Reagim: KQZ të anuloj konkursin për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit
Prishtinë, 18 prill, 2025 – Lëvizja FOL, shpreh shqetësimin e saj lidhur me përmbajtjen e konkursit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit, konkretisht me kërkesën për njohjen e gjuhës angleze në nivelin B2, të dëshmuar me certifikatë TOEFL ose IELTS, si kriter formal i detyrueshëm për aplikim.
Kjo kërkesë nuk gjen mbështetje në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 5 përcakton se gjuhët zyrtare në nivel shtetëror janë gjuha shqipe dhe serbe. Po ashtu, edhe Ligji për Zyrtarët Publikë (08/L-197) i cili përcakton standardet dhe parimet themelore të pranimit në detyrë në institucionet publike, në nenin 9, kërkon që kandidati të zotërojë së paku njërën nga gjuhët zyrtare – pa paraparë ndonjë kërkesë për njohjen e gjuhëve të huaja.
Vendosja e këtij kriteri si obligues përbën kufizim të panevojshëm dhe jo proporcional, dhe bie në kundërshtim me parimet e qasjes së barabartë në shërbimin publik dhe pakëson të drejtat e garantuara me kushtetutë. Kërkesa për certifikata ndërkombëtare jo vetëm që rrit barrën financiare për kandidatët, por gjithashtu përjashton kandidatë të kualifikuar që e zotërojnë gjuhën angleze përmes përvojës praktike, pa pasur mundësi të ndjekin certifikime të kushtueshme. Për më tepër, kjo kërkesë eliminon nga gara kandidatë të denjë dhe me përvojë të dëshmuar, vetëm për faktin se nuk flasin gjuhën angleze – gjë që nuk është e justifikueshme për një funksion që kërkon përmbushje të detyrave kryesisht në gjuhët zyrtare të vendit.
Prandaj lidhur me këtë Lëvizja FOL kërkon nga KQZ që:
1. të ndryshojë rregulloren përkatëse të brendshme, me qëllim që të eliminohet vendosja e kritereve të tilla pa bazë ligjore për pozita të larta publike, dhe
2. të bëjë rishpallje e konkursit për këtë pozitë, duke hequr këtë kriter diskriminues.