Raport krahasues 2011-2012: Korrupsioni përtej perceptimit publik
Prishtinë, 21 Prill – Lëvizja FOL, në kuadër të punës së saj kundër korrupsionit, ka dizajnuar një platformë të re: Statistikat e Korrupsionit në Kosovë. Kjo është mundësuar duke shkrirë punën trevjeçare të ekipit të FOL në monitorimin e korrupsionit në Kosovë.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, tha se “Në kuadër të kësaj platforme të re do të bëhet publikimi i rregullt i statistikave që tregojnë korrupsionin përtej perceptimit publik, duke i mundësuar opinionit të gjerë publik dhe institucioneve publike që t’i lexojnë në mënyrën e tyre këto të dhëna për të kuptuar dhe analizuar më mirë punën dhe kontributin e tyre dhe hapësirat ku nevojiten përmirësime”.
Kjo platformë përfshinë të dhëna krahasimtare të institucioneve, agjencive, medieve dhe raporteve ndërkombëtare për nivelin e korrupsionit në Kosovë.
Armend Mazreku, gjatë prezantimit të dhënave të kësaj platforme, theksoi që: “bazuar në të dhënat e publikuara Prokuroritë në Kosovë për vitin 2011 kanë ngritur gjithsej 214 akte akuzuese, ndërsa në vitin 2012 kanë ngritur gjithsej 172 akte të tilla. Gjykatat për vitin 2011 kanë zgjidhur 136 raste, ndërsa në vitin 2012 kanë zgjidhur 180 raste. Policia ka arrestuar 97 persona për vitin 2011 dhe 56 në vitin 2012. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 ka miratuar 4 vendime anti-korrupsion dhe gjithashtu 4 të tjera për vitin 2012. Agjencioni Anti-Korrupsion në vitin 2011 ka dërguar në prokurori 39 raste, ndërkaq në vitin 2012 rreth 52 raste. Sa i përket konfliktit të interesit, Agjencioni ka identifikuar 54 raste në vitin 2011 dhe 131 raste në vitin 2012. Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar/Konfiskuar në vitin 2011 ka administruar asete të sekuestruara në vlerë prej rreth 73 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 mbi 2.5 milionë euro”.