Qasja në drejtësi ndihmon në realizimin e të drejtave të njeriut

Gjakovë, 10 dhjetor 2013 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Afrimi i qytetarëve me institucionet e drejtësisë”, i cili financohet nga populli amerikan përmes USAID/ATRC, ka mbajtur të martën në ditën ndërkombëtare të të drejatve dhe lirive të njeriut takimin e radhës të “Forumit për Qasjen në Drejtësi” në Komunën e Gjakovës. Panelist në këtë forum ishin: Vaton Durguti, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Aishe Berisha, zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. të ftuar tjerë ishin edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, përfaqësues të Avokatit të Popullit, nga Qendra për Ndihmë Juridike, shoqëria civile dhe qytetarët e interesuar në Komunën e Gjakovës. Në këtë takim u prezetua Raport i monitorimit të seancave gjyqësore në Gjakovë dhe Podujevë.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se që nga fillimi Forumi për Qasje në Drejtësi është inicuar dhe formuar me qëllim që të forcoj qasjen në drejtësi duke vendosur kanale të reja të komunikimit që lehtësojnë bashkëpunimin në mes të institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve në Komunën e Gjakovës, dhe po ashtu të shërbejë si platformë ku jo vetëm diskutohet për problemet që hasen çdo ditë në sistemin e drejtësisë por edhe si platformë ku prodhohen ide për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ai po ashtu prezentoi edhe të gjeturat kryesore të raportit mbi monitorimin e seancave gjyqësore të ndërlidhura me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, duke nënvizuar se qasja në informata në Gjykata shpesh është tejet e vështirë per shkak të procedurave tejet burokratike. Prezentimi i këtij raporti dhe mbajtja e forumit konsistoi në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Me këtë rast ai foli edhe për rëndësinë e kësaj dite dhe tha se qasja e qytetarëve në institucionet e drejtësisë mund të ketë efekt tejet pozitiv në realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre.

Ndërsa Aishe Qorraj- Berisha zëdhënëse e KGJK-së prezentoi për punën e KGJK por gjithashtu potencoi dhe pranoi problemet dhe sfidat e gjyqësorit të cilat ndërlidhen edhe me Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ku tha se shkelja e të drejtave të njeriut ekziston edhe në Kosovë. “Nuk duhet harruar që pushteti i tretë në Kosovë ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Në vitin 2013 gjyqësori ka kaluar nëpër një reformë rrënjësore”, deklaroi Qorraj-Berisha.

Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, tha se të gjitha të gjeturat e Lëvizjes FOL qëndrojnë dhe e kanë vendin e vet për shqetësim. Ai tregoj se ekziston qëndrimi që kemi numër shumë të madh të lëndëve por kjo arsyetohet me gjendjen se Gjykata Themelore në Gjakovë ka nën juridiksion Komunën e Rahovecit dhe Komunën e Malishevës. “Kur kësaj i shtohet edhe bartja e lëndëve nga ish Gjykata e Qarkut në Pejë kjo tregon se numri i lëndëve është shumë i madh. Gjithashtu në kuadër të Gjykatës Themelore në Gjakovë është krijuar një hapësirë për funksionin për Këshillin Sprovues – Këshillin Korrektues”, tha Durguti.

Ndërkohë, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija tha se ndjekja e veprave penale në Gjakovë është kryer me sukses. “Nga Janari 2013 kemi startuar me 70 lëndë ku tani kemi edhe Rahovecin dhe Malishevën. Meqenëse tani jemi Prokurori Themelore dhe e kemi nën juridiksion edhe Rahovecin atëherë duhet të potencoj që kemi pranuar lëndë edhe nga Gjykata e Qarkut në Prizren”.
Diskutimi u hap edhe për pjesëmarrësit të tjerë ku ndër të tjera Komandanti i Stacionit Policorë në Gjakovë, Kristë Gjokaj tha që ky institucion ka bashkëpunim të shkëlqyer me Gjykatën dhe Prokurorinë ku ata gjithmonë janë në shërbim të qytetarëve.

Edmond Dushi, përfaqësues nga OSBE kërkoi nga Kryetari i Gjykatës që “rekomandimet e Lëvizjes FOL ti marrë parasysh dhe që të punohet që këto rekomandime të përmirësohen në mënyrë që qytetarë të mos kenë pengesa në kërkesën e informacioneve apo të ofrimit të shërbimeve nga ana e administratës së Gjykatës”.

Flamur Gojani – kërkoi që të përdoren më shumë mediet elektronike ku edhe informimi i qytetarëve për punën dhe raportet e tyre të publikohen në ueb faqe të Gjykatës.

Galeria e aktivitetit

20140305031110_1274

20140305031110_97

20140305031110_120

20140305031110_370