Presidenti Pacolli të bëjë publike pasurinë dhe interesat ekonomike
Prishtinë 4 Mars 2011 – Vitin e kaluar z. Behgjet Pacolli kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) që të mos e bëj publike pasurinë e tij. Një veprim i tillë nga vetë AKK-ja dhe z. Pacolli përbën shkelje të ligjit për prejardhjen, kontrollin dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, i cili nuk e parasheh mos publikimin e pasurisë mbi bazë të kërkesës së një zyrtari. Një veprim i tillë i z. Pacolli ngreh pikëpyetje në përkushtimin e tij për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ” që janë problemet kryesore të vendit.
Lëvizja FOL kërkon nga Presidenti Pacolli që të kërkojë nga Agjencia Kundër Korrupsion të bëjë publike pasurinë e tij.
Në përputhje me nenin 15, pika 1 e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit FOL kërkon nga Presidenti i vendit të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën sa më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit. Ndërkaq AKK-ja në përputhje me nenin 14 të verifikojë pasurinë e kryetarit Pacolli në përputhje me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit si dhe ligjin për Presidentin.
Legjislacioni aktual nuk u lejon zyrtarëve publik të menaxhojnë aksione më shumë se 20% të vlerës në një kompani, si dhe të bartin këto aksione tek persona të afërt me z. Pacolli sipas nenit 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Në rastin e Presidentit të vendit, z. Pacolli, konsiderojmë se është jo-etike që ai të ketë interesa ekonomike përderisa ushtron funksionin më të lartë në vend. Prandaj, është ne interesin publik që z. Pacolli të sqarojë raportin që ka me bizneset e tij brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo do t”i ndihmojë në funksionimin e këtij institucioni, si dhe do të krijojë një standard të mirë për zyrtarët e lartë publik.