Shyhrete Berisha, fituese e Çmimit për Guxim Qytetar 2014

Prishtinë, 20 Janar 2015 – Lëvizja FOL ka organizuar për herë të gjashtë ceremoninë e ndarjes së Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2014, i cili në këtë vit iu nda znj. Shyhrete Berisha nga Suhareka.

Petrit Zogaj, nga Lëvizjes FOL tha se këtë Çmim, FOL e ndanë për herë të gjashtë, në shenjë vlerësimi për personalitetet më të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të njeriut të vendit tonë. Ballafaqimi i znj. Shyhrete Berisha për realizimin e të drejtës së saj për trashëgimi nxjerrë në pah problemin e pabarazisë shoqërore dhe të drejtave të grave në përgjithësi në Kosovë. Znj. Shyhrete Berisha është shembull i angazhimit konsistent për realizimin e të drejtës në trashëgimi. Përkundër padrejtësive dhe diskriminimit që i është bërë, ajo nuk është ndalur, tha Zogaj.

Halil Matoshi, anëtar i Bordit këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se Shyhrete Berisha përfaqëson gruan e cila asnjëherë nuk dorëzohet.

znj. Shyhrete Berisha falënderoi Lëvizjen FOL për çmimin dhe tha se ka vetëm një kërkesë, që shteti i Kosovës të marrë barrën e përgjegjësisë në lidhje me trashëgiminë e pronës nga gratë, të garantuar me ligje dhe që kjo e drejtë të mos mbetet në vullnetin e  njerëzve.

Sibel Halimi nga Lëvizja FOL tha se në një kontest të stërzgjatur gjyqësor, të nisur 13 vjet më parë, znj. Shyhrete Berisha nga Suhareka po përballet me mohimin e të drejtës që të trashëgojë shtëpinë ku ka jetuar me burrin dhe katër fëmijët e ekzekutuar nga forcat serbe. Në atë kohë, Shyhretja nuk e kishte imagjinuar se mund të humbiste më shumë se sa bashkëshortin e saj, dy vajzat dhe dy djemtë. Por, nga ajo kohë, Shyhretja ka humbur edhe shtëpinë- strehën e kujtimeve, tha Halimi.