më atraktive për të rinjtë e Kosovës për të zhvilluar mendimin kritik, kreativitetin dhe aftësitë hulumtuese për çështje të ndryshme sociale, politike, ekonomike dhe kulturore.

Për këto vite, FOL ka zgjeruar debatin në më shumë se dhjetë komuna të Kosovës, duke angazhuar dhe trajnuar afro 1000 nxënës të shkollave të mesme. Janë organizuar turnamente lokale, rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare, ku të rinjtë kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme të debatit dhe kulturës debatuese. Në vitin 2010, FOL është bërë anëtar në International Debate Education Association (www.idebate.org ), e cila ka si mision zhvillimin e kulturës së debatit në nivel global.

Duke marrë parasysh zhvillimin e këtij programi në shumë komuna të Kosovës, duke parë një interes të madh nga të rinjtë e Kosovës për përfshirje në këtë program, dhe duke marrë parasysh që Lëvizja FOL ka filluar të punojë me strategji të re 2013-2015 (që është miratuar në dhjetor të vitit 2012), është vendosur që Programi i Debatit “Karl Popper” të avancohet në organizatë të pavarur.

Ky program është mbështetur në vazhdimësi nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), si dhe nga disa komuna dhe institucione qendrore të Republikës së Kosovë.

Duke qenë një spin-off i Lëvizjes FOL, organizata Debate Center do të ketë mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për të zbatuar programin dhe aktivitetet e saja në çdo kohë. Po ashtu, kërkojmë nga organizatat partnere, të cilat kemi bashkëpunuar deri më tash më programin e debatit, që ta mbështesin dhe të kenë një bashkëpunim në të njëjtin nivel sikurse kanë pasur më FOL-in.