Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Lëvizja FOL mbajnë takim virtual me mbi 60 zyrtarë të gjykatave për të diskutuar gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve gjyqësore

Prishtinë, 5 prill 2023 – Me ftesë të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, hulumtuesja nga Lëvizja FOL, Albana Hasani dhe KGjK kanë mbajtur takim virtual përmes platformës ZOOM me mbi 60 zyrtarë të gjykatave të vendit, të cilët janë përgjegjës për publikimin e vendimeve gjyqësore në ueb faqet e gjykatave.

Gjatë këtij takimi, u diskutua lidhur me gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga monitorimi i këtij procesi, me qëllim të përmirësimit të shkallës dhe cilësisë së publikimit të këtyre vendimeve si dhe përmirësimit të ngecjeve të evidentuara nga Lëvizja FOL.

Raporti për monitorimin e publikimit të vendimeve gjyqësore (janar – dhjetor 2022), i publikuar nga Lëvizja FOL me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), përmban të dhëna nga monitorimi sistematik i publikimit të aktgjykimeve në ueb faqen e KGJK-së, gjatë periudhës një vjeçare.

Kryesuesi Zogaj, vlerësoi faktin e rritjes së publikimit prej 41% në krahasim me vitin 2021 me ç’rast bëri thirrje për angazhim edhe më të madh, për të rritur nivelin e transparencës me publikun.
Po ashtu, Zogaj ka falënderuar Lëvizjen FOL për përgatitjen e këtij raporti dhe theksoi se publikimi i vendimeve rrit cilësinë e vendimmarrjes dhe vlera e publikimeve të tyre është e shumëfishtë, prandaj KGJK vazhdimisht ka shqyrtuar me prioritet gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga raportet e OJQ-ve, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta drejt përmirësimit të sistemit gjyqësor.