Takim me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate
Prishtinë, 2 qershor 2025 – Takimi i sotëm me përfaqësues të Nismës Socialdemokrate shënoi një hap të parë drejt hapjes së dialogut ndërmjet spektrit politik dhe shoqërisë civile për tejkalimin e ngërçit institucional që ka paralizuar punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Nga perspektiva e shoqërisë civile, mbajtja peng e institucioneve për shkak të mosmarrëveshjeve politike është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt interesin publik, funksionimin demokratik dhe kredibilitetin e shtetit.
Në këtë takim, theksuam nevojën që konsensusi politik të ndërtohet mbi transparencë, përfshirje dhe përgjegjësi – jo vetëm për të zhbllokuar institucionet, por edhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në proceset demokratike.
Ky ishte vetëm hapi i parë, ndërsa në ditët në vijim do të pasojnë takime të tjera me synimin për të thelluar diskutimet dhe për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme në funksion të stabilitetit institucional dhe të ardhmes demokratike të vendit.