Plani i Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të filloj të zbatohet
Prishtinë, 30 Prill 2014-Lëvizja FOL vlerëson aprovimin e Planit Nacional të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Pas më shumë se një vit punë intensive të grupit të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike në procesin e draftimit të Planit Nacional të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (ang: Open Govermnet Partnership- OGP), Qeveria e Kosovës, dje ka miratuar këtë plan dy-vjeçar.
Obligimet që dalin nga ky Plan Nacional janë jashtëzakonisht të rëndësishme për politikëbërjen, funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje. Si i tillë, ky Plan tregon qartazi hapat që duhen ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet publike në fusha si ato të: Përmirësimin e Shërbimeve Publike; Rritjen e integritetit publik; Menaxhimi më efektiv i burimeve publike; dhe Rritja e llogaridhënies së korporatave.
Për më tepër, Plani adreson shumë drejt dhe me afate të përcaktuara veprimet që institucionet publike duhet ndërmarrë në përmirësimin e shërbimeve në shëndetësi, arsim, financa publike, bujqësi, shërbim civil, administratë publike dhe një varg sektorësh të tjerë në funksion të avancimit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe krijim të llogaridhënies politike dhe publike. Prandaj, aprovimi i këtij Plani është lajm i rëndësishëm dhe fillimi i zbatimit të tij do të jetë lajm shumë i mirë për qytetarët e vendit.
Në funksion të monitorimit dhe të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij Plani, FOL do të filloj në mënyrë aktive të monitoroj secilin hap që do të merret nga institucionet publike gjatë zbatimit të Planit. Po ashtu, FOL do të angazhohet që një monitorim i tillë që bashkëorganizohet me faktorët tjerë brenda Kosovës, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Open Govermnet Partnership.
Partneriteti për Qeverisje të Hapur apo Open Government Partnership -OGP është iniciative globale ndër-qeveritare, e cila filloi në vjeshtë të vitit 2011 dhe si mandat ka krijimin e kushteve për një qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse përballë qytetarëve në shtetet përkatëse. Ky mekanizëm global obligon shtetet anëtarë të saj që të zbatojnë planet e tyre nacionale sepse në të kundërtën merren masa edhe të përjashtimit nga kjo iniciativë globale. Republika e Kosovës është në faza të ndjeshme të negocimit për anëtarësim në OGP, ku po bëhen hapa të kujdesshëm gjatë procesit të anëtarësimit, me besimin që një ditë të jemi anëtarë me të drejta të plota në OGP.