Avokatura shtetërore fitoi 516 raste gjyqësore – buxheti përfitoi gati 13 milionë euro
Prishtinë, 21 maj 2021 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, ka publikuar sot raportin “Efikasiteti i Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2020”, i cili përfshinë të dhënat në lidhje me rëndësinë, funksionin dhe punën e institucionit të Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2020.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se FOL me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Kosovë ka monitoruar punën e Avokaturës Shtetërore për vitin 2020. “Ky Institucion ka një rëndësi të veçantë, sepse mbron shtetin nga paditë e ndryshme që mund ti ketë qoftë nga individ apo edhe kompani. Nga efikasiteti i punës së këtij institucioni mund të mbrohen miliona euro të buxhetit të shtetit, njësoj sikurse nga dështimi i tyre mund të humbin miliona”, tha Demolli-Nimani.
Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 janë krijuar gjithsej 2,180 lëndë të reja në rastet ku palë kanë qenë institucionet shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura Shtetërore. Sipas saj, numri më i madh i këtyre lëndëve ishin nga procedura jo-kontestimore (708 lëndë), duke u pasuar nga lëndët e procedurës administrative (632 lëndë), nga procedura kontestimore (599 lëndë), lëndët e procedurës përmbarimore (174 lëndë) dhe në fund, nga lëndët e procedurës penale (68 lëndë). “Nga aktgjykimet e marrura në vitin 2020, Avokatura Shtetërore i kishte fituar 516 lëndë, 431 lëndë i kishte humbur, ndërsa 99 lëndë ishin kthyer ne rigjykim, 25 lëndë në rishqyrtim dhe 98 lëndë në rivendosje. Nga këto përfaqësime, institucionet e Republikës së Kosovës kishin fituar gjithsej 12.8 milion euro. Ndërkaq shuma e paguar nga institucionet shtetërore palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2020 ishte 3.5 milion euro”, tha Hasani. “Rekomandojmë që të rritet transparenca e Avokaturës Shtetërore në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, duke i paraqitur të gjitha informatat dhe dokumentet e karakterit publik, meqenëse ka mungesë të madhe të publikimit të tyre” ka përfunduar Hasani.
Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, tha që duke marrë parasysh rolin dhe funksionin që ka ky institucion është mirë i mbuluar me akte ligjore dhe se prioritet ky institucion ka, është që të jetë sa më i hapur në punën që bëjnë. “Si institucion i pavarur dhe me rol mjaft të rëndësishëm, ne ballafaqohemi me sfida të mëdha të cilat afektojnë edhe punën e tonë. Nisur nga numri i madh i lëndëve, mbi 20 mijë dhe numri i vogël i stafit, gjithsej 9 avokatë. Z.Istrefi theksoi nevojën për rritjen e numrit të avokatëve si dhe stafit mbështetës, pasi momentalisht në ketë institucion nuk ka as bashkëpunëtorë profesional si dhe nevojën për trajnime të cilat mungojnë për avokatët e avokaturës shtetërore”, tha Istrefi. Sipas tij, shqetësuese vazhdon të jetë mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë me institucionet përkatëse, të cilat paditen, sfidë kjo që po ndikon në punën e këtij institucioni dhe humbjen e rasteve, me ç’rast shtetit i shkaktohen dëme të mëdha financiare.
Raportin e plotë e gjeni në këtë link: http://levizjafol.org/wp-content/uploads/2021/05/EFIKASITETI-I-AVOKATUR%C3%8BS-SHTET%C3%8BRORE.pdf