Punëtorinë Rajonale për Strategjinë Kundër Korrupsionit

Prishtinë 1 shtator 2023 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Lufta efektive kundër korrupsionit” (ECAC) përkrahur nga IFES, ka mbajtur sot “Punëtorinë Rajonale për Strategjinë Kundër Korrupsionit”.
Qëllimi i kësaj punëtorie një ditore ishte identifikimi i boshllëqeve ekzistuese në zhvillimin e strategjive kundër korrupsionit, me fokus në bashkëpunimin rajonal.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile nga vendi dhe rajoni.
Punëtoria u hap me një diskutim mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit, sfidat në draftimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave që nxisin transparencën dhe mirëqeverisjen e institucioneve.

Të ftuar ishin: z. Yll Buleshkaj – Drejtor i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit/ Agencija za Sprečavanje Korupcije (Kosovë), znj. Jelena Perovic – Drejtore e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (Mali i Zi), znj. Marta K. Gazideda – UNDP Kosovo dhe z. Vedat Sagonjeva – Drejtor i Zyrës për Planifikime Strategjike pranë Zyrës së Kryeminstrit.
Prezent ishin edhe: Nuri Bajrami nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (Maqedoni e Veriut), Hener Shanaj – Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit (Shqipëri), Nikola Lekic – Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (Mali i Zi), German Filkov – Center for Civil Communications – CCC (Maqedoni e Veriut), Jasna Filipovic – Centar za primenjene evropske studije (Serbi), si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë të cilët janë pjesë e grupit punues për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Në pjesën e dytë të ditës, është mbajtur sesioni mbi identifikimin e boshllëqeve dhe praktikave më të mira, ku pjesëmarrësit janë ndarë në grupe dhe kanë diskutuar mbi praktikat e suksesshme në draftimin e strategjisë kundër korrupsionit duke përfshirë mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, vetëdijesimi qytetarë, dhe edukimi në fushën kundër korrupsionit.
Pas kësaj, grupet kanë ndarë perspektivat e tyre mbi kornizën ligjore ekzistuese, nevojën për forcim të mekanizmave që mbajnë institucionet përgjegjëse për implementim të strategjisë kundër korrupsionit.

Rekomandimet e dala nga kjo punëtori do të i prezatohen grupit punues të Qeverisë së Kosovës per hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.