Arsim Halili, fitues i Çmimit për Guxim Qytetar për vitin 2021

Prishtinë, 22 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL edhe këtë vit ka ndarë Çmimin për Guxim Qytetar për vitin 2021, i cili në këtë vit iu nda z. Arsim Halili.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL tha se është viti i 13-të që FOL ndan këtë çmim në shenjë vlerësimi për personalitetet më të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të njeriut të vendit tonë. “Arsimi dhe banorët e tjerë të lagjes Lakrishtë janë shembull për qytetarët e tjerë sepse me tërë angazhimin e tyre, ata jo vetëm që arritën të ndalin rrënimin pa kontroll të mbetjeve të azbestit kancerogjen, por falë angazhimit të tyre dolën në pah edhe shumë parregullsi në tërë këtë proces”, tha ajo.

Kushtrim Palushi, anëtar i Bordit Këshillëdhënës të Lëvizjes FOL tha se aktivizmi i treguar nga Arsimi duhet të jetë shembull dhe inkurajim për qytetarët që të mos heshtin përballë dukurive negative me të cilat ata ballafaqohen në komunitetin ku jetojnë.

Ndërsa në anën tjetër, Arsim Halili fitues i Çmimit për Guxim Qytetar tha se ngritja e zërit ndaj fenomeneve që cenojnë qytetarët duhet të bëhet e zakonshme për secilin. Ai falënderoi banorët e lagjes Lakrishtë dhe familjen për mbështetjen që i kanë dhënë për të shtyrë përpara këtë reagim i cili solli pezullimin e punimeve të cilat rrezikonin shëndetin e banorëve dhe nxori në pah një varg parregullsish e keqpërdorimesh institucionale nga Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore.

Më shumë rreth rrënimit të kulmit me azbest!

Banorët e lagjes Lakrishtë, në fillim të tetorit, kanë ngritur alarmin pasi, në lagjen e tyre me shpejtësi dhe pa paralajmërim, kishin filluar të shkatërroheshin pa kontroll, me ekskavator, objekte të vjetra me tjegulla të azbestit kancerogjen, në kuadër të realizimit të një projekti afaristo-banesor bashkëinvestim mes Ndërmarrjes Publike Banesore që është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe të një bashkëinvestitori privat.

Të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të habitur me atë që po ndodhte, banorët përmes videove dhe fotove nga vendi i ngjarjes, i kanë njoftuar institucionet dhe kanë kërkuar ndalimin e punimeve.

Pas ngritjes së këtij alarmi, si pasojë e këtyre veprimeve të sanksionuara me ligj, punimet janë ndërprerë nga Inspektorati i Policisë së Mjedisit dhe Policia e Kosovës ndërsa, me qëllim të vlerësimit mjedisor, është pezulluar për dy ditë mësimi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” që gjendet në këtë lokacion. Më vonë një laborator gjerman konstatoi se mostrat e azbestit të shkatërruar i përkasin shkallës së tretë të mbetjeve kancerogjene me rrezikshmëri të lartë kontaminimi.

Banorët i kanë denoncuar këto zhvillime përmes rrjeteve sociale, kanë organizuar protestë me qëllim të sensibilizimit të opinionit teksa kanë kërkuar takim urgjent me ministrin e Mjedisit, të cilin e kanë sinjalizuar se në këtë projekt kishte pasur parregullsi që prej fazës fillestare të ndarjes së parcelave kadastrale.

Denoncimi i skandalit të shkatërrimit të azbestit ishte momenti vendimtar, që nxori në pah një varg parregullsish dhe shkeljesh ligjore lidhur me këtë projekt ku ishin të përfshirë kryesisht Ndërmarrja Publike Banesore dhe Komuna e Prishtinës, e cila i kishte lëshuar lejet.

Shkeljet u ekspozuan në mënyrë sistematike, fillimisht përmes një konferencë të jashtëzakonshme të ministrit të mjedisit edhe më pas nga njëri prej banorëve të lagjes përmes rrjetit social Facebook pas një procesi hulumtues dhe kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.

Lidhur me projektin nuk kishte pasur transparencë dhe debat publik paraprak me qytetarë ndërsa realizimi i tij praktik kishte nisur në kohë fushate zgjedhore dhe në përfundim të mandatit të qeverisjes komunale.

Shkeljet e ekspozuara bënë që brenda një kohe të shkurt Policia të njoftonte për fillimin zyrtar të hetimit lidhur me këtë projekt që është një prej investimeve më të mëdha ndërtimore që janë bërë në komunën e Prishtinës nga një investitor privat, i cili pritet të ketë një vlerë prej 120 milionë euro.

Aktualisht procesi është pezulluar.

Pas ekspozimit të shkeljeve të bëra në këtë projekt bordi i NPB-së ka marrë vendim për të shkarkuar drejtorin e NPB-së, por vendimi për shkarkim nuk kishte arritur të protokolohej për tri ditë. Kjo kohë u shfrytëzua nga aksionarët politikë nga Komuna e Prishtinës që të shkarkojnë bordin, duke e lënë në punë kryeshefin që të shtyjë përpara projektin ndërtimor. Dy aksionarët e ndërmarrjes, i kanë zëvendësuar anëtarët e shkarkuar të bordit me katër persona të tjerë, pa konkurs publik.

Deri më tash, Komuna e Prishtinës ka shfuqizuar Lejen e rrënimit që ia kishte lëshuar ndërmarrjes Publike Banesore duke konstatuar se në Elaboratin e dorëzuar nga NPB-ja gjatë aplikimit për leje nuk është cekur askund se në ndërtesat e vjetra  janë të mbuluara me lesonit  me dyshim përmbajtje azbesti të cilat duket të kenë trajtim të veçantë  sipas legjislacionit në fuqi.

Poashtu me kërkesë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Komuna e Prishtinës përkatësisht drejtoria e Kadastrit ka pezulluar ndyshimet kadastrale që i kishte bërë kundërligjshëm me rastin e përcaktimit të kufirit mes pronës së NPB-së dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pa pëlqimin e kësaj të fundit.

Ky aktivitet u mbështet nga Rockfeller Brothers Fund.