Mos transparenca në prokurimin publik rrit dyshimet për korrupsion
Prishtinë, 29 Maj 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e radhës ku është diskutuar raporti “Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”. Panelistë në këtë tryezë ishin: Osman Bytyqi nga KRPP, Agim Sheqiri nga OSHP, Mursel Racaj nga AQP dhe zyrtarë të prokurimit nga ministritë si dhe përfaqësues të mediave dhe organizatave jo-qeveritare.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve nga Lëvizja FOL tha se raporti është një përmbledhje e raportit vjetor të monitorimit të prokurimit publik në tri ministritë: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. “Ky raport gjithashtu përmban një freskim i analizës ligjore nga viti 2016 duke sjellë rastin e Estonisë dhe analizën e rëndësisë së hapjes së planifikimit të prokurimit publik në Kosovë”, tha Zulfaj. “Ligji për shoqëritë tregtare ende nuk është ndryshuar. Është me rëndësi që ky ligj të ndryshohet në atë kuptim që të ofrojë shumë informata se kush janë ata persona që përfitojnë prapa këtyre bizneseve. Është evidente që persona të caktuar mund të jenë të lidhur me ata që përfitojnë nga tenderët publik. Gjithashtu, zyrtarwt e prokurimit janë të cenueshëm ndaj korrupsionit dhe duhet edhe ata t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë”, tha Zulfaj.
Sipas tij, nga gjetjet e monitorimit të FOL-it del se ka mospërputhje të publikimeve të të dhënave në mes ueb faqeve të KRPP-së dhe platformës E-Prokurimi, tek njoftime për kontratë, njoftime për dhënie të kontratës dhe njoftimeve për nënshkrim të kontratës.
Osman Bytyqi nga Komisioni i Rregullativ i Prokurimit Publik, tha se pajtohet me shumë nga të gjetura e FOL-it. “Ligji nuk ka hyr agjendë legjislative për këtë vit, mirëpo na kanë premtuar se do të hyjë në agjendë vitin e ardhshëm dhe ne jemi pjesë e grupit punues dhe besoj që kontratat do të bëhen shumë shpejt publike”, tha Bytyqi.
Ndërkaq, Agim Sheqiri, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, tha se baza aktuale ligjore është shumë e mirë, mirëpo duhet fokusuar tek qëndrueshmëria e projekteve. “Ne gjatë këtij viti, duhet të përqendrohemi nga prokurimet e qëndrueshme. Pra kur shtrojmë një rrugë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjate. Ne jemi dëshmitarë se ndonjëherë punët nuk po kryhen mirë. Blejmë makineri por nuk janë të qëndrueshme. Dalin ministrat inaugurojnë projekte por ato nuk përfundojnë sepse ka mungesa në sistem”, tha Sheqiri, duke shtuar ka raste që një pronar qëndron prapa 2-3 kompanive tjera.
Kurse Mursel Racaj nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (APQ), tha se AQP-ja ka filluar me ngritjen e prokurimeve qendrore, mirëpo rritja e kësaj liste po del te jetë shumë sfidë shkaku i mungesës së zyrtarëve të prokurimit në AQP. “Përveç kësaj problem po del të jetë edhe monitorimi dhe zbatimi i kontratave në praktikë. Përgjegjësia më së shumti u bie zyrtarëve përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e kontratave. Andaj, ju inkurajoj që të bëni më shumë në zbatimin dhe monitorimin e kontratave”, tha Racaj.