FOL Hapur me kandidatët/et për kryetar/e të komunës së Mitrovicës së Jugut

Mitrovicë, 18 tetor 2017 –   Lëvizja FOL ka mbajtur sot FOL hapur me kandidatët/et për kryetar/e të komunës së Mitrovicës së Jugut, me ç’rast është publikuar edhe analiza “Komunat dhe roli i tyre në punësim”.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL potencoi që ekziston një qasje dhe perceptim që roli i komunave është i mangët në zhvillim ekonomik dhe punësim. Kjo qasje dhe ky perceptim mund të vërehet më së miri në këtë kohë zgjedhjesh ku askush nuk dëshiron të pyes kandidatët nëse kanë ndonjë plan se si të rrisin zhvillimin ekonomik dhe të krijojnë vende pune’, tha Zulfaj. Sipas tij, Komunat mund dhe duhet të punojnë në planet dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik, ngase janë përgjegjëse për licencimin e veprimtarive afariste, për aplikimin e tatimeve dhe pagesave, sigurimin e infrastrukturës dhe arsimin bazik dhe miratimin e rregulloreve që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës.

Qazim Shala kandidat i NISMA për Kosovën tha se aftësimi i kuadrove dhe zhvillimi ekonomik duhet të shkojnë në mënyrë paralele. “Kemi shoqata gjermane që po trajnojnë kuadrot por nuk e dimë se këto kuadro a po trajnohen që të punojnë në Kosovë apo në Gjermani”, tha Shala. Në mungesë të këtyre informatave nuk e dimë saktë efektin e politikave të implementuara.

Valdete Idrizi kandidate e Partisë Demokratike e Kosovës deklaroi se të rinjtë duhet të stimulohen sa më shumë në mënyrë që të aktivizohen. “Të promovohen shkollat profesionale dhe të thyhen perceptimet negative për këto shkolla”, tha ajo. Promovimi i shkollave profesionale do të ndihmonte në zhvillimin e të rinjve e rrjedhimisht do të krijonte mundësi të mëdha të punësimit të tyre. Sipas saj, vullnetarizmi dhe puna praktike mund të bëhet në bashkëpunim me komunën, ku komuna do të paguante për 1 vit punën praktike të të rinjve.

Fehmi Ferati kandidat i Lëvizja VETËVENDOSJE, tha se qytetit i mungon tregu ku mund të shiten produktet. Përderisa nuk ofrohen mundësi të praktikës rinia mbetet pa eksperiencë, dhe kështu i vështirësohet mundësia për të u aktivizuar në tregun e punës. “Të rinjtë duhet të përgatiten për tregun e punës duke kryer praktikë së paku gjashtë muaj, siç ndodh në Amerikë”, tha Ferati.  Krijimi i sistemeve dhe politikave të bazuara në meritokraci do të rriste besimin në institucione dhe rrjedhimisht edhe punësimin e rinisë. “Të rinjtë më shumti i ka dëmtuar politika, e sidomos kur ka mungesë të meritokracisë si kriter për punësim”.

Nystret Preteni kandidat i Partisë FJALA tha se të rinjtë e Mitrovicës duhet të përgatiten për tregun e brendshëm dhe jo për tregun ndërkombëtar. “Do të krijojmë qasje në punësim, dhe shkollim ashtu që të rinjtë tanë mos të devijojnë” – tha Preteni.

 

Ky aktivitet u mbështetet nga Enhancing Youth Employment- EYE Project – projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.