Tryezë diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik në Gjakovë
Gjakovë, 16 korrik 2014- Lëvizja ka organizuar sot në Gjakovë tryezë diskutimi me temën “Aktivitetet e prokurimit publik në periudhën e parë 6 mujore të vitit”. Në këtë tryezë është prezentuar një raport me përmbledhje të statistikave mbi aktivitetet e prokurimit të inciuara nga Komuna e Gjakovës.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, u.d i drejtorit të prokurimit Xhelal Halilosmani, asambleist të partive të ndryshme politike si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet mbi problemet dhe parregullsitë e mundshme që shoqërojnë zhvillimin e procedurave të prokurimit publik në komunën e Gjakovës. Ai më tutje vazhdoi me të gjeturat e raportit për këtë komunë duke theksuar se gjatë periudhës së parë 6 mujore të këtij viti Komuna e Gjakovës i ka shpallur 28 njoftime kontrate, 14 njoftime për dhënie të kontratës, 14 njoftime për anulimi dhe 1 anulim të dhënies së kontratës, kurse OSHP ka marrë një vendim kundër komunës së Gjakovës duke e kthyer një aktivitet të prokurimit në Ri-vlerësim. Për sa i përket problemeve që në përgjithësi janë prezente në prokurimin publik ai theksoi problemin e mos-standardizimit të procesit të hartimit të dosjes së tenderit, çmimeve jo-normalisht të ulëta, mos-koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme dhe jo-profesionalizmit të komisioneve të vlerësimit.
Më pas fjalën e mori kryetarja e komunës së Gjakovës Kusari-Lila, e cila tha se në përgjithësi konstatimet e raportit të Lëvizjes FOL janë të qëndrushme sepse këto probleme janë prezente në prokurimin publik. Ajo vazhdoi duke vënë theksin se pikërisht në tenderin për të cilin kanë kontest në OSHP, është prezent problemi i çmimeve jo-normalisht të ulëta, ku në ofertën e operatorit ekonomik ankues ka njësi me çmime të pakuptimta prej 0.0001 euro. Kusari-Lila më tej tha se edhe Ligji për Prokurim Publik ka nevojë për amandamentim sepse lë hapësira për interpretim në shumë fusha dhe se ajo që nga ardhja në pushtet është munduar në maksimum që të ndajë prokurimin publik nga niveli politik i qeverisjes lokale dhe në këtë mënyrë të parandaloj ndikimet politike në proces.
Kurse, u.d i drejtorit të prokurimi Halilosmani në vazhdim tha se kanë bërë përpjekje që anëtarët e komisioneve të jenë sa më profesional dhe secila drejtori apo njësi kërkuese të bart përgjegjësinë për hartimin e specifikacioneve në mënyrë që ato të jenë sa më profesionale.
Në anën tjetër Arbërie Nagavci, asambleiste nga Lëvizja Vetëvendosje tha se duhet bërë më shumë që anëtarët e komisioneve të jenë profesionistë dhe të mos bien pre e ndikimeve qoftë nga ana e bizneseve apo politikës, sepse kjo po e dëmton drejtëpërdrejt paranë publike.