28 institucione publike nuk i kanë dërguar ende Planet e Integritetit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lëvizja FOL ka monitoruar zbatimin e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, përkatësisht nenin 25 të tij, i cili i obligon institucionet e Kosovës të miratojnë Plane të Integritetit, qëllimi i të cilave është identifikimi i proceseve të ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive.

Procesi i hartimit dhe i dërgimit në APK i Planeve të Integritetit nga të gjitha institucionet publike do të duhej të përfundohej në janar të vitit 2024. Mirëpo, sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, 28 institucione, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Mbrojtjes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës etj., nuk i kanë paraqitur ende në APK Planet e Integritetit, pra nuk kanë vepruar konform obligimeve ligjore.



Respektimi i obligimit ligjor për hartimin e Planeve të Integritetit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për integritetin dhe përgjegjësinë e institucioneve publike në Kosovë. Këto dokumente janë një mjet i rëndësishëm për ngritjen e përgjegjësisë dhe ndjekjen e sjelljeve jo etike në sektorin publik.