Lëvizja FOL dërgon letër të hapur udhëheqjes së BE-së rreth procesit të liberalizimit të vizave
Prishtinë, 24 shkurt 2014 – Lëvizja FOL ka zhvilluar sot konferencë për media me ç’rast ka prezantuar letrën e hapur drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Me këtë rast Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL deklarojë se “përmes kësaj letre FOL si organizatë e shoqërisë civile shpreh shqetësimin e saj në të cilën Kosova dhe qytetarët e saj gjenden sa i përket perspektivës së liberalizimit të vizave”. Sipas tij “duke njohur plotësisht përpjekjet e tyre të deritanishme, nga pikëpamja e shoqërisë civile dhe publikut të gjerë, ne konsiderojmë se të gjitha institucionet dhe akterët politikë të Kosovës, nga njëra anë, dhe të BE-së, nga ana tjetër, akoma nuk kanë demonstruar përkushtim, aftësi profesionale, sinqeritet dhe seriozitet të plotë dhe të qartë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën”.
Përmes kësaj letre FOL ka adresuar një numër kërkesash të cilat vlerësohen si kyçe nëse do të duhej filluar me adresimin e shqetësimeve të thella të ngritura në këtë letër.
• Para së gjithash, të dyja palët duhet të dalin me një vlerësim të përbashkët që tregon në mënyrë të qartë secilin kriter, një nga një, që Kosova ka përmbushur dhe një listë të secilit kriter të mbetur.
• Së dyti, gjithashtu duhet të vendosen linja të qarta të llogaridhënie, si në anën e Kosovës, ashtu edhe atë të BE-së, dhe kjo t’i komunikohet publikut.
• Së treti, duhet vendosur dhe ruajtur llogaridhënie e transparencë ndaj publikut dhe pjesëmarrje të përmirësuar të shoqërisë civile.
• Së katërti, roli i EULEX-it dhe e ardhmja e tij janë të lidhura pazgjidhshmërisht me procesin e liberalizimit të vizave. Sa i përket rolit të tij, udhërrëfyesi në mënyrë të qartë përcakton kriteret në përmbushjen e të cilave EULEX-i duhet nëpërmjet përfshirjes së efektshme
• Së fundi, dialogu politik me shtetet anëtare është kyç. Kjo kërkon që të gjithë vendimmarrësit relevantë politik (përfshirë ligjvënësit) të të dyja palëve të angazhohen shumë më tepër me njëri-tjetrin në ndërtimin e një kuptimi më të thellë të të gjitha kritereve si dhe sfidave me të cilat përballet Kosova në përmbushjen e secilit prej kritereve.
Gjithashtu Petrit Zogaj tha se “me anë të kësaj letre të hapur synojmë të shprehim besimin e qytetarëve tanë se ka ardhur koha që institucionet e BE-së dhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës do të ndani në mënyrë të barabartë të gjitha shqetësimet e ngritura nga ne”. Duam të besojmë se ju do merrni në konsideratë në punën tuaj të përditshme të gjitha këto shqetësimet e ngritura këtu, si dhe shumë të tjera për të cilat tashmë jeni të njoftuar, dhe të ndërmerrni gjithçka që është në fuqinë tuaj në mënyrë që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të mos ngecë për shkak të neglizhencës. Kosovarët e meritojnë këtë nëse duhet t’i jepet fund hendekut midis pritjeve fillestare dhe pasigurisë së vazhdueshme rreth rezultatit përfundimtar të këtij procesi. Jemi të sigurt se kjo është gjithashtu në interesin më të mirë të BE-së, tha Petrit Zogaj.