“Corruption Connecting Politicians” ” Politikanët rreth korrupsionit të përbashkuar
17 shkurt 2012 – Qytetarët e Kosovës sot festojnë katër vjetorin e pavarësisë që erdhi si rezultat i sakrificave të mëdha e shumë vjeçare të popullit të Kosovës si dhe mbështetjes së fuqishme nga shtete mike të popujve liridashës.
Të gjithë ne i gëzohemi krijimit të shtetit të Kosovës, i cili është ndërtuar mbi parime demokratike që nënkupton një shtet për qytetarët, nga qytetarët dhe prej qytetarëve.
Përderisa ne sot kemi shumë arsyeje që të festojmë, data 17 shkurt duhet gjithashtu të shërbej si një datë kur ne duhet të kujtojmë vlerat dhe parimet mbi të cilat është krijuar shteti i Kosovës. Përderisa elita politike në Kosovë do të flas për të arriturat, ne sot dëshirojmë të flasim për atë që më së shumti kërcënon shtetin e Kosovës, pra korrupsionin.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar po dëmtojnë progresin ekonomik të Kosovës duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës sociale, po pengon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit të Kosovës si dhe mbi të gjitha po parandalon përmbylljen e mirëfilltë të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë kuptim, aksioni i ditës së sotme, Politikanët rreth Korrupsionit të Përbashkuar “Corruption Connecting Politicians”, është një protestë qytetare karshi një sjellje të pacipë prej anës së elitës politike të vendit, e cila e ka zhytur shtetin në korrupsion. Korrupsioni është i shpërndarë në të gjitha institucionet e shtetit sepse ky është vullneti i elitës politike të Kosovës, të cilët buxhetin publik të vendit e kanë shndërruar në një burim të përhershëm të financimit të kënaqësive të tyre.
Për ndërtimin e një shteti të fuqishëm e funksional është jetike që qytetarët të kenë besim në institucionet e vendit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë rrënuar lidhjen ndërmjet shtetit dhe qytetarit. Përderisa ne sot festojmë pavarësinë politike, ende ka rrugë për të bërë që shteti i Kosovës të ketë pavarësi të mirëfilltë në mënyrë që të ketë vetë-qëndrueshmëri. Korrupsioni është pengesa kryesore në këtë drejtim.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë mjegulluar të ardhmen e Kosovës. E vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në Kosovë është lufta kundër korrupsionit prej institucioneve të shtetit të Kosovës si dhe shkëputja e lidhjeve ndërmjet elitës politike na njërën anë dhe krimit e korrupsionit në anën tjetër.