DnV publikon raportet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026
Prishtinë, 13 gusht 2026 – Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) mbajti sot konferencën për publikimin e raporteve të vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor 2026.
Konferenca u hap nga përfaqësues të Demokracisë në Veprim, ndërsa fjalë hyrëse mbajtën z. Christoph Fuchs, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, si dhe znj. Mirnije Stublla, Menaxhere Programi në Ambasadën e Suedisë në Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e vëzhgimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm të zgjedhjeve, si mekanizëm për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit publik në proceset demokratike. Po ashtu, u nënvizua nevoja që zhvillimet politike të trajtohen përmes mekanizmave institucionalë dhe në përputhje me dispozitat ligjore, në mënyrë që zgjedhjet e përsëritura të mos shndërrohen në përgjigje të zakonshme ndaj krizave politike.
Në konferencë u prezantuan katër raporte: raporti kryesor i vëzhgimit të zgjedhjeve, vlerësimi i fushatës zgjedhore, raporti i monitorimit të mediave dhe raporti i monitorimit të mediave sociale gjatë fushatës zgjedhore. Raportet u prezantuan nga Eugen Cakolli, Violeta Haxholli, Mexhide Demolli-Nimani dhe Rezarta Delibashzade-Krasniqi, të cilët paraqitën gjetjet dhe rekomandimet kryesore lidhur me administrimin e zgjedhjeve, fushatën zgjedhore, monitorimin e mediave dhe komunikimin politik në rrjete sociale.
Sipas raportit kryesor të vëzhgimit të DnV-së, zgjedhjet e 7 qershorit 2026 u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta. Procesi zgjedhor, përfshirë përgatitjet e KQZ-së, ditën e votimit, numërimin, trajtimin e votave jashtë Kosovës, shqyrtimin e ankesave dhe shpalljen e rezultateve, u administrua në mënyrë përgjithësisht profesionale dhe pa probleme që do të cenonin integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Krahasuar me proceset e fundit zgjedhore, raporti evidenton përmirësim të dukshëm në administrimin teknik, publikimin e rezultateve, numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe përmbylljen e fazës paszgjedhore.
Raporti evidenton edhe probleme dhe mangësi të përsëritura, përfshirë pjesëmarrjen më të ulët në votime, vështirësitë e votuesve për ta gjetur vendvotimin e saktë, qasjen e pamjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara, rastet e fotografimit të votës, si dhe sfida të tjera procedurale të evidentuara gjatë ditës së votimit dhe fazave paszgjedhore. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se reforma e ardhshme zgjedhore nuk duhet të kufizohet vetëm në çështje teknike. DnV rekomandon që Kuvendi të hapë diskutim më të gjerë për votën preferenciale, zonat zgjedhore, pragun zgjedhor, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, kriteret e përshtatshmërisë juridike për kandidim, modelin institucional të KQZ-së dhe kodifikimin e legjislacionit zgjedhor.
Raporti për vlerësimin e fushatës zgjedhore konstaton se fushata e 7 qershorit u zhvillua më shumë si vazhdim i përplasjes së mëparshme politike sesa si garë e re e ndërtuar rreth programeve qeverisëse. Aktivitetet publike ishin më pak intensive, pjesëmarrja qytetare në tubime ishte më e kufizuar dhe komunikimi u përqendrua kryesisht në tubime partiake, aktivitete të strukturave, paraqitje të liderëve dhe mesazhe në rrjete sociale. Raporti evidenton edhe se fushata digjitale pati peshë të madhe, me 6,673 postime të sponsorizuara dhe rreth 180 mijë euro shpenzime në Facebook dhe Instagram për pesë subjektet shqiptare të analizuara.
Një nga gjetjet kryesore të këtij raporti lidhet me cenimin e barazisë së garës nga vendimet e Qeverisë në detyrë me efekt financiar për kategori të gjera qytetarësh, të marra në prag të fushatës dhe të ditës së votimit. Rekomandimet kërkojnë rregullimin me ligj të parafushatës, ndalimin e shpërndarjes së përfitimeve financiare qeveritare brenda një periudhe të përcaktuar para zgjedhjeve, vendosjen e rregullave të posaçme për komunikimin publik të institucioneve kur bartësit e tyre janë kandidatë, organizimin e debateve publike ndërmjet bartësve të listave, rregullimin e fushatës digjitale dhe të palëve të treta online, forcimin e raportimit financiar, hapjen e llogarive të veçanta bankare për fushatë, operacionalizimin e sistemit elektronik për raportim financiar dhe rregullimin e deklarimit financiar të kandidatëve.
Raporti i monitorimit të mediave tregon se gjatë fushatës janë monitoruar kronikat zgjedhore, debatet televizive dhe komunikimi i subjekteve politike në Facebook, me qëllim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë, qasjes së barabartë dhe cilësisë së debatit publik. Në kronikat zgjedhore, PDK kishte mbulimin më të madh mediatik me 24%, pasuar nga LDK me 23%, LVV me 22% dhe AAK me 21%, ndërsa vëmendja u përqendrua kryesisht te kandidatët për kryeministër. Në debatet televizive u monitoruan 171 emisione politike dhe debate, ku dominuan formatet me vetëm një subjekt politik, ndërsa ballafaqimet e drejtpërdrejta ndërmjet subjekteve ishin të kufizuara. Përfaqësimi gjinor mbeti i pabalancuar, me 81% pjesëmarrje të burrave dhe 19% të grave në debate.
Raporti rekomandon që mediat të organizojnë më shumë debate tematike dhe shumëpalëshe, të fokusuara në programe dhe politika publike, dhe të kërkojnë nga kandidatët që premtimet t’i shoqërojnë me shpjegime për koston financiare, burimet e financimit, afatet dhe mekanizmat e zbatimit. Po ashtu, rekomandohet që moderatorët të ndërhyjnë më aktivisht për të parandaluar gjuhën fyese, etiketimet dhe sulmet personale, të rritet përfaqësimi i grave kandidate dhe analisteve në hapësirën mediatike, subjektet politike të marrin pjesë në debate shumëpalëshe dhe KPM-ja të përcaktojë kritere të qarta për vërejtje e gjoba, të sigurojë trajtim të barabartë të mediave dhe të shmangë ndërhyrjet në përmbajtjen editoriale pa bazë të qartë ligjore. Raporti gjithashtu rekomandon funksionalizimin sa më të shpejtë të Bordit për Ankesa në KPM.
Raporti për monitorimin e mediave sociale tregon se komunikimi politik online gjatë fushatës u shoqërua me nivel të konsiderueshëm të komunikimit problematik. Gjatë monitorimit u evidentuan 423 shkelje në rrjete sociale, të përqendruara kryesisht në fund të fushatës: 68% e rasteve u regjistruan gjatë tri ditëve të fundit, ndërsa 42% vetëm në ditën e fundit të fushatës. Në strukturën e shkeljeve dominuan gjuha e urrejtjes me 70.7% dhe gjuha shpifëse e përçmuese me 27.7%, ndërsa dezinformimi dhe keqinformimi kishin prani shumë më të ulët. Shumica dërrmuese e shkeljeve u evidentuan në komente, dhe jo në postime zyrtare, ndërsa kandidatët individualë ishin shënjestra kryesore e sulmeve.
Raporti konstaton se sfida kryesore e komunikimit zgjedhor online në Kosovë nuk lidhet me dezinformimin, por me normalizimin e gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe komunikimit denigrues. Gratë kandidate rezultuan veçanërisht të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve online. Rekomandimet kërkojnë që subjektet politike dhe kandidatët të miratojnë rregulla të brendshme për komunikim etik online, të forcojnë moderimin e faqeve zyrtare, të reagojnë publikisht ndaj sulmeve me bazë gjinore dhe të caktojnë persona përgjegjës për monitorim të komunikimit online. Për mediat dhe portalet rekomandohet moderim më i qartë i komenteve dhe kombinim i filtrave automatikë me moderim njerëzor, ndërsa për institucionet dhe organizatat monitoruese kërkohen mekanizma koordinues, monitorim më intensiv në ditët e fundit të fushatës dhe udhëzime për parandalimin e sulmeve online ndaj grave kandidate dhe grupeve të cenueshme.
Në përmbyllje, DnV vlerësoi se zgjedhjet e 7 qershorit treguan përmirësim të dukshëm në administrimin teknik të procesit, por edhe përsëritjen e problemeve që kërkojnë veprim më të qartë institucional dhe politik. Rekomandimet e publikuara sot synojnë të shërbejnë si bazë për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore, rritjen e barazisë së garës, forcimin e transparencës, mbrojtjen e integritetit të votës dhe garantimin e një debati publik më përmbajtës, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Raportet e publikuara mund ti gjeni këtu:
Raporti i monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore
Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës
Vlerësimi i fushatës zgjedhore: Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës