Zyrtarët e lartë nuk dëshirojnë të paraqiten si MILIONERË
Prishtinë, 27 tetor 2011. Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Luftimi i konfliktit të interesit”, është përqendruar në fushën e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, fushë kjo shume e ndjeshme për këta zyrtarë, të cilët në shumicën e rasteve ngurrojnë që të jenë transparentë në deklarimin e pasurisë së tyre. Si rezultat i punës së Lëvizjes FOL, sot është publikuar raporti “Deklarimi i pasurisë udhëheqësve të institucioneve kryesore publike për vitin 2010 dhe 2011”.
Në deklarimin e pasurisë së vitit 2011, është vërejtur qartë tendenca e zyrtarëve të lartë publikë që ta paraqesin si vit “shterpë” sa i përket pasurisë që posedojnë duke deklaruar rënie në pasurinë e tyre. Në këtë kontekst, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, përmendi rastin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 del me rreth 1.4 milionë euro më i varfër se në vitin paraprak, e që sipas analizës së Lëvizjes FOL kjo “varfëri” vjen si rezultat i mosdeklarimit të drejtë të vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara për këto dy vite”. Gjithashtu, pasuria e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për vitin 2011 del se ka rënie për rreth 533 mijë euro, ku kjo rënie ka ardhur si rezultat i mos përputhjes së vlerave për pasuritë e njëjta të deklaruara. Krahasimi i pasurisë mes vitit 2010 dhe 2011 u bë edhe për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili për këtë vit pasurinë e tij e ka deklaruar për rreth 100 mijë euro më pak në krahasim me vitin 2010. Për këtë rënie, Kryeministri Thaçi nuk ka dhënë sqarime për 100 mijë eurot e tij që nuk figurojnë te kategoria e kursimeve.
Për dallim nga këta zyrtarë, ky vit ka qenë më me fat për Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Ra”ic, pasuria e të cilit është ngritur për rreth 200 mijë euro në krahasim me vitin 2010. Rast i ngjashëm, por me një rritje drastike të pasurisë, e ka paraqitur Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së, Sylejman Selimi, diferenca e pasurisë së të cilit është ngritur për rreth 100 mijë euro vetëm në vitin e fundit.
Rast të veçantë përbën zëvendës kryeministri i parë, Behxhet Pacolli, i cili në vitin 2010, në mënyrë të paligjshme kishte kërkuar të mos i publikohej pasuria e tij.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku u publikua raporti “Deklarimi i pasurisë së udhëheqësve të institucioneve kryesore publike në vitin 2010 dhe 2011”, drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “është kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, që deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë publikë të verifikohen për saktësinë e tyre dhe rezultatet e verifikimeve të tilla të bëhen publike për qytetarët e Kosovës”. Ai më tutje shtoi se Lëvizja FOL do t”i dërgojë kërkesë edhe Prokurorisë së Kosovës, në mënyrë që të fillojnë hetimet rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë.