Letër publike drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë në lidhje me emërimin e noterëve

Prishtinë, 10 nëntor 2019 – Organizatat e shoqërisë civile vazhdonjë të kundërshtojnë emërimin e noterëve të rinj nga ana e ministrit në largim të Drejtësisë z. Abelard Tahiri.

Me poshtë gjeni letrën dërguar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë nga 11 organizatat e shoqërisë civile.

 

Të nderuar ambasadorë znj. Nataliya Apostolova, z. Christian Heldt, z. Philip S. Kosnett, z.
Nicholas Abbott, znj. Marie-Christine Butel dhe z. Piero Cristoforo Sardi,

Po ju drejtohemi në lidhje me fazën e fundit të emërimit të noterëve të rinj nga ana e Ministrit
në largim të Drejtësisë z. Abelard Tahiri.

Ashtu siç jeni të informuar, Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr një proces jashtëzakonisht të
dyshimtë në përzgjedhjen e noterëve të rinj. Procesi është zhvilluar duke mos respektuar
standardet miniminale të transparencës. Lista e kandidatëve të përzgjedhur përbëhet në masë
të madhe nga familjarë dhe njerëz të ndërlidhur me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me
disa nga anëtarët e Komisionit për Dhënien e Provimit për Noterinë, si dhe nga njerëz që nuk i
kanë plotësuar as kushtet formale. Procedura e përzgjedhjes së noterëve të rinj është zhvilluar
edhe gjatë kohës kur ministria nuk kishte legjitimitet për të zhvilluar një proces të tillë për
shkak të rënies së qeverisë.

Falë mbështetjes suaj publike, sidomos reagimeve të Zyrës së Bashkimit Europian,
ambasadorit gjerman z. Christian Heldt dhe Odës Ndërkombëtare të Noterëve dhe Odës
Gjermane të Noterëve, noterët e rinj ende nuk janë emëruar nga z. Tahiri. Ne, ju jemi
jashtëzakonisht falenderues që keni zgjedhur të mbështesni kauzën tonë për të kundërshtuar
emërimin e noterëve në këtë mënyrë.

Këto ditë, jemi informuar që z. Tahiri është duke tentuar që të emërojë rreth 30 noterë nga e
njëjta listë e kandidatëve të përzgjedhur në procedurë të dyshimtë. Ne kërkojmë nga ju të
nderuar ambsadorë që të vazhdoni të na mbështesni në kundërshtimin e fuqishëm të emërimit
të noterëve të rinj. Ne ju ftojmë që premtimin e z. Tahiri se do të emërojë njerëz të kualifikuar
të mos e merrni parasysh. Kërkesën tonë e bazojmë në faktin se ne kemi kundërshtuar
procedurën e përzgjedhjes së noterëve dhe jo kandidatë të caktuar. Prandaj, asnjë noter nuk
duhet të emërohet nga lista e kandidatëve aktualë të përzgjedhur përmes një procedure
jashtëzakonisht të dyshimtë.

Ne shpresojmë që ju do të vazhdoni të mbështesni kundërshtimin tonë dhe presim që të luani
rol proaktiv në përzgjedhjen e noterëve nga qeveria e re. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi
noterë të pavarur, të paanshëm dhe të cilët do të gëzojnë besimin publik që është i
domosdoshëm për një profesion të tillë.

Me respekt,

Instituti EPIK
Lëvizja FOL
Çohu
Demokraci Plus
Demokraci për Zhvillim
Grupi për Studime Juridike dhe Politike
Instituti Demokratik i Kosovës
Instituti i Kosovës për Drejtësi
Iniciativa për Progres
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
Instituti Columbus