Vasfije Krasniqi Goodman fituese e çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2018

Prishtinë, 17 Dhjetor 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2018, i cili në këtë vit iu nda znj. Vasfije Krasniqi Goodman.

Andaj, znj.Krasniqi – Goodman përfaqëson shembullin më të mirë të gruaje guximtare. Znj. Krasniqi Goodman ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë e cila rrëfeu para publikut Kosovarë dhe më gjerë tmerret dhe torturat e përjetuara gjatë luftës por edhe procesin tutje nëpër Gjykatat e Kosovës.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se ky është një çmim që ne si FOL e ndajmë me shumë privilegj dhe kënaqësi. “Këtë vit çmimin për guxim e ndajmë për një grua cila me guximin e saj u bë edhe model guximi për të gjithë qytetarët të cilët nga frika e kërcënimeve dhe paragjykimeve në vendin tonë, vendosi që 20 vjet pas luftës ti jep fund heshtjes së saj dhe të bëhet zëri i të gjitha rasteve viktima të dhunës seksuale në Kosovë, e ajo është Vasfije Krasniqi-Goodman” tha ajo, duke shtuar se është koha shteti i Kosovës, duhet të punoj më shumë me këtë kategori të shoqërisë dhe të lë anash burokracitë rreth realizimit të së drejtës së tyre sipas ligjit dhe të mos mbetët vetëm në vullnetin e njerëzve.

Ndërkaq, Leonora Kryeziu anëtare Bordit këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha  se “ Znj. Krasniqi-Goodman është gruaja e parë shqiptare në Kosovë që ka dalë hapur për të folur mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga paraushtarakët serbë gjatë luftës në Kosovë”. Andaj, me plot meritë dhe kënaqësi FOL i ndan Çmimin në shenjë mirënjohje dhe guximi për të ndarë një histori kaq të dhimbshme për të.

znj. Vasfije Krasniqi-Goodman falënderoi Lëvizjen FOL për çmimin dhe inkurajoj të gjitha ato që patën fatin e njëjtë si ajo që të flasin hapur, “Faleminderit  në  emër  të  të  gjithëve. Me  këto  dekorata  ndihem  e  obliguar  t’iu  ndihmoj  të  gjitha  viktimave  të  flasin  për  çfarë  ju  ka  ndodhur”, tha Krasniqi-Goodman.

Ndërkaq z. Nafi Krasniqi, vëllau i znj. Krasniqi-Goodman falënderoi Lëvizjen FOL për mirënjohjen e dhënë. “Faleminderit të gjithëve, shfrytëzoj rastin me i përshëndet të gjitha ato qe patën fatin e njëjtë sikurse Vajsfija dhe s’kanë pas guxim te dalin publikisht duke ju bërë thirrje familjeve që ti mbështesin dhe të bëhen zëri i tyre, ngase shumë nga to për shkak të mos kurajës dhe mos mbështetjes së familjes tashmë edhe nuk gjenden në mesin tonë”.