Komisioni Evropian i përgjigjet letrës së FOL “08”

Prishtinë, 3 Korrik 2009 – Komisioni Evropian i është përgjigjur letrës së FOL “08, të dërguar me 4 Maj të këtij viti. Kjo letër shprehte shqetësimin e FOL “08 përkitazi me shkeljen e të drejtave politike të qytetarëve nga ana e institucioneve publike të Kosovës. Në përgjigje të letrës, Komisioni Evropian zotohet se shqetësimet e ngritura nga FOL “08 do ti përfshijë gjatë përgatitjes së Raportit të Progresit për Kosovën.

Letra i është dërguar Komisionit Evropian pasi që Kuvendi i Kosovës refuzoj Peticionin e nënshkruar nga 10 mijë e 529 qytetarë kundër ngritjes së tarifave të energjisë elektrike, pa një shqyrtim të duhur parlamentar. Me këtë, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkelën në mënyrë flagrante Kushtetutën e vendit.