Publikimi i raportit “Investimet Publike në Sektorin e Arsimit ” Sektori i Arsimit të Lartë 2008-20

Prishtinë 16 mars 2011 ” Lëvizja FOL ka mbajtur sot një konferencë për shtyp, ku ka prezantuar Raportin mbi “Investimet Publike në Sektorin e Arsimit ” Sektori i Arsimit të Lartë 2008-2010″.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL ka bërë thirrje për më shumë transparencë në investimet publike dhe ka kërkuar njëherazi një përfshirje më të madhe të shoqërisë civile në dizajnimin dhe përcaktimin e prioriteteve për sektorin e arsimit.

Ndërkaq, analisti i politikave, Armend Mazreku, ka bërë prezantimin e të gjeturave të këtij raporti. “Përkundër progresit të arritur gjatë viteve 2008, 2009, 2010, ende mbesin probleme dhe sfida të mëdha”, ka thënë Mazreku. Ai ka kërkuar që sektori i arsimit të mos shikohet si problem në vete, por si mundësi për zhvillimet e gjithëmbarshme socio-ekonomike, kulturore dhe politike. “Institucionet e arsimit të lartë duhet të orientohen drejtë sferës së hulumtimeve dhe publikimeve shkencore, jo vetëm në funksionin e tyre mësim-dhënës. Pastaj, problem tjetër mbetet infrastruktura e pamjaftueshme, mungesa e stafit akademik dhe buxheti i vogël për sektorin e arsimit në përgjithësi dhe për atë të lartë në veçanti”.

Me gjerësisht shih përmbledhjen ekzekutive që ka prezantuar z. Mazreku:

Në periudhën 2004-2007 janë investuar gjithsej 121 milion euro. Në vitin 2004 janë investuar në total rreth 35 milion euro, në 2005 rreth 24 milion euro, në 2006 rreth 27 milion euro dhe në 2007 rreth 33 milion euro. Ky trend i investimeve tregon për një gjendje të pandryshueshme sa i përket fokusit në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor në përgjithësi.

Prej vitit 2008-2010 janë investuar gjithsej rreth 146milion euro. Në vitin 2008 janë investuar rreth 56 milion euro, në vitin 2009 rreth 52 milion euro, ndërkaq në vitin 2010 ka pasur rënie në këto investime me gjithsej 37 milion euro;
Fondet Publike sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2011-2013 do të jenë rreth 174 milion euro. Për vitin 2011 parashihen gjithsej 57 milion euro, në 2012 rreth 55 milion euro dhe në vitin 2013 do të rriten në rreth 61 milion euro;

Struktura e organizimit të institucioneve të arsimit të lartë kompozohet prej 2 universiteteve publike, 10 kolegjeve universitare private, 5 shkollave profesionale dhe 3 instituteve. Në kuadrin e tyre funksionojnë 122 janë programe publike, 69 private, 6 nga institutet dhe 14 nga shkollat profesionale. Këto programe përfshijnë nivelin e studimeve themelore (Bachelor) dhe ato post-diplomike (Master).

Gjatë vitit 2008 në arsimin e lartë janë investuar rreth 15 milion euro. Prej tyre rreth 8 milion euro janë shpenzuar për paga dhe mëditje, mbi 3 milion euro për mallra dhe shërbime, rreth 1 milion euro për shpenzime komunale dhe 2,3 milion euro për investime kapitale. Prej tyre Universiteti i Prishtinës ka shpenzuar 7,3 milion euro për paga dhe mëditje, 2,8 milion euro për mallra dhe shërbime, 945 mijë euro për shpenzime komunale. Qendra e studentëve ka shpenzuar në të gjitha kategoritë gjithsej 1,1 milion euro, Institutet 480 mijë euro dhe Instituti Pedagogjik 116 mijë euro;

Gjatë vitit 2009 në arsimin e lartë janë investuar në total 13,6 milion euro. Prej tyre Qeveria e Kosovës ka investuar 8,5 milion euro për paga dhe mëditje, 3,3 milion euro për mallra dhe shërbime, 1,3 milion euro për shpenzime komunale dhe mbi 375 mijë euro për investime kapitale. Nga këto investime Universiteti i Prishtinës ka marrë 7,5 milion euro për paga dhe mëditje, 3 milion euro për mallra dhe shërbime dhe mbi 947 mijë euro për shpenzime komunale. Qendra e Studentëve ka shpenzuar 661 mijë euro për paga dhe mëditje, 182 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 337 mijë euro për shpenzime kapitale. Institutet kanë shpenzuar 283 mijë euro për paga dhe mëditje, mbi 103 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 54 mijë euro për shpenzime komunale;

Në vitin 2010 janë destinuar gjithsej 15 milion euro për arsimin e lartë. Prej tyre Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2009 ka investuar 11,1 milion euro për paga dhe mëditje, 3,3 milion euro për mallra dhe shërbime, 1,4 milion euro për shpenzime komunale dhe 2,2 milion euro për investime kapitale. Nga këto investime Universiteti i Prishtinës ka marrë mbi 10 milion euro për paga dhe mëditje, 2,9 milion euro për mallra dhe shërbime dhe mbi 1 milion euro për shpenzime kapitale. Qendra e Studentëve ka shpenzuar 646 mijë euro për paga dhe mëditje, 201 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 337 mijë euro për shpenzime komunale. Institutet kanë shpenzuar 321 mijë euro për paga dhe mëditje, mbi 118 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 40 mijë euro për shpenzime komunale. Instituti Pedagogjik ka shpenzuar 73 mijë euro për paga dhe mëditje, 33 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 9 mijë euro për shpenzime komunale;

Qeveria e Kosovës ka investuar gjithsej 4,9 milion euro në projektet kapitale. Në kuadër të këtyre projekteve hyjnë Instituti i Historisë, Ndërtimi i Konviktit të Studentëve në Prishtinë, Renovimi i Fakultetit të Mjekësisë, Ndërtimi i Fakultetit të Edukimit në Prishtinë, Renovimi i Institutit Albanologjik, Ngritja e Infrastrukturës, etj