Problemet e gjyqësorit diskutohen në Forumin për Qasje në Drejtësi

Podujevë, 8 tetor 2013 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Afrimi i qytetarëve me institucionet e drejtësisë”, i cili financohet nga populli amerikan përmes USAID/ATRC, ka mbajtur sot takimin e dytë të “Forumit për Qasjen në Drejtësi” në Komunën e Podujevës . Në këtë forum të ftuar ishin përfaqësues të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë, përfaqësues nga Avokati i Popullit, nga Qendra për Ndihmë Juridike, përfaqësues të Odës së Avokatëve, OJQ-ve, mediave dhe qytetarët e interesuar në Komunën e Podujevës. Në këtë takim prezent ishte edhe përfaqësuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Aishe Qorraj-Berisha.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe më pas bëri një prezantim të shkurtë të takimit të parë të forumit dhe të aktiviteteve të tjera me qëllim të përmirësimit të komunikimit mes institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve, duke nënvizuar në veçanti nevojën që ky komunikim të përmirësohet.

Më pas Aishe Qorraj-Berisha nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në fjalën e saj fillimisht falënderoi Lëvizjen FOL për angazhimin e tyre në afrimin e qytetarëve me institucionet e drejtësisë. Ajo tutje vazhdoi duke folur për organizimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe organet e tij, dhe mënyrat se si palët e interesuara mund të informohen.
Përveç kësaj Qorraj-Berisha në mënyrë kronologjike foli për problemet e institucioneve të drejtësisë që nga pas lufta, duke potencuar numrin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve me ç’rast theksoi se në Podujevë janë vetëm tetë gjyqtarë. Ajo premtoi të pranishmëve se të gjitha shqetësimet që u diskutuan në këtë forum do t’i përcjellë në Këshillin Gjyqësorë të Kosovës.

Minir Hoti-gjyqtarë nga Gjykata e Podujevës e filloi fjalën e tij duke prezantuar problem me të cilat hasin çdo ditë gjyqtarët duke theksuar në veçanti grumbullimin e lëndëve që nga koha kur në Podujevë kishte vetëm një gjyqtarë. Ai tha se pas reformës vërehet përmirësim i gjendjes mirëpo si komunë kanë nevojë edhe për katër gjyqtarë sepse numri I lëndëve është i madh, kurse sa i përket komunikimit me qytetarë pranoi se ka hapësirë për përmirësime.

Ndërkaq Fazli Veliu nga Radio Vizioni tha se pajtohet me problemet që u cekën nga para folësit, duke vënë theksin në bashkëpunimin jo të kënaqshëm të institucioneve të drejtësisë me media. Tutje ai rekomandoi që Gjykata Themelore e Prishtinës – dega në Podujevë së paku një herë në vit të mbajë një konferencë për media ku do të prezantohej puna që është bërë nga kjo gjykatë.

Xhevat Rama- avokat po ashtu theksoi problemin e grumbullimit të lëndëve të pazgjidhura duke shtuar se Podujeva ka pasur gjithmonë probleme me mungesën e gjyqtarëve dhe janë raportet vjetore që tregojnë për karakterin e lëndëve që zgjidh kjo gjykatë e që janë të peshës së lehtë, dhe se më e vështirë është caktimi se sa kryerja e lëndës. Ai shtoi se në letër mund të duket se ka përmirësime por në realitet përmirësimet po duken pak ose hiç fare.

Në fund Hasan Përvetica po ashtu avokat tha se një drejtësi e vonuar nuk është drejtësi dhe se reformat e bëra në gjyqësor janë të dështuara dhe për këtë fajtorë kryesor është Këshilli Gjyqësor i Kosovës sepse ai ka kompetencat për këtë.
Pastaj ai vuri theksin në procedurat tejet të komplikuara për emërim të gjyqtarëve dhe se për këto nuk kanë faj gjykatësit sepse këta punojnë kaq sa janë.
Përvetica shtoi se ka shumë hapësirë për përmirësime në fushën e komunikimit në mes të institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve, dhe po ashtu në përmirësimin e punës së gjykatave.

Galeria e aktivitetit

20140305031109_1032

20140305031110_375

20140305031110_903

20140305031110_1134

foto (78)