Enis Veliu, fitues i Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2017

Prishtinë, 26 Dhjetor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2017, i cili në këtë vit iu nda z. Enis Veliu.
Enis Veliu është redaktor i ekonomisë në gazetën ditore “Zëri”, ku pas publikimit të shkrimit “KEDS-i na faturon 8 milionë euro në vit për rrymën e serbëve të veriut”, Avokati i Popullit filloi hetimet, të cilat pasuan edhe një vendim të gjykatës për ndërprerjen e faturimit të energjisë se pa shpenzuar një pjese të popullatës në Kosovë.
Petrit Zogaj drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se këtë vit çmimin për guxim e ndanë për një person i cili në një formë apo tjetrën me shkrimin e tij ka ndikuar në jetën e të gjithë neve. “Falë shkrimit të z. Veliut, Avokati i Popullit kishte filluar hetimet ex-ofcio, lidhur me këtë rast, hetim i cili pasoj me vendimin e Gjykatës Themelore e cila mori vendosi që ta ndaloj një praktikë të tillë. Me këtë rast shkrim z.Veliu vendosi që të ndalohet diskriminimi i shumicës së qytetarëve”, tha Zogaj.

Ndërkaq, Genc Salihu kryetar i Bordit këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se ky është një çmim që ne si FOL e ndajmë me shumë privilegj dhe kënaqësi. “Rasti i Enisit me shkrimin që ka bërë ka pas efekt direkt në shoqërinë tonë dhe për këtë e falënderojmë”, tha Salihu.

Ndërkaq Enis Veliu, falënderoi FOL-in për këtë çmim dhe tha se gjatë gjithë vitit ka bërë hulumtime të shumta, mirëpo ky ka qenë i veçantë pasi që për vite të tëra qytetarëve ju faturua energjia e pashpenzuar.