Prokuroria e Shtetit të iniciojë procedurë hetimore ndaj ministrit Ismaili
Prishtinë, 24 Maj – Sot, gazeta Zëri, në një shkrim të zgjeruar duke u mbështetur në dokumentet që posedon ka denoncuar përfshirjen e ministrit Fadil Ismaili në afera korruptive. Siç njofton kjo gazetë, ministri Ismaili ka qenë i përfshirë në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt të hapur të interesit derisa ka ushtruar funksione të ndryshme në Kompani Publike.
Këto materiale të publikuara do të duhej të ishin bazë e mjaftueshme që Prokuroria e Shtetit të inicojë hetime ndaj z. Ismailit. Besojmë që Prokuroria do t’a merr me seriozitetin e duhur çështjen e hetimeve dhe të deklarimeve për z Ismaili, por edhe për rastet tjera, që media dhe shoqëria civile po ngrit vazhdimisht.
Ministri Ismaili, i cili u emërua vetëm pak ditë më parë, ka marrë nën udhëheqje ministrinë ndër më të rëndësishmet në Qeverinë e Kosovës, pra Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Udhëheqja e këtij dikasteri qeveritar nga z. Ismaili, i cili përfshin procese të ndjeshme të ekonomisë së Kosovës, privatizimet e kompanive publike, orientimin strategjike ekonomik dhe të tjera, vihen në dyshim për shkak implikimit të tij shqetësues në afera të ndryshme korruptive dhe në konflikt interesi.
Po ashtu, duke qenë të zotuar deklarativisht që Qeveria e Kosovës do të ketë ‘zero tolerancë’ ndaj korrupsionit, Qeveria dhe kryeministri Thaçi do të duhej që të kenë një qëndrim në lidhje më të gjeturat e gazetës Zëri për z. Ismaili. Pa dyshim që është dhe mbetet përgjegjësi para së gjithash e Kryeministrit për përfshirjen e ministrave dhe kabinetit qeveritar në afera korruptive. Një gjë e tillë nuk do të duhej të mbetet peng e koalicionit qeveritar, duke bërë kompromise për të mos reaguar në raste të tilla, që zyrtarët qeveritar denoncohen për afera korruptive, e të cilat janë në dem të qeverisjes së vendit, në dëm të mirëmenaxhimit të pasurive publike dhe duke dëmtuar buxhetin publik dhe qytetarët e Kosovës.