Gresa Caka-Nimani nderohet me mirënjohje për kontributin në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të Kushtetutës

Prishtinë, 8 prill 2025 – Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), ka ndarë mirënjohje për Gresa Caka-Nimanin, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Caka-Nimani u nderua me këtë mirënjohje, për angazhimin dhe kontributin e saj të rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mirënjohja për ish-kryetaren e Kushtetueses u nda të martën në shënimin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, organizim ky nga Koalicioni i OJQ-ve- IKD, Lëvizja FOL dhe INPO.

Në këtë ngjarje, u theksua rëndësia historike e Kushtetutës, të arriturat dhe sfidat e jetësimit të Kushtetutës në praktikë.