Reagim lidhur me themelimin e grupit punues për hartimin e Projektligjit të Prokurimit Publik

Prishtinë, 4 shkurt 2026 – Ne, organizatat e shoqërisë civile të poshtëshënuara shprehim shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Financave për themelimin e një grupi punues për hartimin e Projektligjit të ri të Prokurimit Publik, në rrethana institucionale dhe procedurale që e bëjnë këtë proces seriozisht të diskutueshëm.

Së pari, nisja me nguti e proceseve për hartimin e ligjeve me rëndësi të lartë, si Ligji për Prokurimin Publik, është politikisht e papërshtatshme dhe institucionalisht e paarsyeshme në rrethana të mungesës së mandatit të plotë qeveritar. Hartimi i një ligji të tillë nuk është proces teknik, por proces normativ me pasoja afatgjata për sistemin e prokurimit publik dhe menaxhimin e fondeve publike, i cili kërkon stabilitet institucional, legjitimitet politik dhe proces të mirëfilltë konsultativ.

Së dyti, përbërja e grupit punues, pa përfshirjen e shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur, përbën shkelje të Rregullores së Punës së Qeverisë. e cila parasheh në mënyrë eksplicite ftesën dhe përfshirjen e shoqërisë civile në grupet punuese për hartimin e akteve normative. Mosrespektimi i dispozitave që rregullojnë këtë çështje që në fazën fillestare të procesit cenon parimin e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit real, duke e reduktuar procesin ligjvënës në një ushtrim të mbyllur administrativ.

Prokurimi publik është një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Në këtë kontekst, përjashtimi i shoqërisë civile nga faza e hartimit të ligjit dobëson kontrollin publik, ul besueshmërinë e procesit dhe rrezikon që ndryshimet ligjore të reflektojnë interesa institucionale, e jo interesin publik.

Ne vlerësojmë se nisja e këtij procesi, në këtë formë dhe në këto rrethana, është e nxituar dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Çdo proces për hartimin ose ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik duhet të zhvillohet përmes një qasjeje të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe palëve relevante, dhe në rrethana të stabilitetit institucional që garantojnë legjitimitet dhe besim publik.

Demokraci Plus
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Iniciativa për Progres
Instituti Demokratik i Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Lëvizja Fol