Qeveria e vetes, për veten dhe e vetvetes

Shpenzimet e parave të taksapaguesve për blerje të artikujve luksoz nga ana e Qeverisë, siç janë telefonat celular Iphone përben një fyerje për qytetaret e vendit, 38 për qind e të cilëve jetojnë në varfëri përderisa ende nuk gëzojnë shërbime të mirëfillta publike

Ramadan Ilazi

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për vitin 2008 ka gjetur shkelje e procedurave të prokurimit, marrja e pagave pas kryerjes së kontratës, emërime pa konkurs publik, shkelje në dhënien e subvencioneve, shkelje në procedurat e shpenzimeve për reprezentacion nga Zyra e Kryeministrit. Janë blerë telefona Iphone, që janë një luks dhe nuk njihen si mjetë pune. Në Mistrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 6,930 Euro janë shpenzuar për furnizim me telefona mobil.  Ose në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete tre lap-top janë blerë në vlerë prej 3,300 Euro. Faturat janë fryrë, është gjetur rritje të faturave në vlerë prej 9.009 Euro.  10, 000 Euro nga parat e taksapaguesve janë shpenzuar nga Ministria për Kthim për të blerë mobile të cilat nuk gjenden në ministri por janë në dispozicion të Ministrit. Kjo nuk është qeverisje e mirë, por keqqeverisje dhe keqpërdorim i parasë publike.

Shpenzimet e parave të taksapaguesve për blerje artikujsh luksoz nga ana e Qeverisë, siç janë telefonat celular Iphone përbën një fyerje për qytetarët e vendit, 38 për qind e të cilëve jetojnë në varfëri, përderisa ende nuk gëzojnë shërbime të mirëfillta publike. Kjo sjellje e institucioneve të vendit është edhe një treguesi tjetër i hendekut të madh ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve.

Shtetet e rajonit, te cilat së shpejti do ta marrin statusin e kandidatit për anëtarësim ne BE, siç është rasti me Shqipërinë po i zvogëlojnë përfitimet për zyrtar qeveritar. Institucionet tona po nxitohen t`i krijojnë vetes privilegje përderisa dështojnë në nxjerrjen dhe zbatimin e infrastrukturës ligjore në disa fusha të rëndësishme si në atë kundër korrupsionit.

Institucionet e vendit duhet që të angazhohen seriozisht për punësimin e personave profesional dhe të përkushtuar në poste publike duke mos shpërblyer kështu njerëz që përveç pasurimit të vetvetes nuk kanë ndonjë agjendë tjetër.  Shumë të rinj Kosovar janë larguar nga vendi ose nuk kthehen në vend megjithëse gëzojnë kredenciale të larta akademike dhe profesionale, sepse nuk u është mundësuar angazhimi, ose bërë pre e burokracirave. Të qenit në shërbim të qytetarëve ka domethënie atëherë kur shteti së pari i rregullon, shkollat, spitalet, rrugët, ujin dhe shërbimet e tjera esenciale për qytetarin, pastaj mendon për telefonat, mobiliet, veturat, etj.

Takimi i parë dhe më i shpeshtë i qytetarit me shtetin është nëpërmjet sporteleve, të cilat i japin mundësinë taksapaguesve sall për të drejtuar ndonjë letër në adresë të institucionit. Kjo është shenjë se administrata kosovare ka nevojë për transparencë, t`i shihet fytyra, të vihet një komunikim direkt me nevojtarin-qytetarin.

Komunikimi nëpërmjet një vrime të tillë le përshtypjen se në këtë vend ende ka fosile të sistemit nga e kaluara, ku zyrtarët ishin pjesë e aparatit shtetëror, i cili nuk nënkuptonte asgjë tjetër veç dhunës psikike.

Qeverisja e mirë nuk përbën më vetëm një kërkesë të  kohës por një nevojë për funksionim të mirëfilltë të shtetit. Qeverisja e mirë mishëron përgjegjësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Duke zbatuar këto parime, administrata publike përmirësohet duke vepruar mbi bazën e kërkesës së qytetarëve.

(Autori është  Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes FOL)