Ndikimi i strategjive sektoriale në mjedis
Prishtinë, 31 mars 2021 – Lëvizja FOL me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur( KFOS) ka publikuar raportin “Ndikimi i strategjive sektoriale në mjedis”.
Raporti shpërfaqë faktin se Kosova është duke u ballafaquar me dëme të mëdha mjedisore si rezultat i legjislacionit burokratik që në fund përfundon i pazbatuar, si rezultat i mungesës së bashkëpunimit ndër institucional, abuzimit me leje dhe licenca për shfrytëzim, ambicies së shfrenuar të OE-ve për ta maksimizuar profitin në dëm të ambientit dhe dështimit të institucioneve për t´i monitoruar dhe sanksionuar veprimet e tilla të dëmshme për mjedis dhe të mirën e përgjithshme. Shpesh, institucionet zgjedhin të mos bëjnë asgjë me arsyetimin e mungesës së buxhetit. Kështu ato dështojnë së parandaluari rrjedhjen edhe më të madhe buxhetore që shkaktohet si pasojë e rrezikimit të shëndetit të qytetarëve dhe degradimit të mëtutjeshëm të mjedisit.
Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet Kosova në këtë drejtim është balancimi i zhvillimit të tanishëm me ruajtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm. Orientimi i politikave të cilitdo sektor bëhet përmes strategjive afatgjata të cilat zakonisht nuk synojnë vetëm zhvillimin, por synojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm në thelb ka shfrytëzimin e resurseve. Duke pasur parasysh që resurset janë të shterrshme dhe nuk janë të shpërndara njësoj. Andaj, ato duhet të menaxhohen brenda kufizimeve të parapara me legjislacionin në fuqi dhe dokumentet tjera strategjike që orientojnë politikat publike.
Ky raport shqyrton ndikimin në mjedis të pesë strategjive:
1. Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës 2012–2025,
2. Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2010–2020,
3. Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2017–2026,
4. Strategjia e Republikës së Kosovës për Menaxhimin e Mbeturinave 2013–2022, dhe
5. Strategjia e Cilësisë së Ajrit 2013–2022.
Secila Strategji ka të paktën një objektivë specifike që adreson mbrojtjen e mjedisit. Mirëpo, zotimi për mbrojtjen e mjedisit, fillon dhe mbaron vetëm në letër. Në disa fusha të caktuara (psh. cilësia e ajrit apo menaxhimi i mbeturinave) situata sa vije dhe përkeqësohet. Kostot e zbatimit ose mos zbatimit të Strategjive janë gjithnjë vetëm kalkulime financiare. Marrë parasysh natyrën e sektorëve që janë subjekt i këtyre Strategjive kostoja e ndikimit të sektorit (psh. të energjisë, apo minierave dhe mineraleve) në mjedis dhe në shëndetin e qytetarëve është anashkaluar. Si e tillë, kostoja reale e opsionit të ´mos-bërit asgjë´ është edhe më e lartë se kostoja e intervenimeve.
Në shumicën e rasteve, raportet e monitorimit të zbatimit të këtyre Strategjive nuk janë dokumente të publikuara në ueb faqe, dhe si të tilla nuk janë lehtë të qasshme për publikun. Versioni final dhe i pastër i Strategjive duhet të publikohet në ueb faqen e institucioneve përgjegjëse, së bashku me Anekset përkatëse dhe raportet e monitorimit të zbatimit. Në mungesë të transparencës së tillë, qytetarët janë të privuar nga informatat nëse Strategjitë e tilla janë zbatuar. Monitorimi i strategjive trajtohet si çështje burokratike e përmbushjes së një raporti, dhe jo si detyrim i vazhdueshëm institucional. Në dritë të përkeqësimit të gjendjes në disa sektor, institucionet përgjegjëse kanë dështuar të marrin veprimet e duhura çoftë për të ndëshkuar keqbërësit, apo për të përmirësuar bashkëpunimin ndër-institucional mes tyre.
Investimet më të mëdha në mbrojtjen e mjedisit kanë ndodhur jo nga buxheti i shtetit, por nga asistenca zhvillimore. Perceptimi se mbrojtja e mjedisit është vetëm kërkesë ndërkombëtare, në masë të madhe ka shkaktuar varësi të financimit të projekteve të tilla kryesisht nga donatorët. Pronësia vendore dhe marrja seriozisht e mjedisit do të matet me alokimin e mjeteve vetanake nga buxheti i Kosovës për projekte të tilla që synojnë mbrojtjen e mjedisit.
Ky aktivitet përkrahet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).