(KEQ)PLANIFIKIMI I PROKURIMIT PUBLIK
Prishtinë, 26 Prill 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Monitorimi i planifikimit të prokurimit publik” ku është diskutuar për realizimin e planifikimit të prokurimit publik nga institucionet e monitoruara nga FOL. Panelist në këtë tryezë ishin: Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik(KRPP) dhe Ekrem Rexha nga Agjencia Qendrore e Prokurimit(AQP).
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL tha se FOL në vazhdimësi është marrë me diskutime rreth problemeve në prokurimin publik. Problemet që ekzistojnë në këtë fushë janë theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën. “Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian i vitit 2018, ka kritikuar institucionet e prokurimit publik për mosefikasitet në menaxhimin e ciklit të prokurimit publik. Ndër të tjera kjo ndikon në realizimin e kontratave, menaxhimin e tyre e duke rezultuar edhe në menaxhimin jo të duhur të parasë publike”, tha Zulfaj. Ndërkaq Gresa Smolica prezantoi të dhënat e dala nga raporti i monitorimit të planifikimit të prokurimit publik . “Nga monitorimi i planifikimeve të prokurimit si dhe nga monitorimi i mëhershëm i kontratave nga institucionet e monitoruara, FOL ka gjetur disa parregullsi të cilat kanë ndikuar në shpenzimin jo të duhur të parasë publike. Gjithashtu, Planifikimi i prokurimit publik nuk hartohet në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik. dhe se planifikimet e monitoruara nga FOL nuk kanë detajuar shpenzimet dhe aktivitetet që do të realizohen nga autoritetet kontraktuese” tha, Smolica. duke shtuar se gjatë vitit 2017, shumë institucione kanë nënshkruar kontrata të cilat paraprakisht nuk kanë qenë pjesë e planifikimit përfundimtar që është dorëzuar nga institucionet në AQP.
Safet Hoxha, kryetar i KRPP–së tha se planifikimi i prokurimit është instrument shumë dimesional. “Me këtë rritet transparenca dhe kontrolli intern i prokurimit. Qytetarët mund të shohin se si shpenzohen paratë e tyre, por edhe mund të bëjnë krahasime me institucionet tjera. Deri me tani planifikimi është bërë në formë të prognozës, pa hulumtime të detajuara”, tha Hoxha duke shtuar se duhet të luftojmë që planifikimi i prokurimit nga institucionet të jetë më i detajuar. Sipas tij publikimi i planifikimit i largon nga një përgjegjësi edhe zyrtarët e prokurimit.
Hoxha tha se duhet të bëhet një platformë ku zyrtarët e prokurimit do të raportonin për keqpërdorimet që i hasin. “Duhet me adresu përgjegjësinë e organeve që bëjnë planifikimin dhe menaxhimin e kontratës”, tha Hoxha.
Ndërkaq Ekrem Rexha nga AQP tha se për shkak të planifikimeve të dobëta, kemi kërkesa të shtuara për prokurime më vonë. Kjo është si pasojë e mos koordinimit të brendshëm të Autoriteteve Kontraktuese.
Feti Ibishi, Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se zyrtarët e prokurimit nuk kanë mbrojtje nga askush, as nga KRPP. Na kanë zhvendosur nga Departamentet në Divizione, “Ka raste kur ne nuk kemi zyrtar të përgatitur për menaxhim të kontratave”, tha ai.
Arben Selimi nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se kjo zyrë e auditon të gjithë procesin e prokurimit. “Problemet janë në fazën e fundit, tek menaxhimi i kontratës. Nëse autoriteti kontraktues nuk e din sa ka shpenzuar vitin e kaluar, nuk ka mundësi që të bëjë një planifikim të mirë”, tha Selimi.