Prokurimi, fushë më plot probleme
Prishtinë, 30 Maj – Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin me temën “Problemet e Autoriteteve Kontraktuese në Fushën e Prokurimit”, ku janë prezantuar problemet e identifikuara nga Lëvizja FOL gjatë monitorimit të saj në procedurat e prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë, Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe në Ministrinë e Administratës Publike.
Në këtë debat, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës Publike dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, është thënë se problemet në procedurat e prokurimit nisin që nga Njësia Kërkuese, e cila edhe bën specifikimet teknike, e të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë të jenë diskriminuese për operatorët ekonomikë.
Në këtë debat është cekur njashtu se hartimi i dosjeve të tenderit vazhdon të jetë një nga problemet kryesore, ku për shkak të kërkesave të mëdha dhe jo të harmonizuara mirë për dokumentacionet që duhet të sjellin Operatorët Ekonomikë, ata hezitojnë të aplikojnë ose në të shumtën e rasteve nuk arrijnë t”u përmbahen kërkesave të përcaktuara nga Autoritetet Kontraktuese.
Menaxheri i Prokurimit në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Sadri Emërllahu, ka thënë se “Nga viti 2012 kemi filluar që të kërkojmë dokumentacione minimale dhe të mos i anulojmë tenderët për çështje administrative dhe kjo ka rritur numrin e pjesëmarrësve të operatorëve ekonomikë në tenderë të ndryshëm”.
Ndërkaq, Admir Salihu nga Lëvizja FOL ka potencuar se “Shumë parregullsi që ndodhin në fushën e prokurimit janë si rezultat i mangësive të shumta të Ligjit për Prokurim Publik”. Me tej, ai ka pohuar se “në disa raste Ministritë duhet të bashkojnë kërkesat dhe të shpallin tenderë të përbashkët, pastaj duhet që stafi i prokurimit të profilizohet edhe më shumë nga ana e përgatitjes profesionale, si dhe të përmirësohen kushtet e punës për zyrat e prokurimit”. Më këtë rast Lëvizja FOL ka rekomanduar që specifikimet teknike të hartohen më me kujdes dhe në mënyrë profesionale, pastaj komisionet e vlerësimit të jenë më kompetente dhe dosjet e tenderit të standardizohen.