Sulmi ndaj EULEX-it, sulm ndaj drejtësisë
Prishtinë, 19 Shtator 2013. Lëvizja FOL dënon ashpër sulmin ndaj Misionit të EULEX-it në Kosovë, ku për pasoj kemi një pjesëtar të këtij misioni të vrarë. Duke shpreh ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe shtetin e Lituanisë, FOL kërkon që ky akt të mos kaloj në heshtje dhe se vrasësit të dalin sa më parë para drejtësisë.
Po ashtu, kërkojmë që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të marrin hapa urgjente për të gjitha krimet dhe vrasjet që kanë ndodhur në Veriun e Kosovës, ku për 14 vite me radhë kjo pjesë e vendit ka shërbyer si strehë e krimineleve dhe vrasësve. Krimi në atë pjesë nuk po njeh kurrfarë pushteti, vendor a ndërkombëtar dhe për pasoj kemi pasur plotë raste si kjo që ndodhi sot.
Zhvillimet politike të këtij viti duhet të shërbejnë po ashtu që autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe EULEX-in të marrin nën kontroll situatën e sigurisë, sepse për këtë, institucionet e Kosovës kanë nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshje ndërkombëtare.
Prandaj, është momenti i fundit që palët nënshkruese të marrëveshjeve si dhe ato që garantojnë këto marrëveshje të ju bëjnë të qartë strukturave kriminale në veri të vendit se shumë shpejt do të japin llogari dhe përgjegjësi për veprimet e tyre për më shumë se një dekadë.