Partitë e vogla kërkojnë të përfitojnë nga fondi për mbështetje të subjekteve politike

Prizren, 11 nëntor 2009 – Instituti Demokratik i Kosovës dhe Lëvizja FOL, kanë prezantuar para shoqërisë civile dhe partive politike, Projektligjin për Financimin e Partive Politike, për të marrë rekomandimet e tyre, kjo në kuadër të programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”. Pjesëmarrësit në tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet që të nxirret sa më shpejtë, ndërkohë kanë përgëzuar iniciativën e shoqërisë civile për avokimin që po bëjnë për këtë ligj. Qëllimi i programit “Bazë Ligjore dhe Mekanizma Funksional për Qeverisje të Mirë”, është që të paraqiten projektligjet anti-korrupsion që janë në diskutim dhe të merren rekomandimet e përfaqësuesve të partive politike dhe shoqërisë civile në nivel lokal. Merita Mustafa nga KDI, ka prezantuar Projektligjin për Financimin e Partive Politike, ndërkohë u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të tryezës që të paraqesin mënyrat më të mira që duhet të përmbaj ky ligj. Panelistë në tryezë kanë qenë: Njazi Kryeziu nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë vlerësuar se Ligji për Financimin e Partive Politike duhet të rregulloj çështjen e financimit edhe të partive jashtë Parlamentit. Partitë politike jashtë parlamentit kanë kërkuar që edhe ata të përfshihen në përfitimin e mjeteve nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. “Deri më tani partitë e vogla apo ato që janë jashtë Parlamentit kanë qenë disi të diskriminuara. Është një ligj i padrejtë pasi që i diskriminon partitë të cilat nuk e kalojnë pragun zgjedhor”, është thënë në tryezë. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë thënë gjithashtu se subjektet politike të sapo formuara dhe të certifikuara, nuk e dinë se sa mjete u takojnë me ligj që të financohen. Po ashtu është konstatuar se donatorët të cilët japin kontributet për një parti, druajnë nga publikimi i emrave të tyre dhe se hezitojnë të finacojnë partitë e vogla. Rekomandimet e tryezës: Duhet të jepet mundësia që edhe subjektet politike të cilat janë jashtë Parlamentit, të financohen nga fondi për mbështetje të subjekteve politike. Auditimi i partive politike duhet të rregullohet me ligj dhe jo me akte nënligjore. Duhet që partitë politike në nivel lokal, ta gëzojnë të drejtën që të financohen nga buxheti i Kosovës. Partive politike duhet t”ju lejohet financimi edhe nga donacionet dhe anëtarësimi. Raportet financiare të partive duhet të publikohen në uebfaqe të partive dhe uebfaqe të KQZ-së. Duhet të caktohet një limit për shumën e donacioneve dhe shumën e anëtarësimit për një vit. Ligji për financimin e partive politike duhet të harmonizohet me ligjin mbi financat. Duhet të ketë limit të shpenzimeve për fushata parazgjedhore. KQZ-ja duhet t”i informoj më shumë subjektet politike të sapo-regjistruara dhe të certifikuara për fondet që ju takojnë. Projektligji duhet të ketë parasysh edhe financimin e kandidatëve të pavarur. Degët e partisë duhet të japin llogari apo t”i tregojnë shefit të shtabit për donacionet që marrin.